Vazhdon të rritet numri i veteranëve, u shpenzuan mbi 57 milionë euro

Ekonomia October 13, 2018 - 08:05
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se gjatë muajit të fundit janë paguar pensionet e mbi 38 mijë veteranëve. Nga janari e deri në shtator të këtij viti numri i veteranëve është rritur për 1400, përderisa për pensionet e tyre vetëm për nëntë muaj janë shpenzuar mbi 57 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

As hetimet e Prokurorisë së Shtetit, madje as ngritjet e aktakuzave nga këta të fundit nuk po e ndalin “valën” e madhe të veteranëve, që përfitojnë financiarisht nga buxheti i shtetit.

Muajin e kaluar (shtator) numri i veteranëve që kanë përfituar pensione ka arritur në 38.184, duke u rritur për rreth 1400 vetë brenda një periudhë nëntëmujore, përkatësisht nga janari në shtator 2018.

Vetëm për këtë periudhë kohore, janar –shtator 2018, mbi 57 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti për pensionet e veteranëve.

Përndryshe, Prokuroria e Shtetit ka dyshime se në listat e veteranëve janë rreth 20 mijë veteranë të rremë, të cilët marrin pensione nga shteti.

Për këtë gjë para një muaji Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Veteranët”, në mesin e tyre janë: ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 

Gazeta “Zëri” ka siguruar shifrën e plotë të përfituesve të pensioneve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) bashkë me shumën e ndarë financiare për këtë kategori.

Duke iu referuar këtyre statistikave, në janar të këtij viti në listën e pensioneve kanë qenë 36 mijë e 794 veteranë, për të cilët janë shpenzuar 6 milionë e 297 mijë e 760 euro, në muajin shkurt 36 mijë e 989 veteranë, derisa shuma e pagesave pasqyrohet të ketë qenë 6 milionë e 261 mijë e 755 euro.

Numri i veteranëve ka shënuar rritje edhe gjatë muajit mars, ku si përfitues janë regjistruar 37 mijë e 44 veteranë, pagesa e të cilëve i ka kushtuar buxhetit të shtetit 6 milionë e 234 mijë e 954 euro.

Rritje e njëjtë ka ndodhur edhe gjatë muajit prill, me 37 mijë e 395 veteranë, të cilët i kanë marrë nga buxheti jo më pak se 6 milionë e 344 mijë e 129 euro.

Ndryshe, gjatë muajit maj janë regjistruar 37 mijë e 460 veteranë me 6 milionë e 381 mijë e 882 euro të shpenzuara të buxhetit, në qershor 37 mijë e 598 veteranë, për çka janë shpenzuar 6 milionë e 353 mijë e 858 euro, në korrik 37 mijë e 771 në shumën e 6 milionë e 398 mijë e 253 eurove, në gusht 38 mijë e 51 veteranë, për të cilët janë paguar 6 milionë e 448 mijë e 142 euro të buxhetit.

Vetëm në muajin që lamë pas (shtator) ky numër është rritur në 38 mijë e 184 veteranë, pagesa e të cilëve buxhetit i ka kushtuar 6 milionë e 439 mijë e 204 euro.

Gucati: Nëse vazhdon të rritet numri i veteranëve dalim në protestë

Për fryrjen e listave të veteranëve dhe rritjen e vazhdueshme të përfituesve të pensioneve përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL e UÇK-së) janë duke paralajmëruar protestë të mundshme nëse numri ka shënuar rritje.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, në një prononcim për gazetën “Zëri”, pas informacioneve për rritje të numrit, ka treguar se javën e ardhshme do të mbajnë një mbledhje dhe nëse vërtetohet numri i rritur do të marrin masat me organizim protestash.

“S’kam informacione të sakta a është rritur numri i veteranëve. Kemi dëgjuar përmes medieve. Por nëse vazhdon të rritet numri, kjo është shqetësuese për ne. Unë prej fillimit e kam ngritur zërin se numri është shumë i madh. Për neve nëse vazhdon të rritet numri është shqetësuese”, ka deklaruar Gucati.

Sipas Gucatit, pavarësisht përfitimeve nuk mund të njolloset lufta e ushtarëve dhe veprat e tyre.

“Realisht, punën dhe veprat e ushtarëve nuk mund t’i njollosë askush, sepse e njollos veten. Ne kemi luftuar për popullin tonë. Nëse e hetoj brenda javës që është rritur numri, të jeni të bindur që do t’i thërras të gjitha mediet dhe organizatat e veteranëve të reagojmë shumë ashpër, ndoshta do ta thërras Këshillin Drejtues edhe për ndonjë protestë”, ka shtuar më tutje ai.

Madje Prokuroria Speciale me të ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit deklaroi se nga pagesat e kundërligjshme deri më tani buxheti i shtetit është dëmtuar me hiç më pak se 68 milionë e 153 mijë e 14 euro.

Aktakuzën e ngritur ndaj veteranëve mashtrues e kishte mirëpritur edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

“Është ngritur aktakuzë për ‘Mashtrim me pensionet’, krenar për Kosovën për marrjen e këtij hapi të rëndësishëm për luftimin e korrupsionit”, pati shkruar Delawie në rrjetin social “Twitter”.

Numrin kaq të madh të veteranëve të regjistruar në listat e përfitimit e vuri në dyshim ditë më parë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në konferencën rajonale kundër korrupsionit në praninë e ambasadorëve ndërkombëtarë Thaçi deklaroi se UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 12 mijë deri në 15 mijë ushtarë më së shumti.

“E vërteta është më se e qartë, s’ka pasur më shumë se 12 mijë ose 15 mijë ushtarë me uniformë. Të tjerat janë mashtrime. Këtij mashtrimi duhet t’i shkohet deri në fund, jo përmes kërcënimit”, deklaroi Thaçi.

Haradinaj: S’mbeti kush pa i futur duart në listat e veteranëve

Shqetësimin për rritjen e numrit të veteranëve e ka shprehur edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj.

Me dyshimet që janë bërë për fryrje të listave Haradinaj thotë se i është kërkuar ndërhyrje Prokurorisë së Shtetit. Madje numrin e rritur e ka quajtur si një arsye të fortë për t’u hetuar.

Haradinaj gjatë një deklarate për “Zërin” e ka quajtur të pakuptimtë rritjen e numrit të veteranëve.

“Këto të dhënat e reja të Ministrisë nëse është rritur numri qenkan material për Prokurorinë të ndërhyjë si po rriten listat, derisa i gjithë materiali prej Komisionit të Qeverisë është marrë nga Prokuroria. Ky është rast për një hetim të ri, për ne është e pakuptimtë”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se shqetësime dhe reagime për fryrjen e listave të veteranëve ka pasur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Përplasje rreth numrit të veteranëve po del të ketë mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Derisa i pari deklaron se nuk ka pasur më shumë se 15 mijë ushtarë, kryeministri pretendon se vetëm në Zonën e Dukagjinit kanë qenë nga 50 deri në 60 mijë njerëz në luftë.

“Vetëm në Dukagjin ka pasur më shumë se 50-60 mijë njerëz në luftë”, kështu deklaroi publikisht kryeministri në njërin prej televizioneve në Kosovë.

Ndryshe, kërcënimet e vazhdueshme e kishin deklaruar ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale (PSRK) Elez Blakajn të dorëhiqej nga detyra pa u ngritur aktakuza nën pretekstin se kishte pasur ndërhyrje për të mos i prekur në hetime krerët shtetërorë.

Tani rasti i veteranëve ka kaluar në duart e prokurorit të ri, Afrim Shefkiu.