Trafiku Urban s’ka para për ratat e kredisë

Ekonomia October 08, 2018 - 07:55
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Të hyrat që po realizon ndërmarrja Trafiku Urban në Prishtinë nga shitja e biletave nuk po mjaftojnë për pagesën e këstit të kredisë për blerjen e autobusëve të rinj. Përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje kanë thënë se me të hyrat që po realizojnë po mbulojnë shpenzimet operative, derisa Komuna sipas tyre po paguan këstet e kredisë. Për këtë të fundit nuk kanë folur përfaqësues të Komunës e përfaqësues nga opozita po thonë se Ndërmarrja po operon me humbje, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndërmarrja komunale Trafiku Urban në Prishtinë me paratë që po siguron nga shitja e biletave nuk po mund ta paguajë këstin e kredisë për blerjen e autobusëve të rinj.

LEXO EDHE: Rezolutat e përçarjes

Përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se me të hyrat që kanë po mbulojnë pjesën e pagave dhe të shpenzimeve të tjera, derisa sipas tyre këstet e kredisë po i paguan Komuna. Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës, por këta të fundit nuk janë përgjigjur as pas disa ditësh pritje.

Zëdhënësja e Komunës, Miranda Mullafazliu, përmes telefonit i ka thënë gazetës se fillimisht do t’i shohë pyetjet për t’u përgjigjur më pastaj, mirëpo ajo më pastaj nuk është përgjigjur fare.

Ndonëse Ministria e Financave (MF) është garantuese e kësaj kredie në këtë institucion e kanë larguar përgjegjësinë nga vetja.

Në përgjigjen me shkrim të Ministrisë thuhet se përgjigjet duhet të kërkohen nga Trafiku Urban, si dhe nga Komuna e Prishtinës.

“Ministria e Financave është vetëm garantuese e kësaj kredie, ju lutem që për më shumë të kërkoni përgjigje nga Trafiku Urban si kredimarrës direkt nga BERZH-i dhe në Komunën e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë.

Trafiku Urban: Kredia do të mbulohet me një kontratë tjetër

Në ndërmarrjen publike Trafiku Urban fillimisht nuk e kanë cilësuar të rëndësishme pyetjen nëse autobusët janë duke operuar me fitim në rrugët e kryeqytetit.                         

Drejtori i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar se autobusët operojnë me një operim rentabël, ndërsa vetë i mbulojnë shpenzimet operative.

“Nuk është kjo pyetje aq e rëndësishme. Autobusët e Trafikut Urban operojnë me një operim rentabël, ne i mbulojmë shpenzimet operative, që nënkupton pagat dhe të gjitha shpenzimet e tjera përcjellëse”, ka deklaruar Rexhepaj. Më tej ai ka sqaruar se kredia do të mbulohet me një kontratë tjetër të nënshkruar.

“Komuna e Prishtinës nuk e financon Ndërmarrjen Publike, ne vetëfinancohemi nga të hyrat që i kemi. Çështja e kredisë do të mbulohet me një kontratë tjetër, që kemi nënshkruar me Komunën e Prishtinës, kontratë me shërbime. Tani për tani pjesën e parë të kredisë e ka paguar Komuna e Prishtinës, këtë të dytën do ta paguajmë ne”, ka përfunduar më tutje ai.

Kredia totale për blerjen e autobusëve ka vlerë 10 milionë euro. Ajo karakterizohet me maturitet afatgjatë prej 12 vjetësh, ku 2 prej tyre janë me një grejs-periudhë, ndërsa 10 vjet të tjera amortizim i kredisë.