Paralajmërohet rrezik financiar me shpenzimin e rezervave shtetërore

Ekonomia September 26, 2018 - 07:50
Lexoni lajmet me te fundit nga vendi
Image

Qeveria e Kosovës po tregohet “dorëlirë” me shpenzimin e rezervave shtetërore. Fondit prej rreth 5 milionë eurosh të kësaj kategorie thuajse i ka ardhur fundi, ndonëse kanë mbetur edhe tre muaj deri në përfundim të vitit. Njohësit e rrethanave politike e ekonomike kanë adresuar një varg kritikash për mënyrën sesi kryeministri i ka shpenzuar fondet e ndara për rezervat shtetërore, teksa paralajmërojnë edhe mundësitë që vendi mund të mbetet lehtësisht pa rezerva, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shpenzimi enorm i rezervave shtetërore ka nxitur reagimin e monitoruesve të pasqyrave financiare të buxhetit shtetëror.

LEXO EDHE: Zgjedhjet, në pjesën e dytë të 2019-s

Ata janë duke paralajmëruar pozitë të vështirë të vendit si pasojë e keqmenaxhimit financiar të Qeverisë, të cilën e kanë quajtur krejtësisht të pakujdesshme në këtë aspekt. Mundësinë e shpenzimit të rezervave shtetërore nuk e kanë përjashtuar as përfaqësuesit e Qeverisë.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, i ka thënë gazetës “Zëri” se në rast të shpenzimit të rezervave shtetërore mund të sigurohen mjete shtesë përmes rrugëve ligjore, të cilat garantohen nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike.

“Ministri i Financave në muajin tetor e bën një vendim të ligjshëm, përmes të cilit i siguron disa të holla që kanë mbetur prej rezervave dhe siguron mjetet për t’u përgjigjur deri te ndonjë kërkesë eventuale. Nëse janë afruar të shpenzohen rezervat kemi parasysh se 9 muaj kanë shkuar dhe tre kanë mbetur, që është normale. ¾ e periudhës vjetore ka shkuar, ka mbetur edhe pak”, ka paralajmëruar ai.

Për kërkesat e shpeshta për mbulim financiar Shatri ka treguar edhe mënyrën sesi u ofrohet vërejtja e fundit.

“Në buxhet është një fond që quhet fondi i ministrit të Financave, janë 5 milionë dhe janë të caktuara për t’u ndarë për nevoja emergjente, për kërkesa që s’kanë qenë të parapara të ndahen në buxhet. Ato duhet brenda një viti të shpenzohen. Nëse ka pasur më shumë kërkesa e nevoja brenda një viti për ato mjete, atyre u ofrohet vërejtja e fundit”, ka shtuar më tutje.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës vetëm në tri mbledhjet e fundit ka ndarë 368 mijë e 904 euro, 112 mijë prej tyre të ndara për rregullimin e Parkut të Paqes në Preshevë.

Ky nuk është vendimi i vetëm i Qeverisë nga fondet e rezervave shtetërore. Janë ndarë mjete financiare edhe për manifestime kulturore për shënimin e 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, manifestime të tjera si “Flaka e Janarit” e ndarjen e 300 mijë eurove për t’i dërguar në pushime verore 1 mijë e 500 veteranë.

Qeveria, e pakujdesshme në shpenzimin e buxhetit

Kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë kanë adresuar monitoruesit e pasqyrave financiare të buxhetit shtetëror.

Artan Murati, menaxher programesh nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një përgjigje për gazetën “Zëri” e ka quajtur të pakujdesshme Qeverinë e Kosovës, teksa ka paralajmëruar se numri i vendimeve të ndërmarra bartin kosto financiare, të cilat paguhen nga vetë qytetarët.

“Qeveria ‘Haradinaj’ ka qenë krejtësisht e pakujdesshme me shpenzimin e buxhetit të shtetit. Numri i madh i vendimeve të Qeverisë që janë ndërmarrë së fundi bartin në vete edhe kosto të lartë financiare, të cilën po e paguajnë qytetarët e vendit. Keqmenaxhimit financiar shpeshherë i është bashkangjitur edhe keqmenaxhimi në përgjithësi i vendit, që më pas u ka kushtuar edhe me shuma të larta të parave”, është shprehur Murati.

Më tej ai ka përmendur edhe detyrimin e Qeverisë për të kryer pagesën prej 53 milionë eurosh për koncorziumin amerikano-turk “Bechtel-Enka” si shenjë ndëshkimi për moskryerje të pagesave me kohë.

“Rast konkret në këtë drejtim mund të merret detyrimi për pagesë prej 53 milionë eurove për ‘Bechtel-Enka’-n. Për më shumë, kjo Qeveri në vazhdimësi ka aprovuar kërkesa financiare pa bërë vlerësimin e duhur të tyre. Kjo e vë Kosovën në një pozitë të vështirë, sepse edhe ashtu jemi shteti më i varfër në rajon dhe çdo keqmenaxhim do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, ka theksuar në mes të tjerash Murati.

Faktin se rezervat shtetërore ndahen për të mbuluar kryesisht situata emergjente e ka përmendur edhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.

Por, ndryshe nga ekspertët, ajo është shprehur se shteti nuk rrezikon të mbetet pa rezerva, pasi buxheti ndahet me kujdes.

“Nuk ka rrezik që shteti të mbetet pa rezerva, sepse gjithmonë buxheti ndahet me kujdes. Shihet a po rrezikohet rezerva përfundimtare. Qeveria i shikon me kujdes këto, nuk është rrezik një vijë e tillë buxhetore. Megjithatë, ato janë të ndara për t’u plotësuar nevojat ku janë më të arsyeshme, ku është më mirë për t’u ndarë këto mjete. Nuk i kam krejt informatat ku janë ndarë, por nuk janë ndarë aty ku nuk ka nevojë. Kërkesat të cilat paraqiten aty, bëhet një analizë e tyre dhe tek pastaj ndahen mjetet”, ka deklaruar ajo.

Paralajmërohet situatë e vështirë financiare

Ndryshe nga zëvendëskryetarja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, janë shprehur njohësit e rrethanave politike e ekonomike në vend.

Analisti dhe publicisti Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën “Zëri” se përmes kësaj mënyre të ndarjes së parave Qeveria po tenton të blejë paqen sociale, derisa ka paralajmëruar edhe situatë të palakmueshme financiare për vendin.

“Në këtë mënyrë, duke ndarë para majtas dhe djathtas, Qeveria po tenton ta blejë paqen sociale, duke pasur parasysh që grupet e shoqërisë janë të pakënaqura me statusin e tyre ekonomik dhe social. Plot veprime që i ka marrë Qeveria i ka bërë pa i studiuar mirë dhe të pabazuara në mundësitë reale që buxheti i ka, që nuk është dashur të ndodhë. Jemi në një situatë ku rezervat shtetërore janë shpenzuar thuajse të gjitha dhe rrezikohet të vijmë në një situatë të palakueshme”, ka thënë Mushkolaj.

Kritika të ngjashme ka drejtuar edhe analisti Haki Abazi. Në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” ai e ka quajtur konceptin qeverisës në Kosovë tërësisht të papërgjegjshëm.

“I gjithë koncepti qeverisës në Kosovë është i papërgjegjshëm dhe me qëllimin e vetëm; krijimin e një baze financiare, që partive e grupeve politike të cilat po krijohen duke e dëmtuar buxhetin e shtetit në përgjithësi, edhe rezervat po ashtu nuk bëjnë përjashtim. 53-milionëshi për ‘Bechtel-Enka’-n, manifestimet e ndryshme dhe fushata për pastrimin e Kosovës është duke u bërë për të mbuluar një lloj të aferave financiare që janë krijuar”, ka pohuar Abazi.

Më tej ai ka thënë se këto shpenzime po ndodhin kryesisht për të përfituar në mënyrë ilegale nga buxheti shtetëror.

“Nuk ka arsye shteti të ofrojë fonde shtesë për pastrim derisa ka shërbime dhe kompani publike të cilat e kanë për obligim ligjor të pastrojnë vendin. Ajo çfarë po ndodh kohët e fundit është forma inovative për të përfituar në mënyrë ilegale nga buxheti dhe rezervat. Kjo tregon nivelin e lartë të papërgjegjësisë ndaj parasë publike, që është instaluar më shumë se 10 vjet në vendin tonë”, ka përfunduar mes të tjerash.

Qeveria e Kosovës nga rezervat shtetërore ka ndarë edhe 1 milion euro për Operatorin e Sistemit, Transmiisionit dhe Tregut (KOSTT) për mbulimin e faturimit të energjisë elektrike në veri. 600 mijë euro janë ndarë për organizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa 100 mijë të tjera të planifikuara të ndahen sipas nevojave të manifestimit. T

ash së fundi Qeveria u detyrua të ndajë edhe 53 milionë euro shtesë për mbulimin e papërgjegjësisë në kryerjen e vonesave të pagesave për kompaninë “Bechtel-Enka”.