Ndërpriten punimet e Bechtel-Enkas nga kryetari i Hanit të Elezit, kjo është arsyeja

Ekonomia October 12, 2018 - 09:44
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Mbrëmë gjatë natës kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Refet Kalisi, kanë ndërprerë punimet e kompanisë Bechtel-Enka.

Kjo ka ndodhë për shkak se punimet po zhvilloheshin në orët e vona dhe kjo sipas tyre po i pengon banorët të zhvillojnë jetë normale nga zhurma e krijuar.

Më poshtë është njoftimi i plotë i komunës:

Për shkak të dëmtimit të pronës publike dhe private, mbylljes së disa rrugëve ekzistuese dhe zhurmës së madhe gjatë natës nga ana e kompanisë Bechtel-Enka e cila po realizon projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, komuna e Hanit të Elezit ka vendosur të ndërpres komunikimin dhe bashkëpunimin me kompaninë Bechtel Enka.

Kryetari i kësaj komune Rufki Suma, pas disa paralajmërimeve dhe kërkesave drejtuar kompanisë Bechtel-Enka për riparimin e dëmeve, rihapjen e rrugëve të mbyllura, ndotjen dhe degradimin e ambientit, me dt. 11.10.2018 ju drejtua me një letër Drejtorit gjeneral të kompanisë Bechtel-Enka, z.Riadh Alkhazraji të cilin e njoftoi me vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Po të njëjtën ditë, me dt.11.10.2018, në orët e vona të natës, pas orës 23, kryetari Suma i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Refet Kalisi, dolën ne vendpunishte të autostradës në territorin e komunës së Hanit të Elezit dhe ndërprenë punimet e kompanisë Bechtel Enka për shkak të punimeve që bëheshin në orët e vona të natës me çka pengohej jeta normale e qytetarëve nga zhurma që krijohej.

Për deri sa kompania Bektel Enka nuk do ti riparojë të gjitha dëmet e shkaktuara në pronat publike komunale dhe ato private të pa shpronësuara, komuna e Hanit te Elezit, nuk do të lejojë këtë kompani të shfrytëzoj pronën publike komunale.