Ekonomia

Gjykatësve të Kushtetueses u dalin pagat me rritje

Gjykatësve të Kushtetueses u dalin pagat me rritje
20 shtator 2018 • 13 : 11

Lexo detajet

Rreth tre muaj pasi ia kishin dhënë dritën e gjelbër vendimit të Qeverisë Haradinaj për ngritje të pagave, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë vendosur t'i pranojnë pagat me rritje.

Pasi nuk i kishin marrë për tre muaj pagat me rritjen e shkaktuar nga vendimi i Qeverisë Haradinaj, së fundi, Kallxo.com gjen se gjykatësit e Kushtetueses në seancë administrative kanë vendosur se si të veprojnë në lidhje me pagat.

“Në seancën administrative të mbajtur së fundi, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese kanë marrë vendim që shtesat në paga për gjykatësit dhe për kryetaren e Gjykatës të hiqen në tërësi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Kallxo.com.

Kështu, gjykatësit e Kushtetueses kanë vendosur që të heqin dorë nga shtesat e tyre, mirëpo duket se ata kanë pranuar rritjen e pagës që shkaktoi vendimi i Qeverisë Haradinaj.

“Sekretaria e Gjykatës tashmë është angazhuar në zbatimin e vendimit të miratuar nga gjykatësit për heqjen e shtesave, si dhe të respektimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në kërkesën përkitazi me pagat e zyrtarëve të lartë shtetëror”, thuhet në vazhdim të përgjigjes nga Kushtetuesja.

Aktualisht, paga bazë (bruto) e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1651 euro + rritja 4% ndërsa shtesa ishte në vlerë prej 686 euro si dhe mëditjet prej 515 euro. Po ashtu për ata që kanë më shumë se 17 vjet përvojë pune mund të marrin deri në 140 euro varësisht nga përvoja e punës së gjykatësit.

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës nxori vendimin sipas së cilit Haradinajt dhe disa prej vartësve të tij u rriteshin ndjeshëm pagat, ndërsa në mënyrë indirekte ky vendim rriste edhe pagat e gjykatësve dhe prokurorëve.

Në lidhje me këtë vendim kishte reaguar Agjencia Kundër Korrupsionit që ka gjetur që ky vendim përbën konflikt të interesit, ndërsa çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila në qershor të këtij viti gjeti se vendimi nuk bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe si rrjedhojë edhe pagat e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë indirekte pësuan rritje.


 

© zëri.info