Pas investimeve në Rugovë, KEDS vendos rrjet të ri elektrik edhe në Prevallë

Ekonomia September 21, 2018 - 11:06
Lexoni më shumë detaje

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, ka bërë vendosjen e rrjetit të ri elektrik në Prevallë.

Nga ky investim kanë përfituar rreth 100 shtëpi të kësaj ane, ndërsa me implementimin e njehsorëve PLC, pritet të zvogëlohet dukshëm edhe humbjet komerciale në rrjet.

KEDS ka vendosur afër 45 shtylla të reja të betonit për tension të ulët dhe ka shtrirë rreth tre kilometra kabllo elektrike.

Prevalla është pikë e rëndësishme e turizmit në Kosovë. Ky vend tërheq numër të madh të vizitorëve në çdo stinë.

Ditë më parë, KEDS ka investuar edhe në fshatin Shkrel të Rugovës. Edhe ai projekt pritet që të ndihmojë zhvillimin e turizmit në atë pjesë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se projekti në Prevallë siguron cilësi shumë më të mirë të energjisë elektrike për banorët e zonës.

“Ndërrimi i rrjetit në Prevallë është bërë në mënyrë që të ofrohet furnizim shumë më i mirë me energji elektrike, por është projekt i rëndësishëm kur kemi parasysh faktin se Prevalla është destinacion turistik”, thotë Buzhala.

Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it që parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin distributiv elektrik të Kosovës deri në vitin 2025.

Përmes këtij master plani KEDS mëton të rinovojë rrjetin elektrik dhe ta bëjë atë të ngjashëm me rrjetet elektrike të shteteve të zhvilluara evropiane.

Image