Ekonomia

MAP-i premton ndryshimin e Projektligjit për Paga

MAP-i premton ndryshimin e Projektligjit për Paga
20 shtator 2018 • 08 : 31 Foto: Driton Bublaku

Mësoni më shumë detaje

Image

Kërkesat e fundit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për korrigjim të Projektligjit për Paga janë marrë seriozisht nga Ministria e Administratës Publike (MAP). Në këtë institucion premtojnë se do t’i përdorin të gjitha mundësitë për plotësimet e nevojshme të Projektligjit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministria e Administratës Publike (MAP) duket se do t’ua pamundësojë mësimdhënësve t’i futen grevës së serishme.

Dikasteri që udhëhiqet nga Mahir Yagcilar premton se do t’i përdorë të gjitha mundësitë për përfshirjen e kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Projektligjin për Paga, i cili aktualisht gjendet në Kuvend.

Në përgjigjen zyrtare që MAP-i ka dhënë për gazetën Zëribëhet e qartë se Projektligji do të pësojë ndryshime me realizimin e plotësimeve të nevojshme derisa përmes tij të garantohet një stabilitet fiskal.

“Ligji për Pagat gjendet në Kuvend, në procedurë parlamentare. Duke u bazuar në sugjerimet që po vijnë nga subjektet e interesuara, MAP-i do të përdorë të gjitha mundësitë për përfshirjen e kërkesave të SBASHK-ut. Me këtë rast do të bëhen edhe përpjekje për realizimin e plotësimeve të tjera të nevojshme, në mënyrë që Ligji të garantojë stabilitetin fiskal dhe funksionim normal të tij”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë. Plotësimet e ngjashme të Projektligjit i kanë komentuar edhe në Zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një përgjigje me shkrim për gazetën Zëri Donjeta Gashi, shefe e kabinetit të kryeministrit, ka thënë se Projektligji është dërguar në Kuvend, ku mund të bëhen plotësimet para se të votohet.

“Kryeministri Haradinaj ka pritur në takim disa herë përfaqësuesit e SBASHK-ut pikërisht për t’i adresuar çështjet dhe kërkesat e tyre. Edhe gjatë punës në Projektligj janë takuar përfaqësuesit e Sindikatës. Tani Projektligji është dërguar në Kuvend dhe atje mund të bëhen plotësimet e nevojshme përpara se të votohet”, kanë thënë në Zyrën e Kryeministrit.

Si shenjë pakënaqësie me miratimin e Projektligjit për Paga SBASHK-u para një jave ka mbajtur edhe protestë me kërkesën për korrigjim të Projektligjit.

SBASHK-u nuk i mohon grevat

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) shpresojnë se do të ketë ngritje të koeficientit për paga, por nuk i përjashtojnë veprimet sindikale në rast se kërkesat nuk u përmbushen siç u është premtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Nënkryetarja e Sindikatës, Vjollca Shala, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar takimet që kanë zhvilluar me kryeministrin dhe premtimet që i kanë marrë nga ai.

“Ne pardje kemi pasur një takim me kryeministrin Haradinaj mu për Projektligjin për Paga. Kryeministri Haradinaj ka deklaruar se këto shqetësime që i ka shprehur SBASHK-u në takim do të shqyrtohen me kujdes edhe nga ai, edhe nga Qeveria, edhe do t’i rekomandojmë Komisionit Parlamentar për Administratë Publike që ta analizojnë këtë Projektligj dhe të bëjnë përmirësime, në mënyrë që pozita e punëtorëve në arsim patjetër të avancohet”, është shprehur ajo.

Shala është shprehur tejet optimiste se kryeministri do t’ua kumtojë lajmin e mirë, siç u ka premtuar.

“Andaj ne presim që do të ketë lëvizje sa i përket ngritjes së koeficientit, por nëse nuk do të ketë ne patjetër duhet të mendojmë dhe të ulemi me Këshillin Drejtues dhe nuk përjashtohen veprimet sindikale. Edhe pse ne urojmë që kryeministri do të bëjë ngritjen e koeficientit ashtu si deklaroi e na premtoi dhe nuk do të ketë nevojë fare për veprime sindikale”, ka shtuar më tutje përfaqësuesja e SBASHK-ut.

Por, në marshin protestues të mbajtur më 9 shtator të këtij viti ata premtuan se do të vazhdojnë me greva në qoftë se nuk u plotësohen kërkesat e tyre.

Njëkohësisht ata kërkuan tërheqjen e Projektligjit, ndërsa protestën e emëruan si alarm të fundit drejtuar Qeverisë për korrigjim të Projektligjit për Paga.

Për veprime të ngjashme sindikale ka paralajmëruar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Përfaqësuesi i sindikalistëve, Avni Ajdini, i ka thënë gazetës “Zëri” se do të vazhdojnë të përkrahin kërkesat e të gjitha federatave, të cilat i ka cilësuar si legjitime.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i përkrah kërkesat e të gjitha federatave, janë legjitime kërkesat. Është bërë gabimi nga Ministria kur kanë bërë nivelizimin e pagave. Duhet të rishqyrtohet përsëri kërkesa e SBASHK-ut në lidhje me koeficientin”, ka theksuar në mes të tjerash ai.

Në rast të mosshqyrtimit të Projektligjit Ajdini ka paralajmëruar edhe sanksione, duke nënkuptuar grevat dhe bojkotin e mësimit.

“Në rast se nuk shqyrtohet janë sanksionet nga punëtorët e arsimit dhe vaj halli mandej për ta. Ne kemi mjetin tonë sindikal, protestën dhe grevën. Njëherë e kemi dialogun, kur s’kemi me kë të bisedojmë, atëherë na pret rruga, na pret bojkoti i mësimit, greva. Por pësojnë të gjithë nxënësit, duhet këtu edhe prindërit të na ndihmojnë, në mënyrë që mos të vijë puna te një grevë unike”, ka përfunduar përfaqësuesi i sindikalistëve.

Paralajmërohen implikime buxhetore me Projektligjin e Pagave

Projektligji i tillë pritet të shkaktojë implikime buxhetore, duke zvogëluar kështu mjetet buxhetore për investime kapitale. Kështu kanë deklaruar në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK).

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka shprehur shqetësimet në lidhje me këtë Projektligj.

“Oda Amerikane beson se aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale do të kishte implikime të konsiderueshme buxhetore, duke zvogëluar në të njëjtën kohë mjetet buxhetore për investime kapitale, që janë tejet të rëndësishme për fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, ka paralajmëruar ai.

Më tej Zeka ka shtuar se me këtë Projektligj do të rritet hendeku në mes niveleve të pagesave në sektorin publik dhe atë privat.

“Po ashtu ne besojmë se i njëjti projektligj rrit edhe më tej hendekun ndërmjet niveleve të pagesave në sektorin publik dhe atë privat, duke pasur parasysh që ndërmarrjet e sektorit privat e kanë të pamundur të përcjellin trendët e rritjes së pagave nga institucionet publike”, ka treguar drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

Ankesa në drejtim të Projektligjit kanë drejtuar edhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit.

Riza Smaka, njohës i kësaj fushe, ka deklaruar se kur shprehen pakënaqësitë kolektive vërehen edhe kriteret e objektivizuara për falsifikimin e punës sipas profesioneve, eksperiencave e kualifikimeve.

“Kur shprehen pakënaqësi kolektive janë vërejtur kriteret e objektivizuara për falsifikimin e punës sipas profesioneve, eksperiencave, kualifikimeve dhe shkallës së ndërlikueshmërisë së punës. Në parim mund të merret se kanë të drejtë, por është vështirë të them kanë, s’kanë sepse është çështje për të cilën do të duhej të administroheshin prova”, ka potencuar Smaka.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kërkon që Projektligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Viteve 1990/’91 deri në vitin ’98/’99, nga koeficienti 1.9, i njëjti të rritet në 2.7 për mësimdhënësit e shkollave të mesme, 2.5 për ata të shkollave fillore, si dhe 2.6 për mësimdhënësit e shkollave speciale.

Ndryshimet me Ligjin për Paga

Projektligji për Paga në fillim nxiti pakënaqësitë e punëtorëve të arsimit, derisa ata të shëndetësisë paralajmëronin për kolaps të vërtetë nëse Projektligji nuk i dërgohej Qeverisë brenda afatit të caktuar kohor në fillim të shtatorit.

Me Ligjin e ri për Paga do të pësojnë ndryshime përfitimet e zyrtarëve shtetërorë. Kështu, paga e kryeministrit e që u rrit nga 1260 euro në 2950 me Ligjin e ri do të bjerë në 2390 euro.

Pagë të njëjtë sa të kryeministrit, 2390 euro, do të marrë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilit me ligj paga do t’i zvogëlohet për 165 euro.

Edhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizit, që aktualisht merr pagë prej 3108 eurosh, do t’i zbritet paga për 718 euro më pak. Udhëheqësja e Kushtetueses do të paguhet njësoj si kryeministri e kryeparlamentari.

Pagë më të lartë se të kryeministrit, të kryeparlamentarit e të kryetares së Gjykatës Kushtetuese do të gëzojë presidenti Hashim Thaçi. Nga buxheti i shtetit ai do të paguhet 2868 euro, nga 2672 sa paguhej në fillim.

Me një përllogaritje i bie t’i marrë 196 euro më shumë. Nga ky Projektligj pritet të përfitojnë gati 8 mijë e 600 pjesëtarë të Policisë, të cilët do t’u gëzohen pagave me rritje.

Me ndryshimet aktuale, pra me miratimin e Ligjit për Paga, policët do të paguhen me nga 525 euro për çdo muaj.

© zëri.info