Fabrika e akumulatorëve ndërtohet në Zveçan

Ekonomia October 02, 2018 - 08:02
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, ka konfirmuar se fabrika për prodhimin e baterive dhe të akumulatorëve do të ndërtohet në Zveçan e jo në Leposaviq siç ishte thënë pas vizitës së Vuçiqit në veri dhe premtimeve të tij për investime në komunat veriore. Fabrika do të prodhojë 700 mijë bateri e akumulatorë në vit, do të punësohen 203 njerëz, ndërsa do të investohen 13.9 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Një tjetër investim i madh i Serbisë në veri të Kosovës vjen pas atij 25-milionëshit për vendbanimin “Lugina e Diellit”.

Edhe projekti tjetër do të realizohet në Zveçan dhe ka të bëjë me ndërtimin e fabrikës për prodhimin e baterive dhe të akumulatorëve.

LEXO EDHE: Referendumi në Kosovë me epilog si të Maqedonisë

Drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, ka konfirmuar se fabrika për prodhimin e baterive dhe të akumulatorëve do të ndërtohet në Zveçan e jo në Leposaviq, siç ishte thënë pas vizitës së Vuçiqit në veri dhe premtimeve të tij për investime në komunat veriore.

Ai ka sqaruar se ka përfunduar studimi i realizimit të projektit dhe ai është në procesin e revizionit.

Kjo procedurë besoj se do të përfundojë shpejt. Lokacioni për ndërtimin e fabrikës është paraparë në Zveçan, në kuadër të kombinatit ‘Trepça’. Për këtë projekt të madh Serbia do të investojë 13.9 milionë euro”, ka thenë Dimkiq, i cili ka shtuar se në këtë fabrikë do të punësohen 203 punëtorë, një pjesë e tyre do të jenë punëtorë që kanë ikur në vitin 2000 nga “Trepça” në jug, ndërsa pjesa më e madhe do të jenë punëtorë të rinj nga të gjitha hapësirat e Kosovës. 

“Do të pranohen njerëz edhe nga kategoria e të zhvendosurve, pasi qeveria e Serbisë planifikon kthimin masiv me projektin ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan. Fuçia punëtore do të rekrutohet nga të njerëz të rinj të Kosovës dhe të atyre që kanë shprehur dëshirën të kthehen. Kjo do të jetë një prej fabrikave më moderne aktualisht, me teknologji botërore. Fabrika do të prodhojë 700 mijë bateri dhe akumulatorë në vit dhe do të ketë një prodhim shumë profitabil”, ka thënë Dimkiq. 

Sipas tij projekti do të përfundojë për 18 muaj, ose më së shumti 24 muaj.

 “Duhet të ndërtojmë objekte ndërtimore dhe t’i përgatisim me të gjitha pajisjet. Karakteri i investimit është ‘grinfild investimi’. Kombinatin ‘Trepça’ nuk e përbëjnë vetëm minatorët. Vlera më e madhe e ‘Trepçës’ rezulton me rezerva të mëdha të xehes e ato tregojnë për një potencial të madh të ‘Trepçës’. Por potenciali i ‘Trepçës’ nuk është ashtu siç prezantohet në jug”, ka sqaruar Dimikiq.

Për investimet e Serbisë në komunat veriore dhe në ato me shumicë serbe ka folur edhe kryetari i Graçanicës, Popoviq. Ai ka thënë se investimet në sistemin e shëndetësisë dhe ndërtimi i QKMF-ve garantojnë mbetjen dhe qëndrimin e serbëve në jug të Ibrit.

“Një numër i vogël i serbëve jeton në qytete të mëdha, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, kështu që jemi të detyruar të krijojmë mjedise më të vogla dhe të krijojmë parakushte që rinia të mbetet në komunat tona. Jemi në kontakt të përhershëm me njerëz që merren me biznes, sipas të cilëve tregu është problemi më i madh. Shpresoj se prodhuesit tonë do të mundë t’i plasojnë prodhimet e tyre”, ka thënë mes tjerash Popoviq.

Para lufte, në kuadër të kombinatit “Trepça” ka punuar fabrika për prodhimin e akumulatorëve “Trepça” në jug. Prodhimet e akumulatorëve të “Trepçës” kanë qenë të njohur për cilësi të lartë dhe janë shituar në të gjitha ish-republikat e Jugosllavisë dhe jashtë saj.

Me aplikimin e masave të dhunshme të Serbisë e gjithë teknologjia e punës së kësaj fabrike ishte plaçkitur nga serbët, ndërsa pas përfundimit të luftës me gjithë përpjekjet fabrika e akumulatorëve në Mitrovicë nuk është rimëkëmbur.