Në ''Luginën e Diellit'' ndërtohen 350 banesa

Ekonomia September 24, 2018 - 08:30
Lexoni më shumë detaje
Image

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës ka bërë kallëzim penal ndaj Komunës së Zveçanit, respektivisht ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe drejtoreshës së kësaj Drejtorie, për shkak se nuk kanë zbatuar urdhëresën e MMPH-së për pezullimin e punimeve. Mihajloviq: Projekti “Lugina e Diellit” përfundon në vitin 2019, shkruan sot Gazeta "Zëri"

“Lugina e Diellit” është një prej investimeve më të mëdha të Serbisë në Kosovë dhe projekti ka për qëllim kthimin e mbi 1500 serbëve nga Serbia në veri të Mitrovicës.

Rreth 1500 serbë nga Serbia pritet të vijnë dhe të vendosen në vendbanimin “Lugina e Diellit” posa shtëpitë, që kanë filluar të ndërtohen, të përfundojnë dhe kjo nuk do të shkojë shumë larg, pasi projekti do të përfundojë në mesin e vitit 2019.

LEXO EDHE: 20 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë

Serbia, sipas Zyrës Serbe për Kosovën, planifikon t’i investojë në këtë projekt 25 milionë euro, ndonëse drejtori i projektit, Sllobodan Mihajoviq, ka thënë se i gjithë projekti ka koston 14 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, ka urdhëruar Komunën e Zveçanit dhe Drejtorinë e Urbanizmit të kësaj Komune që t’i ndërprenë punimet, ndërsa MMPH-së t’i dorëzohet dokumentacioni teknik i ndërtimit të vendbanimit, shkruan më tutje "Zëri"

Sipas një njoftimit të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Zveçanit në ditën e inspektimit nuk ka qenë e gatshme të ofrojë dokumentacionin e kërkuar nga Inspektorati i MMPH-së, andaj është urdhëruar që Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Zveçanit të sjellë dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Mjedisit në afatin e caktuar.

Kallëzim penal ndaj Komunës

Në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës kanë thënë se është iniciuar kallëzim penal ndaj Komunës së Zveçanit dhe ndaj drejtoreshës së Urbanizmit, Natasha Aksentijeviq.

“Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Zveçanit nuk i është përgjigjur urdhëresës së Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor. Nga të gjitha këto Inspektorati i Ministrisë ka konstatuar se Komuna e Zveçanit, si dhe Drejtoria e Urbanizmit e kësaj Komune janë përgjegjëse për moszbatimin e urdhëresës së dhënë nga Inspektorati i Ministrisë,  veprim i cili është shkelje e Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit me numër 04/L175 për të cilën gjë është bërë inicim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër Komunës së Zveçanit si person juridik dhe drejtoreshës së Urbanizimit si person përgjegjës. Ju rikujtomë se për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë Komuna është kompetente për dhënien e lejes ndërtimore”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës. 

Në anën tjetër, Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë e vlerëson projektin e vendbanimit “Lugina e Diellit” si një prej projekteve më të mëdha dhe më të rëndësishme e cila mundëson kthimin e serbëve të shpërngulur në veri të Kosovës.

Drejtori i projektit të vendbanimit “Lugina e Diellit”, Sllobodan Mihajloviq, tha se në këtë vendbanim do të ndërtohen 137 ndërtesa me rreth 350 njësi banesore.

Mihajloviq ka shtuar se vendbanimit për të kthyerit përveç ndërtesave të banimit do të ketë edhe qendër kulturore, do ta ketë kishën, si dhe objekte sportive. 

“Në këtë vendbanim do të ndërtohen gjithsej 137 ndërtesa me rreth 350 njësi banesore, ndërsa përfundimi i projektit pritet në vitin 2019. Projekti ka filluar të ndërtohet në vitin 2017, ndërsa deri më tani është ndërtuar rruga kryesore, ka filluar ndërtimi i shtëpive, është duke u ndërtuar qendra kulturore dhe ajo tregtare, si dhe ambulanca. Në fazën tjetër do të ndërtohet pjesa tjetër e rrugës, pastaj kisha e Shën Stefan Decanskit, si dhe 33 objekte”, ka thënë Mihajloviq.

Punësim për çdo familje

Sipas tij, i gjithë projekti ka koston prej rreth 14 milionë eurosh, ndonëse në planin e Serbisë për investime në Kosovë pas vizitës së presidentit Vuçiq, Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka planifikuar për përfundimin e këtij projekti 25 milionë euro. Mihajloviq ka thënë se secila familje që kthehet dhe vendoset në këtë vendbanim do ta ketë nga një të punësuar.

“Familjet që do të vendosen në vendbanim do të zgjidhen me konkurs, të cilin do ta shpallë organizatori, Zyra Serbe për Kosovës, ndërsa bëhet fjalë për njerëzit që kanë shkuar nga hapësira e Kosovës dhe janë vendosur me familjet e tyre në Serbinë Qendrore, ose diku tjetër. Projekt zgjidh statusin ekonomik e social dhe secila familje që kthehet do ta ketë të paktën nga një anëtar të saj në punë”, ka thënë mes tjerash drejtori i projektit “Lugina e Diellit”, Sllbodan Mihajloviq. 

Nga shqiptarët e jugut të Mitrovicës ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” konsiderohet rikolonizim i pjesës veriore të Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se Serbia synon t’i sjellë në Kosovë serbë nga Serbia, posaçërisht në veri të vendit, në mjediset me shqiptarë me qëllim që ta rikolonizojë këtë pjesë të Kosovës.

“Serbia po bën çmos që të sjellë sa më shumë serbë në Kosovë, Serbia ka blerë edhe pronat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës vetëm që atje të mos lërë shqiptarë. Shteti duhet ta ndalojë këtë”, ka thënë Bahtiri,

Drejtori i QR-së të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, thotë se ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Zveçan është kolonizim i drejtpërdrejtë i asaj pjese me serbë.

“Ndonëse këto shtëpi po ndërtohen në pjesën që i takon Zveçanit, ato po ndërtohen fare pranë lagjeve shqiptare të Mitrovicës. Ky është kolonizim direkt me serbë i kësaj pjese të Kosovës”, ka thënë Barani.