Ritestim për shoferët recidivistë

Ekonomia September 27, 2018 - 08:44
Lexoni më shumë detaje

Image

Image

 

Me vendimin e ri të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) të gjithë shoferët që përsërisin kundërvajtjet në trafik do t’i nënshtrohen edhe një herë testimit për patentë të shoferit. Pa e provuar procesin e ritestimit nuk do të shpëtojnë as vozitësit profesionistë. Por, një vendim i tillë po cilësohet i kundërligjshëm nga ekspertët e komunikacionit rrugor, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministra e Infrastrukturës po planifikon që vozitësit që nuk përfillin shenjat e komunikacionit dhe bëjnë shkelje të njëpasnjëshme në komunikacion do të fillojnë edhe një herë procesin e testimit nga e para.

Kështu ka sqaruar në një prononcim dhënë gazetësZëriministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

“Për të gjithë personat, qofshin shoferë të rinj, fillestarë ose profesionistë, parashihet rivlerësimi i njohurive të trafikut përmes trajnimit shtesë dhe nënshtrimit të testit përkatës, për të cilët me vendim të gjykatës kompetente u është revokuar patenta e shoferit. Këto praktika zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian, janë të parapara me ligjet tona dhe do të fillojnë të aplikohen edhe në vendin tonë, por për të gjitha këto me kohë do të njoftohet opinioni i gjerë”, është shprehur Lekaj.

LEXO EDHE: Mustafa dhe Kurti bashkohen kundër Thaçit dhe Haradinajt

Më tutje ai ka treguar se ritestimit do t’i nënshtrohen të gjithë shoferët që në vazhdimësi përsërisin kundërvajtjet në trafik.

“Ritestimi i njohurive të rregullave të trafikut do të bëhet për të gjithë shoferët të cilët përsërisin në vazhdimësi kundërvajtjet në trafik dhe për të cilët masat e tjera, si gjobat, tërheqja e pikëve negative dhe pezullimi i patentës së shoferit nuk kanë dhënë efekt, prandaj duhet të bëhet revokimi i patentës së shoferit”, ka deklaruar ministri.

Në anën tjetër, njohës të sigurisë në komunikacion e kanë konsideruar si veprim jashtëligjor vendimin e ministrit Pal Lekaj. Sipas tyre, ky vendim nuk do të ndikojë pozitivisht në uljen e aksidenteve.

Policia: 274717 tiketa të shqiptuara në periudhën janar - gusht

Vetëm gjatë periudhës kohore janar - gusht Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 274717 tiketa trafiku për personat që kanë bërë kundërvajtje në komunikacion. Numër i madh i tiketave të shqiptuara janë edhe për vitet e kaluara.

“Në vitin 2016 nga Policia e Kosovës janë shqiptuar gjithsej 326515 tiketa trafiku të shqiptuara. Në vitin 2017 nga Policia e Kosovës janë shqiptuar gjithsej 396924 tiketa trafiku. Në anën tjetër, në periudhën kohore 1 janar - 31 gusht janë shqiptuar gjithsej 274717”, thuhet në përgjigjen kthyer nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës dhënë për “Zërin”.

Ekspertët e komunikacionit, skeptikë për këtë vendim

Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës (MI) për ritestimin e të gjithë personave që kanë shumë kundërvajtje në trafik është konsideruar jashtëligjor nga ekspertët e komunikacionit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë në komunikacion, Nol Dedaj, për “Zërin” ka deklaruar se ky vendim i ministrit Lekaj nuk ka asnjë bazë ligjore dhe nuk është faktor që mund të ndikojë në uljen e aksidenteve.

“Vendimi është i kundërligjshëm meqenëse në Kornizën Ligjore për Kundërvajtësit pas marrjes së 9 pikave brenda dy vjetëve kundërvajtësit i konfiskohet patenta e shoferit me vendim të gjykatësit dhe ata persona fillojnë nga fillimi procedurat për patentë të shoferit. Ky vendim i ministrit Lekaj nuk ka bazë ligjore, pastaj edhe nuk ndikon në zvogëlimin e aksidenteve, ministri Lekaj duhet të krijojë strategjinë 5 ose 10 për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në komunikacion”, ka thënë Dedaj.

Në anën tjetër, profesori i asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Naser Lajqi, ka deklaruar se procesi i ritestimit ka mbetur i paqartë dhe e konsideron të pakuptimtë ritestimin për personat që kanë patentë të shoferit.

“Po del nganjëherë në medie që të gjithë që e kanë përfunduar provimin pranues do të hyjnë edhe një herë, ajo po më duket e çuditshme. Ata që kanë bërë kundërvajtje të shumta është krejtësisht në rregull. Ai që bën shumë herë kundërvajtje në trafik është gjë normale, edhe në shtetet e perëndimit nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo kush ka patentë të shoferit të hyjë edhe një herë po më duket që nuk ka kuptim fare, nuk kam dëgjuar asnjëherë në botën e civilizuar”, ka treguar në mes tjerash ai.

Ndërsa në pajtim me rregullat e Bashkimit Evropian këtë vendim e ka cilësuar njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

Sipas tij, ky vendim është i rregulluar me ligj të BE-së, si dhe i përshtatur për Kosovën.

“Ministria e Infrastrukturës, ose më mirë të themi Departamenti përkatës, ka përcaktuar që konform legjislaturës më të mirë të mundshme të Evropës edhe Kosova të adaptojë një ligj të ri, i cili ndërlidhet me pajisje dhe me rivlerësim të aftësive për ngasje. Vendet e BE-së kanë një ritest të quajtur “testi i ideotit”, ku ngasësi i makinës, i cili e ka humbur patentën si pasojë të veprimeve jonormale në komunikacion (numër i madh i tiketave, shkaktim të aksidenteve etj) duhet të ritestohet për aftësi të tija psiko/fizike dhe njëherësh edhe të riedukimit të detyrueshëm dyfishin e orëve normale, siç është përcaktuar me ligj”, ka thënë ai.

Duke u bazuar në këtë vendim, Shala është shprehur optimist për zvogëlimin e numrit të aksidenteve në vend.

“Çdo veprim parandalues/preventiv është efikas nëse ekziston një hallk e mirë, meqenëse masës së shqiptuar nga Policia deri të rivlerësimi i aftësive për ngasje nga Ministria e Infrastrukturës ose Departamenti përkatës. Dhe, normalisht, kjo do të ulë bukur shumë numrin e aksidenteve në komunikacion”, ka thënë ai.