Ekonomia

Mbahet takimi për themelimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm

Mbahet takimi për themelimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm
10 tetor 2018 • 16 : 03

DETAJET

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është mbajtur sot takimi për themelimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, në të cilin të pranishëm ishin kryetarë të komisioneve parlamentare dhe deputetë, përfaqësues nga Kabineti i kryetarit, Sekretari i Kuvendit, udhëheqës të Agjencive Zhvillimore të Kombeve të Bashkuara në Kosove, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agjencia e Statistikave, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare, transmeton “Zeri.info”.

Hapjen e takimit e bëri kryetarja e këtij këshilli, Besa Baftiu, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, e cila falënderoi të pranishmit për mbështetjen e tyre ndaj kësaj nisme.

Kryetarja Baftiu tha se qëllimi kryesor i Këshillit është të bashkojë parlamentarët dhe përfaqësuesit e tjerë institucionalë, organizatat ndërkombëtare dhe institutet - organizatat e shoqërisë civile, për t'u koordinuar në një aksion të përbashkët për arritjen e 17 objektivave zhvillimore, të njohura si Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZhQ-të) apo Agjenda 2030.

LEXO EDHE: Gjoba të ashpra për bizneset pa kushte të sigurisë

Në vazhdim fjalim mbajti edhe Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e KB-ve dhe Përfaqësuese Rezidente e UNDP-së në Kosovë, e cila shprehu gatishmërinë për bashkëpunim rreth këtyre objektivave.

Me hapjen e diskutimit pati hapësirë për të pranishmit që të shprehin qëndrimet e tyre lidhur me këtë strukturë parlamentare. Me këtë rast u theksua mbështetja absolute për Aktin Themelues të Këshillit, i cili do të funksionojë si një mekanizëm ndër-institucional në kuadër të Kuvendit, dhe do të jetë në shërbim të koordinimit sa më të mirë të proceseve drejt arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Pas përfundimit të takimit, u bë inaugurimi i instalacionit të OZhQ-ve në oborrin e Kuvendit, nga Ulrika Richardson dhe Besa Baftiu.

Kryetarja Baftiu tha se ky instalacion parashihet të qëndrojë në oborr të Kuvendit deri ne vitin 2030, pikërisht deri atëherë kur parashihet edhe të përfundojë misioni i këtij Këshilli.ë /ZERI

© zëri.info