20 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë

Ekonomia September 24, 2018 - 08:14
Mësoni më shumë detaje
Image

20 punëtorë të kompanisë “Eco-Higjiena” nga komuna e Gjilanit, të cilët kanë qenë të angazhuar për pastrimin e rrugëve dhe për mirëmbajtjen e parqeve, rrezikojnë të mbesin pa vendet e tyre të punës, kjo për shkak të ndërprerjes së marrëveshjes për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sipërfaqeve publike në mes të kompanisë “Eco-Higjiena” dhe Komunës së Gjilanit.

LEXO EDHE: Thaçi në SHBA lobon për ''korrigjim'' të kufijve

Zyrtarë të kompanisë “Eco-Higjiena” i kanë thënë gazetës Zëri se një largim të tillë janë të detyruar të bëjnë për shkaqe ekonomike, si dhe për shkak se këta punëtorë kanë qenë të punësuar në kuadër të marrëveshjes së përkohshme 5-mujore me Komunën e Gjilanit për mirëmbajtjen, e cila ka hyrë në fuqi më datën 02.05.2018 dhe skadon më datën 01.10.2018.

Ndërsa për këtë problem është në dijeni edhe Komuna e Gjilanit.

Zyrtarë nga kjo Komunë në prononcimin e tyre për Zërinkanë premtuar që këta punëtorë do të strehohen në kompaninë e re, e cila do ta fitojë tenderin e ri.

Ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komuna e Gjilanit kanë thënë për gazetën Zëri që kompania “Eco-Higjiena” vazhdimisht shkel marrëveshjen për partneritet.

Eco-Higjiena: Shkaqet ekonomike na detyrojnë t’i largojmë nga puna

Drejtori i ekzekutiv i kompanisë “Eco-Higjiena”, Senad Ramaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka sqaruar arsyet se përse këta punëtorë do të largohen nga kjo kompani.

“Kompania ‘Eco-Higjiena’ ka lidhur një marrëveshje për një periudhë të përkohshme 5-mujore me Komunën e Gjilanit për mirëmbajtje të rrugëve dhe të sipërfaqeve publike të gjelbëruara në bazë të tenderit, i cili ka filluar më datën 02.05.2018 dhe skadon me datën 01.10.2018. Për t’i kryer këto punë kompania ka angazhuar 20 punëtorë me përvojë, të cilët kanë lidhur një marrëveshje me kohë të caktuar 5-mujore, që do të thotë për aq kohë sa ne kemi kontratë me Komunën e Gjilanit”, ka thënë Ramaj.

Sipas tij, për shkaqe ekonomike kjo kompani e ka të pamundur strehimin e këtyre 20 punëtorve dhe zgjidhja e vetme për ta mund të jetë punësimi nga Komuna e Gjilanit.

“Ne i kemi paralajmëruar punëtorët ashtu siç parashihet edhe me ligje të punës se për ndërmarrjen e një hapi të tillë jemi të detyruar për shkaqe ekonomike... Me keqardhje më duhet të theksoj, nëse Komuna nuk na angazhon edhe më tutje ne nuk kemi mundësi për t’i sistemuar në vende të reja të Kompanisë, sepse të gjitha vendet tani për tani janë të plotësuara. Por kompania e re, e cila e merr tenderin në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, mund t’i strehojë këta punëtorë me përvojë”, ka shtuar më tutje ai.

Komuna e Gjilanit: Kompania e re do t’i strehojë 20 punëtorët e larguar

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë që janë në dijeni për këtë shqetësim të punëtorëve.

“Jemi të njoftuar për mundësinë e kësaj ndërprerjeje të kontratave për 20 punëtorë. I njoftojmë punëtorët në fjalë dhe familjet e tyre se nuk ka vend për shqetësim, sepse ata do të jenë të angazhuar në punën që e kanë bërë deri më tani. Mund të jenë edhe më tutje punëtorë të kompanisë ‘Eko-Higjiena’”, ka thënë Ismajli për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, pavarësisht se cila kompani do ta fitojë tenderin për mirëmbajtje të hapësirave të gjelbëruara Komuna garanton punësimin e këtyre 20 punëtorëve.

“Nuk e dimë se kush do të shpallet fitues për mirëmbajtjen e hapësirave publike, të parqeve, të hapësirave të gjelbra, të shesheve etj., sepse ato janë procedura të prokurimit. Komuna e Gjilanit garanton se këta punëtorë, që deri më tani janë paguar nga kompania ‘Eko-Higjiena’, edhe më tutje do të bëjnë punën e njëjtë me kompaninë fituese për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave”, ka potencuar ai.

Kurteshi: “Eco-Higjiena” vazhdimisht shkel marrëveshjen me Komunën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nga Komuna e Gjilanit, Ismajl Kurteshi, ka thënë për gazetën “Zëri” se kompania “Eco-Higjiena” vazhdimisht shkel marrëveshjen e saj për partneritet me Komunën.

“Kompania austriake nuk i është përmbajtur marrëveshjes për ruajtjen e vendeve të punëtorëve, as marrëveshjes për investimet në kompani, duke u bazuar në informatat që kam nga punëtorët, aty kjo kompani sjell mjete të përdorura të amortizuara, të cilat ai i vlerëson vetë me çmime të larta dhe kështu mundohet t’i arsyetojë investimet”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, për keqpërdorimet nga kjo kompani austriake duhet të intervenojnë edhe gjykatat, sepse kjo nuk është hera e parë.

“Komuna duhet t’i kryejë obligimet ndaj punëtorëve si njëra nga palët aksionare, në anën tjetër edhe Gjykata të aktivizohet, sepse aty ka materie që Gjykata të merret me kompaninë dhe të mos lejojë që punëtoret të largohen. Në atë kompani dhe në rastet kur Gjykata kthen punëtorë ky vendim nuk përfillet, pra kompanitë dhe individët shpesh po dalin mbi ligjin”, ka thënë ai.