Barna ilegale nga Serbia vazhdojnë të shiten në Kosovë

Ekonomia October 10, 2018 - 08:12
DETAJET
Image

Në Kosovë vazhdojnë të qarkullojnë ilegalisht barna nga Serbia, të cilat konsiderohet se janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Vetëm këtë vit oficerët doganorë kanë hasur në mijëra pako të barnave, që është tentuar të kontrabandohen nga shtete të ndryshme për në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Barna me vlerë mbi 15 mijë euro janë gjetur të kontrabanduara të hënën gjatë kontrolleve doganore në Han të Elezit. Sipas një komunikate të Doganës së Kosovës, gjatë këtij kontrolli ata kanë hasur në mbi pesë mijë pako të barnave.

“Oficerët doganorë gjatë ekzaminimit të një dërgese parciale, e cila kishte destinacion tregun e Kosovës, kanë hasur në këtë sasi të madhe të medikamenteve, respektivisht 5.146 pako të llojeve të ndryshme të barnave, të cilat nuk kanë qenë të deklaruara”, thuhej në komunikatën e Doganës së Kosovës. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë kur gjatë këtij viti është tentuar kontrabandimi i barnave.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti ka pasur edhe raste të tjera kur është tentuar kontrabandimi i barnave në Kosovë. Sipas tij, zakonisht këto barna janë nga Serbia. “Dogana ka raste të zbulimit të barnave gjatë kontrabandimit, edhe pse pjesa më e madhe e barnave janë të liruara nga tatimet, por tentohet t’i iket licencimit të tyre. Kemi pasur disa raste gjatë këtij viti, por ky deri tani ka qenë më i madhi. Kryesisht ato janë nga vendet e rajonit, por dominojnë nga Serbia”, ka thënë ai.

Stavileci ka treguar edhe për masat të cilat ata i marrin në rastet që tentohet kontrabandimi i barnave. “Pas konfiskimit Dogana u jep trajtim ligjor atyre mallrave, por gjithashtu e ftojmë edhe Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM), pasi që janë kompetentë në fushën e barnave. Kompetencat e Doganës shtrihen në kufi, pasi që tregu i brendshëm rregullohet nga inspektorët”, ka shtuar ai. Megjithatë, ndonëse oficerët doganorë gjatë këtij viti kanë hasur në barna që është tentuar të futen në mënyrë ilegale në Kosovë, ka ende persona të cilët në rrugë të tjera ilegale sjellin barna në Kosovë e që pastaj shiten në barnatore të ndryshme.

Për më shumë, gjatë këtij viti një pacient i ka treguar gazetës se vetë stafi mjekësor i ka shkruar një bar, i cili ka qenë ilegal në vend.

Mbi 100 biznese ndëshkohen për shitje të barnave ilegale

Zyrtarë në Inspektoratin Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë në një prononcim për gazetën “Zëri” kanë treguar se mbi 100 depo farmaceutike dhe barnatore janë ndëshkuar këtë vit. Sipas tyre, gjatë këtij viti janë gjetur dhe janë ndëshkuar edhe 9 subjekte ilegale, të cilat kanë ofruar shërbime farmaceutike pa licencë të veprimtarisë pranë AKPPM-së.

“Gjatë periudhës janar-shtator 2018 Inspektorati Farmaceutik ka kryer mbi 400 inspektime dhe janë ndëshkuar 112 subjekte (depo farmaceutike dhe barnatore). Nga 112 ndëshkime 29 ndëshkime janë shqiptuar për qarkullues me pakicë për produkte dhe pajisje medicinale (barnatore), të cilat kanë poseduar barna pa banderolë, me banderolë të Serbisë, të Maqedonisë, të Shqipërisë etj.”, kanë thënë ata.                                                       

Sipas zyrtarëve për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, barnat pa banderola janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. “Sa i përket rrezikshmërisë së barnave pa banderola ose të barnave ilegale, ato paraqesin rrezik për shëndetin e popullatës, sepse nuk u nënshtrohen kritereve të licencimit të produkteve të parapara me legjislacionin në fuqi dhe këto barna zakonisht futen në tregun e Kosovës në mënyrë legale, ku nuk dihet forma e transportit dhe e ruajtjes së tyre deri në destinacion”, kanë thënë ata. Sipas tyre, MSH-ja është e angazhuar që ta luftojë këtë dukuri dhe siç kanë thënë ata, kjo shihet edhe nga inspektimet dhe gjobat e shqiptuara gjatë këtij viti.

Asllani: Barnat pa banderola nuk duhet t’u shiten pacientëve

Derisa ka qytetarë të cilët blejnë barna pa banderola ose me banderola të Serbisë, të cilat janë të ndaluara për shitje, drejtorë të spitaleve e mohojnë se ato barna u rekomandohen pacientëve nga vetë stafi mjekësor. Për më shumë, ata e kundërshtojnë përdorimin e këtyre barnave.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për gazetën se barnat pa banderola nuk duhet t’u shiten pacientëve. Sipas tij, barnatoret private duhet të kontrollohen nëse mbajnë barna pa banderola. “Konsideroj se barnat pa banderola janë të palicencuara dhe nuk është mirë as të shiten, duhet të kihet kujdes. Zakonisht duhet të ketë qasje nga Agjencia e Barnave dhe Ministria e Shëndetësisë, ata duhet t’i kontrollojnë edhe barnatoret private a kanë barna pa banderola. Nëse një bar është pa banderolë nuk duhet t’u jepet pacientëve”, ka thënë ai.                                                                                    

Asllani ka treguar për “Zërin” se në këtë spital është edhe këndi i ankesave, të cilat siç ka thënë ai i trajtojnë çdo ditë, por që sipas tij deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë se pacientëve u janë shkruar barna pa banderola. “Nuk kemi pasur ndonjë ankesë se mjekët shkruajnë barna pa banderola. Zakonisht mjekët në spital i shkruajnë barnat, të cilat janë nga lista esenciale që i marrin në reparte, por edhe ato që i kemi si nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, sepse ne furnizohemi me kontratë vetëm me barnat nga lista esenciale, kurse barnat e tjera i blejnë pacientët vetë. Ato që i kanë blerë nuk kemi pasur asnjë ankesë deri sot se ka nënshkruar dikush nga mjekët e spitalit tonë barna pa banderola”, ka thënë ai.