90,9 % e depozitueseve kanë në banka deri në 5000 euro

Ekonomia October 10, 2018 - 17:13
DETAJET

Mbi 3 miliardë euro ka arritur shuma e përgjithshme e depozitave në sistemin bankar të Kosovës, përderisa më shumë se 90 për qind e depozituesve i kanë të mbuluara plotësisht mjetet e tyre. Kjo për faktin se, sipas legjislacionit në fuqi, limiti i sigurimit të depozitave është 5000 euro, me ç’rast 90.9 për qind e depozitave në sektorin bankar janë deri në këtë shumë (5000 euro), përderisa vetëm 9,1 për qind e depozituesve kanë më shumë se 5000 euro.
Kështu thotë Violeta Arifi- Krasniqi, drejtoreshë menaxhuese e Fondit për Sigurimin e Depozitave në Kosovë(FSDK-së), duke shtuar se mandat kryesor i institucionit që e drejton është sigurimi i depozitave të personave fizik dhe juridik në bankat anëtare dhe kompensimi i depozitorëve të siguruar deri në limitin e sigurimit prej 5,000 eurosh brenda tridhjetë (30) ditëve, në rast revokimit të licencës nga BQK, sipas kritereve dhe limiteve të përcaktuara në Ligjin për Sigurimin e Depozitave (LSD).
Znj. Krasniqi depozitat e kosovarëve në bankat komerciale të vendit kanë arritur shumën e përgjithshme prej mbi 3 miliardë euro, mjete këto gati sa dyfishi i buxhetit të përgjithshëm të Kosovës. Sa janë të sigurta depozitat e kosovarëve në bankat komerciale?

Arifi-Krasniqi: Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK) është themeluar me Ligjin për Sigurimin e Depozitave “LSD” për ta administruar Sistemin e Sigurimit të Depozitave “SSD” në Kosovë.  Sistemet e sigurimit të depozitave janë një nga katër shtyllat e rrjetit të sigurisë financiare si: Rregullativës prudenciale dhe mbikëqyrjes efektive, kreditorit të instancës së fundit dhe  mekanizmave efektive të zgjidhjes së bankave.  Sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë është themeluar për të përmbushur dy qëllime të Politikës Publike: Mbrojtjen e depozitorëve të vegjël nga humbja në rast të revokimit të licencës të ndonjë banke dhe mbështetjen e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në arritjen e qëllimit të saj për rritjen e sigurisë, solvencës dhe funksionimit efikas të një sistemi stabil, të bazuar në ekonominë e tregut.  Pra, FSDK nuk ka mandat ligjor për vlerësimin e riskut të depozitave në bankat komerciale, por punon për të siguruar gatishmëri operacionale dhe financiare për të përmbushur objektivat e lartcekura të Politikës Publike.  Mandat kryesor i FSDK-së është sigurimi i depozitave të personave fizik dhe juridik në bankat anëtare dhe kompensimi i depozitorëve të siguruar deri në limitin e sigurimit prej 5,000 eurosh brenda tridhjetë (30) ditëve në rast revokimit të licencës nga BQK, sipas kritereve dhe limiteve të përcaktuara në LSD. Në shtesë, FSDK ka mandat të caktimit dhe arkëtimit të premive të sigurimit; Investimit të Fondit për sigurim të depozitave “FSD”; bashkëpunimin me Bankën Qendrore të Kosovës për shkëmbim të informacionit; pjesëmarrjen me fonde, në bashkëpunim me BQK në zgjidhje të ndonjë banke anëtare në rast të transferimit të detyrimeve të siguruara; huamarrjen në rast të pamjaftueshmërisë së fondeve; dhe miratimin e legjislacionit sekondar dhe sanksioneve administrative. 

Sigurimi i depozitave deri në 5000 euro

Sipas legjislacionit në fuqi, deri në çfarë vlere financiare garantohen depozitat nga shteti dhe a ka ndonjë iniciativë të re për rritjen e vlerës së garantimit të depozitave?

Arifi-Krasniqi: FSDK siguron çdo person fizik dhe juridik që ka të deponuara para në bankat anëtare deri në limitin e sigurimit prej 5,000 euro. Sigurimi vlen në nivel të depozitorit për çdo bankë anëtare të FSDK-së. Anëtarësia në FSDK është automatike me rastin e licencimit nga BQK dhe e detyrueshme në përputhje me ligjin. Një degë e bankës së huaj e licencuar për të pranuar depozita në Kosovë, është e obliguar që të bëhet anëtare e FSDK-së vetëm nëse vendi amë ofron sigurim të depozitave dhe atë me mbulesë më të ulët sesa e përshkruar në ligj.  Anëtarësia e FSDK-së numëron nëntë banka të licencuara nga BQK për të pranuar depozita në Kosovë. FSDK në përmbushje të planit strategjik 2018-2022, gjegjësisht qëllimit të tretë “Avancimi i legjislacionit sekondar në kornizë gjithëpërfshirëse i mbështetur me udhëzime dhe procedurë dhe harton rekomandimet për plotësim/ndryshimet të Ligjit për Sigurimin e Depozitave në bazë të përvojës operacionale”  do të shqyrton të gjitha aspektet për të siguruar efektivitet të Sistemit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë, përfshirë analizën e përshtatshmërisë së limitit të sigurimit në mbështetje të stabilitetit financiar.  

Nëse bëjmë krahasime me vendet e rajonit, sa është shuma maksimale e depozitave që garantohen në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe si qëndron Kosova në raport me këto vende?
Arifi-Krasniqi:
Kosova në raport me vendet e rajonit ka limitin më të ulët të sigurimit të depozitave. Mirëpo, vlerësimi nëse limiti i sigurimit të depozitave është adekuat varet nga përqindja e depozitoreve plotësisht të mbuluar që në Kosovë është 90.09%, që do të thotë që rreth 90% e depozitorëve të siguruar kanë depozita deri në limitin e sigurimit (sipas të dhënave më 31 dhjetor 2017). Një mbulueshmëri e tillë është në pajtim me Parimin Themelor të IADI-it, Parimi Themelor numer 8: Mbulueshmëria, i cili thekson se për një Sistem efektiv të sigurimit të depozitave, ai duhet të siguroj një numer të madh të depozitorëve, ndërsa shumë më të vogël të depozitave për të ruajtur disiplinën e tregut. 

A ka pasur ndonjë rast gjatë viteve të fundit kur janë rrezikuar depozitat në bankat komerciale të Kosovës?

Arifi-Krasniqi: FSDK nuk ka mandat ligjor për vlerësimin e riskut të depozitave në bankat komerciale, por ka mandat të sigurimit të depozitave dhe kompensimit të tyre deri në limitin e sigurimit prej 5,000 euro, brenda tridhjetë (30) ditëve në rast revokimit të licencës nga BQK, sipas kritereve dhe limiteve të përcaktuara në ligj.
724.2 milionë euro depozita të euro depozita të siguruara 
Nga shuma e përgjithshme e depozitave në sistemin bankar, sa për qind e këtyre depozitave janë të garantuara sipas ligjeve në fuqi?

Arifi-Krasniqi: Sigurimi i depozitave në sistemin bankar në Kosovë bëhet në pajtim me Ligjin mbi Sigurimin e Depozitave. Nga shuma e përgjithshme prej 3.03 miliardë euro e depozitave të bankave anëtarëve të FSDK-se, shuma prej 724.2 milionë euro janë të siguruara ose 23.9%. 


Sa përqind janë depozitues të vegjël, mjetet e cilëve janë të garantuara me Ligj, sa për qind janë depozitues të mëdhenj dhe çfarë sigurie kanë këta të fundit?

Arifi-Krasniqi: Ngjashëm me trendët e viteve të kaluara, raportojmë rritjen e vazhdueshme të totalit të depozitave dhe atyre të siguruara. Kështu më 30 qershor 2018, totali i depozitave arriti në 3 miliardë euro, ndërsa totali i depozitave të siguruara deri në limitin e sigurimit prej 5,000 euro ishte 724 milionë euro, ose 23.9% të gjithsej depozitave në bankat anëtare. Gjithsej numri i depozituesve të siguruar, pra personave fizik dhe juridik është 927,322 apo 98.58% të numrit të përgjithshëm të depozituesve të bankave anëtare. Numri i depozituesve të cilët janë të mbuluar plotësisht deri në limitin e sigurimit të depozitave ishte 90.09%, që do të thotë se 843,075 e depozituesve të siguruar kanë depozita deri në euro 5,000. Përderisa 84,247 depozituesve të siguruar apo 9.1%, kanë depozita më shumë se 5,000 euro.

Në mesin e depozituesve në bankat komerciale të Kosovës a ka edhe depozitues të huaj dhe sa është vlera e përgjithshme e depozitave e këtyre të fundit?

Arifi-Krasniqi: FSDK nuk ka në posedim informacionin e kërkuar, pasi që depozitat, në baza tre-mujore, raportohen në nivel të agreguar për indikatorët në vijim: 1. numri i depozitorëve, 2. Numri i llogarive depozituese, dhe 3. Shuma e depozitave (në valutën euro dhe jo-euro).    


A është siguria e depozitave dhe normat e favorshme të interesit në depozita që depozituesit e huaj i kanë sjellë paratë e tyre në Kosovë?

Arifi-Krasniqi: FSDK nuk ka mandat ligjor për vlerësimin e riskut të depozitave në bankat komerciale, por ka mandat të sigurimit të depozitave dhe kompensimit të tyre deri në limitin e sigurimit prej €5,000, brenda tridhjetë (30) ditëve në rast revokimit të licencës nga BQK, sipas kritereve dhe limiteve të përcaktuara në ligj.
 

Cilat kanë qenë aktivitetet kryesore të institucionit që e drejtoni gjatë viteve të fundit dhe cilat janë synimet për t’i arritur në një të ardhme të afërt?


Arifi-Krasniqi: Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë është themeluar në vitin 2011 sipas LSD për të administruar sistemin e sigurimit të depozitave në Kosovë, projekt zhvillimor, i inicuar nga BQK me mbështetje të plotë nga Qeveria Gjermane (përmes KfË-së). Fillimisht është përkrahur hartimi i Ligjit për Sigurimin e Depozitave ndërsa mbështetja për themelimin e SSD u formalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes trepalëshe të Financimit dhe Projektit në mes të Qeverisë së Kosovës (përmes MF), Qeverisë Gjermane (përmes KfË-së) dhe FSDK-së (si Agjenci për Ekzekutimin e Projektit) në vitin 2012. Marrëveshja e nënshkruar ka paraparë mbështetjen për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave në Kosovë përmes një kontributi në kapital si donacion për FSD-në në shumë totale prej 15.5 milionë euro, ku 11 milionë euro janë dhënë nga Qeveria e Kosovës (përmes Ministrisë së Financave), ndërsa Qeveria Gjermane (nëpërmjet KfË) ka siguruar 4.5 milionë euro kontribut në kapital, dhe 0.5 milionë euro në shërbime këshillimore. Si rezultat i suksesit të projektit fillestar, është nënshkruar Marrëveshja e dytë e Financimit dhe Projektit, në vitin 2013, me donacion në vlerë prej 2 milionë euro e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës (përmes MF), Qeveria Gjermane (përmes KfË) dhe FSDK, për mbështetjen e rritjes së limitit të sigurimit nëpër faza: 3,000 euro (01.01.2014), 4,000 euro (01.01.2016) dhe 5,000 euro (01.01.2018). Prandaj, një nga aktivitetet kryesore të FSDK-se që nga themelimi ishte implementimi i projekteve dhe i kushteve të disbursimit të donacionit dhe kushteve përmbyllëse të projektit. 
Aktivitetet tjera kryesore të viteve të fundit ishin:Nënshkrimi i dy marrëveshje për kredi me BERZH për linjat kreditore në “pritje” në shumat 10 milionë euro dhe deri në 24 milionë euro për të siguruar gatishmëri financiare – me garancion nga Ministria e Financave (në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës), nënshkrimi i marrëveshjes së grantit me BERZH-in për zhvillimin dhe zbatimin e Sistemit për kompensimin e depozituesve në vlerë prej 255,523.34  euro  për të siguruar gadishmëri operacionale, nënshkrimi i Memorandumeve të Mirëkuptimit me BQK-në për shkëmbim të informacionit dhe investime, plotësimi i rekomandimeve të FSAP-it. Nënshkrimi i Memorandumeve të Mirëkuptimit me Fondin e Kursimeve për Sigurimin e Depozitave të Turqisë (SDIF), Agjencinë për Sigurimin e Depozitave të Shqipërisë, Korporatën Federale për Sigurimin e Depozitave (FDIC), Agjencinë Esisuise të Zvicrës, përmbushjen e një varg i aktiviteteve për vetëdijesimin e publikut për përfitimet dhe kufizimet e sistemit të sigurimit të depozitave, u ndërmor vlerësimi i SSD-së së Kosovës me Parime Themelore të IADI-it për sisteme efektive të sigurimit të depozitave, etj. 
Ndërsa për zhvillim institucional, FSDK e ka hartuar planin strategjik pesëvjeçar për periudhen 2018-2022, me temë “Të gatshëm për 7 ditë kompensim në shërbim të depozitorëve dhe stabilitetit financiar” i qasshëm në http://ëëë.fsdk.org/fsdk-2/plani-strategjik, ku ka definuar katër qëllime strategjike, si në vijim:  Arritja e gadishmërisë operacionale dhe financiare për kompenzim brenda 7 ditëve, arritje e vetëdijesimit të lartë të publikut për sigurim të depozitave dhe përmbushje të standardeve nga Direktiva Evropiane për Garantimin e Depozitave dhe Parimet Themelore të IADI-it, avancimi i legjislacionit sekondar në kornizë gjithëpërfshirëse i mbështetur me udhëzime dhe procedurë dhe harton rekomandimet për plotësim/ndryshimet të Ligjit për Sigurimin e Depozitave në bazë të përvojës operacionale, modernizimi i infrastrukturës fizike dhe teknologjike të FSDK për të siguruar veprimtari efektive dhe produktive.   

- 724,000,000 € është shumë e përgjithshme e depozitave të siguruara në sistemin bankat të  Kosovës

- 9,1 % e depozitueseve në banka kanë mbi 5000 euro

- 90,9 % e depozitueseve kanë në banka deri në 5000 euro

- 843,075 depozitues i kanë deri në 5000 euro mjete në banka komerciale 

- 84,247 depozitues kanë më shumë se 5000 euro në bankat komerciale 

- 5000 euro është përcaktuar me Ligj limiti i sigurimit të depozitave  në Kosovë