Dyfishohet numri i të punësuarve me kontrata të veçanta

Ekonomia October 11, 2018 - 08:31
Detajet
Image

Gjatë vitit që lamë pas numri i të punësuarve me kontrata të veçanta nëpër institucionet qendrore dhe nëpër institucionet lokale është dyfishuar në raport me vitin paraprak. Sipas të dhënave zyrtare, me kontrata të veçanta gjatë vitit 2017 kanë qenë të punësuar 2.929 punëtorë, derisa gjatë vitit 2016 në këtë formë ishin të punësuar 1376. Përfaqësues të OJQ-ve thonë se punësimi i militantëve partiakë në këtë formë nuk është një fenomen, por dukuri e një kohe të gjatë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Numri i të punësuarve me kontrata të veçanta nëpër institucionet qendrore dhe nëpër ato lokalet gjatë vitit që lamë pas është dyfishuar në raport me vitin paraprak. Derisa në vitin 2016 numri të punësuarve me kontratë mbi vepër në institucione të nivelit lokal dhe qendror ka qenë 1 mijë e 376 ky numër në vitin 2017 ka shënuar rritje deri në 2 mijë e 929 të punësuar. Vetëm në institucionet e nivelit qendror vitin e kaluar janë punësuar 1 mijë e 886 persona me kontratë për shërbime të veçanta. Thuajse nuk ka institucion në Kosovë që nuk ka angazhuar punonjës në emër të kontratave të tilla. Numri më i madh i tyre figuron të jetë në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT), ku kanë qenë të punësuar 366 persona, në Ministrinë e Bujqësisë (MBPZHR) 102 persona e në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) 83 persona. Më mirë nuk qëndrojnë as institucionet tjera. Në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit (MKRS) janë punësuar  63 persona, në Ministrinë e Financave (MF) 59 persona, në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH) 54 persona, në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale (MMPS) 26 persona, në Ministrinë e Administrimit Publik (MAP) 23 persona, në Shërbimin Spitalor Universitar të Kosovës (SHSKUK) 23 persona, në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë (MTI) 19 persona, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) 13 persona, në Ministrinë e Drejtësisë (MD) 9 persona e në Ministrinë e Shëndetësisë 7 persona. Derisa në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) kanë qenë të punësuar vetëm 5 persona.

Komunat mbushen me të punësuar me kontratë mbi vepër

Institucionet qendrore nuk janë të vetmet të cilat kanë të punësuar numër marramendës të punonjësve me kontratë mbi vepër. Sikur ta janë të punësuar edhe qindra mija të tjerë në nivelin lokal.

Komuna e cila u prin këtyre punësimeve është Prishtina me gjithsej 157 të punësuar me kontratë mbi vepër, Ferizaj 125 të punësuar, Gjilani 107 të punësuar, Komuna e Prizrenit 66 të punësuar, Fushë Kosova 61 të punësuar, Malisheva 53 të punësuar, Gjakova 54 të punësuar dhe Mitrovica 39 të punësuar.

Gjithsej numri i të punësuarve që thirren në emër të kësaj kontrate në vitin 2017 ka arritur në 1 mijë e 43 persona, ndërsa në vitin paraprak 763 persona. Totali i të punësuarve në institucionet publike qoftë lokale e qendrore ka arritur në 2 mijë e 929, ndërsa vitin 2016 ka qenë 1 mijë e 376.

Për këto punësime njohësit e fushës së sundimit ligjor kanë drejtuar një varg kritikash për institucionet.

Riza Smaka, njohës i ligjeve në Kosovë, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar rrugët e një punësimi të mirëfilltë ligjor. “Është punësim i karakterit politik dhe për aq kundërjuridik sepse punësimi do të duhej të bëhej me konfirmimet, me sistematizimin e vendeve të punës dhe në nevojën kur zbrazet vendi i punës për pensionim do të duhej të shpallej konkursi e në konkurs t’i jepet mundësi e barabartë të gjithë të interesuarve dhe të interesuarave. Ky është parimi themelor i Kushtetutës dhe në Ligjin e Punës është kësisoj”, është shprehur Smaka.

Tutje ai e ka quajtur dukuri negative faktin që institucionet përkatëse nuk po e luftojnë këtë dukuri. “Punësimi për vepër është i karakterit teknik, respektiv dhe përjashtimor. Është dukuri negative që do të duhej të merreshin me të institucionet përkatëse Inspektorati, Qeveria nga aspekti administrativ, ndërsa gjykatat nga aspekti gjyqësor do të duhej të ishin proaktive dhe t’i luftojnë këto dukuri. Shumë keq që nuk reagojnë institucionet, të cilat janë për këto punë”, ka përfunduar Smaka.

Keqpërdorimi i parasë publike

Me punësime të tilla përfaqësuesit e shoqërisë civile po thonë se po keqpërdoret edhe paraja publike. Fidan Kalaja, nga qendra kosovare kundërkorrupsion “Kund16”, ka thënë për gazetën “Zëri” se punësimi i militantëve në institucionet publike dhe në ato qendrore duke keqpërdorur bazën ligjore nuk është një fenomen, por dukuri e një kohe të gjatë. Në fillim baza ligjore kur është parashikuar kontrata mbi vepër ose punësimi mbi kontratën mbi vepër është parashikuar që të jetë bazë ligjore në fusha ku institucionet kanë nevojë për ekspertiza shtesë, ekspertë të fushave të caktuara, ku institucionet kanë mungesë. Në praktikë kjo nuk ka ndodhur, shumica e të punësuarve që janë nën bazën e kontratës mbi vepër mbi 90 për qind janë militantë të partive politike, të cilët udhëheqin me institucionet e nivelit lokal dhe qendror”, ka sqaruar Kalaja.

Ai ka treguar edhe formën ligjore të punësimit, me kohëzgjatje prej vetëm 6 muajsh. “Këtu  është keqpërdorur dhe është shkelur ligji. Sepse me ligj parashihet që të punësuarit me kontratë mbi vepër nuk mund t’ia zgjasin periudhën e punësimit më shumë se 6 muaj, ndërsa kemi raste në bazë të gjetjeve të Auditorit se ka zyrtarë të punësuar me kontratë mbi shërbime deri në 6 vjet e më shumë. Kjo është dukuri e keqpërdorimit që janë duke e realizuar institucionet”, ka shpjeguar në mes tjerash.

Për formën e keqpërdorimit ka folur edhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj. Për gazetën “Zëri” Demhasaj ka sqaruar edhe thirrjet për punësime të tilla, duke specifikuar saktë edhe pozitat për çka bëhet fjalë. “Thirrjet për punësime të tilla nuk janë pozita të rregullta, por janë pozita për shërbime të caktuara që ligji ia lejon për 6 muaj. Esenca është të mos keqpërdoret kjo që t’i zgjatet më shumë punësim e që është e jashtëligjshme dhe ka ndodhur në masë të madhe në të kaluarën”, ka deklaruar Demhasaj.

Më tej ai ka treguar edhe për mundësitë e keqpërdorimeve që kanë vazhduar për kohë të gjatë në institucione. “Në praktikë është filluar me një marrëveshje 6-mujore, pastaj është vazhduar edhe me muaj të tjerë, por ka qenë e kundërligjshme për shkak se ligji i lejon vetëm 6 muaj angazhimet e tilla me marrëveshje të veçanta. Punësimet e përkohshme janë vetëm për punë specifike që nuk ka nevojë të hapet konkurs e të pranohen njerëz me afat të gjatë për shkak se nuk janë pozita të tilla, por ka ndodhur që janë keqpërdorur, që janë punësuar edhe militantë partiakë përmes kësaj metode”, është shprehur drejtori i organizatës “Çohu”.

Kontratat mbi vepër, mekanizëm i lehtë për keqpërdorime

Kontratat mbi vepër janë bërë mekanizma të lehtë për keqpërdorim nga udhëheqësit institucionalë për t’i përmbushur premtimet zgjedhore e për të punësuar mbështetës ose familjarë. Kështu ka deklaruar menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi. “Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit vazhdimisht theksojnë çështjen e keqpërdorimit të kontratave mbi vepër, ku përveçse këto kontrata lëshohen për pozita të rregullta, jo për ekspertizë të jashtme, afatet ligjore të tyre shkelen. Këto raporte tregojnë edhe raste kur punëtorët kanë punuar mbi 11 vjet me kontrata mbi vepër, edhe pse limiti ligjor është 6 muaj”, ka theksuar ajo. Sipas saj, këto kontrata janë duke u përdorur qëllimisht për punësim favorizues, deri në krijimin e mundësisë për punësim të rregullt të këtyre personave në institucionet përkatëse. Një punësim i tillë thotë ajo dobëson edhe konkurrencën e mirëfilltë në plasimin e kuadrove profesionale.“Përveç nepotizmit dhe dëmtimit të tregut të punës, rritja e pakontrollueshme e administratës publike ndikon në zvogëlimin e produktivitetit në një ekonomi që është rialokimi i burimeve nga sektori privat në sektorin publik. Rrjedhimisht, Qeveria duhet të fokusohet në stimulimin e sektorit privat dhe në zvogëlimin e barrës administrative në buxhetin shtetëror”, ka përfunduar ajo.

Për keqpërdorimet në aspektin e punësimit ka reaguar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me evidentimet e shumta që ka bërë nëpër institucionet e Kosovës.