BE-ja kërkon që Kosova të miratojë strategji të reja për mbrojtjen e mjedisit

Ekonomia September 24, 2018 - 11:42
Lexoni më shumë detaje

Në hapjen e Fushatës për Mjedisin dhe Javën e Diplomacisë për Klimë u tha se Kosova duhet të angazhohet në plotësimin e ligjeve të Bashkimit Evropian për përmirësimin e mjedisit.

Igor Soltes, raportues i Kosovës në Parlamentin Evropian, përmes një video mesazhi tha se duhet përqendrim për një mjedis më të pastër, për shkak të ndotjes së madhe të ajrit dhe të ushqimit.

“Duhet ta marrim parasysh se klima ka të bëjë me zhvillim dhe kemi ndotje të madhe të ajrit dhe ushqimit, prandaj ne duhet të fokusohemi për një mjedis të pastër”, tha Soltes.

“Në Prishtinë vitin e kaluar kemi pasur ndotje masive të ajrit dhe Kosova duhet të angazhohet në plotësimin e  ligjeve të Bashkimit Evropian dhe të bëjë konsultime me të gjithë akterët dhe BE-ja do t’u ofrojë përkrahje të plotë shteteve të Ballkanit në përmirësimin e mjedisit. Ky është proces që nuk do të ndodhë brenda natës, por tani duhet të fillojmë për zhvillimin e së ardhmes që kemi prioritet për vendet e Ballkanit si BE-ja”, tha ai.

Didier Chabert, ambasador i Francës në Kosovë, tha se ndryshimet klimatike kanë ndikim në jetën njerëzore, prodhimtarinë bujqësore, etj.

“Marrëveshja e Parisit është relevante për Kosovën, e miratuar në dhjetor 2015 dhe hyri në fuqi në nëntor 2016. Kjo marrëveshje është marrëveshja e parë globale universale me qëllimet ambicioze të mbahet temperatura dhe të rritet aftësia për përshtatjen e ndryshimeve klimatike”, tha Chabert.

Chabert tha se marrëveshja e Parisit nuk mund të jetë totalisht operacionale, por duhet angazhimi i të gjithëve për një mjedis të pastër.

“Edhe pse Kosova nuk është pjesë e marrëveshjes së Parisit, ndikohet nga ndryshimet klimatike për shkak të energjisë termike që rezulton me nivele të larta të ndotjes së ajrit, e sidomos gjatë dimrit. Kosova gjatë rrugës së BE-së duhet të miratojë strategji të reja për reduktimin e ndotjes së mjedisit”, tha ai.

Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, tha se është e rëndësishme që Kosova të kontribuojë në mbrojtjen e klimës.

“Kosova edhe pse jo anëtare e marrveshjes së Parisit dhe Kombeve  të Bashkuara ende ka veprime për të ndërmarrë, e rëndësishme është që Kosova duhet të kontribuojë në mbrojtjen e klimës dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me rrugën e saj drejt BE-së, por edhe për shëndetin e qytetarëve që jetojnë në këtë vend”, tha Held.

“Kosova rangohet në mesin e 5 vendeve më pak efikase sa i përket konsumit të energjisë”, tha ai.

“Si gjermanë, ne jemi duke punuar në ngrohjen qendrore që nuk është e lidhur me ngrohje individuale me qymyr apo dru. Ka shumë sfida të mëdha në këtë fushë, sepse energjia e ripërtrishme në efikasitetin e saj mund të ketë efekt madhor në qytetarët e Kosovës dhe shoqërinë e Kosovës”, tha ai.

Riccardo Serri, shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe i Integrimeve Evropiane tha se

“Të gjithë e njohin Kosovën dhe e dimë se nganjëherë bukuritë natyrore mund të jenë të ndotura, të neglizhuara dhe kontaminimi i lumenjëve të ndotur, ndërtimi pa leje, mbeturinat janë realiteti në Kosovë dhe kualiteti i dobët i ajrit, mbrojtja e mjedisit është neglizhuar në Kosovë dhe sa i përket Bashkimit Evropian kemi bërë dhe jemi përpjekur shumë për mjedisin në Kosovë dhe BE është e përkushtuar për të ardhmen në Kosovë”.

“Numri i madh i projekteve të BE-së kanë pasur ndikim të drejtëpërdrejtë në mjedis dhe ndërtimi i deponive dhe ndërtimi i fabrikave të ujërave të zeza me fonde tona janë të rëndësishme dhe sigurojnë ujë të pijshëm për qytetarë në shtetet anëtare ku ne punojmë në angazhimin e çështjeve kryesore të mjedisit”, tha Serri.

“Gjate kësaj fushate që do zgjas këto muaj mjedisi i Kosovës është prioritet dhe është e rëndësishme infrastruktura për reduktimin e mbeturinave dhe i pluhurit. Fakti që Kosova nuk është pjesë e traktatit të Parisit për mjedis nuk do të thotë që Kosova nuk duhet të angazhohet në përmirësimin e mjedisit”, shtoi ai.

Serri tha se mjedisi është prioritet për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, raporton EO.

Kjo fushatë synon rritjen e nivelit të ndërgjegjesimit të popullëtës së Kosovës për mbrojtjen e mjedisit dhe për të sfiduar idenë se mbrojtja e mjedisit është vetëm në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.

Fushata e Mjedisit do të zgjasë deri më 14 dhjetor, objektivat e së cilës janë uji, cilësia e ajrit, menaxhimi i mbeturinave dhe efiçienca e energjisë.

Image

Image

Image

Image