Rritet importi i mishit nga Belgjika

Ekonomia October 10, 2018 - 08:11
Detajet
Image

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës thuhet se që nga janari i këtij viti e deri më tash sasia e mishit të importuar kap sasinë e 32 milionë e 905 mijë e 480 kilogramëve. Në bazë të tabelës së ofruar me statistika nga ky institucion, vetëm gjatë këtyre muajve vlera e mishit të importuar ka arritur në 47 milionë e 202 mijë e 129 euro. Sasia e mishit të importuar nga Belgjika vetëm ka shënuar rritje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Importi i mishit nga Belgjika, por edhe nga shtetet tjera të botës vazhdon të rritet nga dita në ditë, pavarësisht skandalit që ndodhi para pak muajsh kur një sasi e konsiderueshme e mishit të importuar nga Belgjika ishte me afat të skaduar. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës thuhet se që nga janari i këtij viti e deri më tash sasia e mishit të importuar kap sasinë e 32 milionë e 905 mijë e 480 kilogramëve. Në bazë të tabelës së ofruar me statistika nga ky institucion, vetëm gjatë këtyre muajve vlera e mishit të importuar ka arritur në 47 milionë e 202 mijë e 129 euro.

Prej këtij numri Dogana ka arkëtuar 3 milionë e 775 mijë e 201 euro, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), 8 milionë e 441 mijë e 628 euro, ndërsa taksat në total kanë arritur vlerën e 12 milionë e 216 mijë e 830 eurove. Madje sasia e mishit të importuar nga Belgjika vetëm ka shënuar rritje. Derisa vitin e kaluar thuhet se nga ky vend janë importuar rreth 200 mijë kilogramë të llojeve të ndryshme të mishit, këtë vit nga po i njëjti vend janë importuar 340 mijë kilogramë mish. Kosova vitin që lamë pas ka importuar jo më pak se 40 milionë kilogramë mish nga vendet perëndimore. Kjo shifër deri më tani ka arritur gati 33 milionë, por nuk dihet nëse do të kalojë vlerën e importit të vitit të kaluar meqenëse janë edhe dy muaj të plotë deri në përfundim të vitit. Llojet e mishit, të cilat importohen janë nga më të ndryshmet. Duke iu referuar gjithmonë shifrave zyrtare të Doganës, në Kosovë hyn mish gjedhi i freskët, mish derri shtëpiak i freskët, pjesë tjera pa kocka, gjuhë prej gjedheve të ngrira, të tjera të brendshme të ngrënshme të gjedheve të ngrira, kofsha pule dhe prerje prej tyre të freskëta ose të ftohura.

Sasinë më të madhe të mishit Kosova e importon nga Brazili. Mbi 10 milionë kilogramë janë importuar nga ky vend vetëm gjatë 9 muajve të parë të vitit, nga Shqipëria 878 mijë kilogramë, nga Hungaria rreth 700 mijë kilogramë, nga Shqipëria 878 mijë kilogramë, nga Argjentina 51 mijë, si dhe nga Belgjika 340 mijë kilogramë.

Nuk mungon importi as nga vendet tjera, si: Serbia, Greqia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Ukraina, Sllovenia, Polonia, Holanda e Paraguai.

AVUK: 116 mijë kilogramë produkte të asgjësuara

Përveç importit të madh të produkteve të mishit, nga vendet e huaja as numri i asgjësimit të produkteve shtazore nuk del të jetë i vogël.

Zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë së Kosovës (AVUK), Lamir Thaçi, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka treguar se deri më tani janë asgjësuar 116 mijë e 284 kilogramë, derisa vitin e kaluar janë asgjësuar plot 251 mijë e 347 kilogramë produkte. “Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë gjatë vitit 2017 ka asgjësuar 251,347 kg produkte me origjinë shtazore, ndërsa gjatë këtij viti deri më tani janë asgjësuar 116,284 kg produkte me origjinë shtazore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të institucionit në fjalë.

Gazeta “Zëri” ka kërkuar edhe numrin e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e Shtetit për “Keqpërdorimet me produkte ushqimore”, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren kanë premtuar se brenda javës do të kthejnë një përgjigje, meqenëse numri më i madh i raportimeve me skandale ushqimore ishte në Prizren. “Ju njoftoj se pyetjet tuaja për keqpërdorimet e kompanive me produkte ushqimore i kemi pranuar. Lidhur me çështjen në fjalë brenda javës do të keni një përgjigje zyrtare nga Prokuroria Themelore në Prizren”, kanë thënë zyrtarët për informim në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Raportimi i fundit i skandalit me kompaninë belge “Veviba”, e cila kishte manipuluar me qëndrueshmërinë e etiketave dhe me përmbajtjen e mishit kishte ngjallur reagimet e autoriteteve belge për sanksionim të kompanisë, mirëpo në Kosovë nuk u panë të tilla iniciativa. Mishi, i cili u eksportua nga mishtorja “Veviba” për në Kosovë, thuhet të ketë qenë me afat të skaduar prej 12 vjetësh, ndërsa ka arritur në Kosovë më 19 shtator të 2016-s. Skandali i mishit të prishur në Belgjikë u zbulua para 7 muajsh nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC), i cili dyshohet se preku edhe Kosovën. Kjo Agjenci kishte zbuluar se firma “Veviba” kishte bërë shitjen e sasive të mëdha të prishura në disa vende të Evropës Juglindore, por edhe në Kosovë.

Kaçaniku: Institucionet nuk po u japin përgjegjësi konsumatorëve

Institucionet përkatëse për sigurinë në ushqim i kanë kritikuar monitoruesit që në vazhdimësi përcjellin sigurinë e konsumimit të produkteve nga qytetarët.

Kryetari  i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për gazetën “Zëri” e ka cilësuar si problem kryesor faktin se institucionet shtetërore nuk po e përmbushin obligimin e tyre ligjor karshi qytetarëve. “Ne i kemi dy probleme më të mëdha që rastet si mishi i Belgjikës dhe tjerat të jenë pasojë. Problemi më madhor është që institucionet shtetërore dhe mekanizmat e shtetit akoma nuk po e përmbushin obligimin juridiko-kushtetuese ligjor që qytetarin taksapagues ta informojnë, ta çmojnë dhe ta vetëdijesojnë”, ka deklaruar Kaçaniku.

Në këtë mes ai ka përfshirë Doganën dhe institucionet tjera vartëse, të cilat i ka kritikuar për një qasje të mbyllur karshi taksapaguesve. “As Dogana e asnjë institucion tjetër nuk komunikon me ne as si qytetarë taksapagues dhe as në organizatën ‘Konsumatori’. Jemi të skllavëruar, sepse nga ne e marrin votën dhe nga ne e marrin taksën, e mbushin buxhetin dhe nga konsumi i buxhetit nuk na raportojnë asgjë”, ka shtuar në mes tjerash kryetari i organizatës “Konsumatori”.

Kaçaniku nuk ka lënë pa përmendur edhe rastin e kompanisë belge dhe të tjera në këtë drejtim sa i përket sigurisë në ushqim.