Gjysmë milioni euro dëme nga shiu e nga breshëri

Ekonomia September 19, 2018 - 08:09
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....
Image

Komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve nga shiu dhe breshëri i fillimvitit, majit, qershorit dhe korrikut të këtij viti, në komunën e Mitrovicës, në Vushtrri dhe në Drenas kanë dalë me raporte të vlerësimit, sipas së cilave dëmet kanë arritur në rreth 500 mijë euro. Nga përmbytjet dhe nga breshëri kanë pësuar kulturat bujqësore, pemët, serrat, rrugët e urat, ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje të dheut. Komuna e Skenderajt ende pa raport, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve nga reshjet e shiut (përmbytjet) dhe nga breshëri i këtij viti kanë përfunduar punën katër muaj pas reshjeve të shiut dhe të breshrit.

LEXO EDHE: LVV-ja pas 10 ditësh protesta 'për ta korrigjuar' Thaçin

Komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve nga shiu dhe breshëri i fillimvitit, majit, qershorit dhe korrikut të këtij viti, në komunën e Mitrovicës, në Vushtrri dhe në Drenas kanë dalë me raporte të vlerësimit, sipas së cilave dëmet kanë arritur në rreth 500 mijë euro.

Nga përmbytjet dhe nga breshëri kanë pësuar kulturat bujqësore, pemët, serrat, rrugët e urat, ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje të dheut. Vetëm Komuna e Skenderajt ende nuk e ka përfunduar raportin, ndonëse vlerësohet se edhe në këtë komunë dëmet kanë qenë shumë të mëdha.

Në Komunën e Skenderajt kanë thënë se komisioni vlerësues është ende duke punuar.

“Komisioni i formuar për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet dhe nga breshëri gjatë këtij viti nuk e ka përfunduar akoma punën. Aktualisht është në fazën e fundit të procesit të vlerësimit”, i ka thënë “Zërit” Jeton Rushiti, zyrtar për Informim në Komunën e Skenderajt, të martën. Rushiti tha se posa të përfundojë raporti opinioni do të informohet.

Dëmet në komunën e Mitrovicës, 131.000 euro

Sipas Raportit për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet dhe nga breshëri, në komunën e Mitrovicës më së shumti kanë pësuar shtëpitë, pastaj rrugët dhe kulturat bujqësore. 131 mijë euro janë vlerësuar dëmet nga shiu dhe nga breshëri në komunën e Mitrovicës.

Sipas raportit, Komisioni vlerësues ka konstatuar se dëmet në rrugë e në puseta fekale janë vlerësuar 35 mijë euro, dëmet e bizneseve dhe të fermave 8 mijë euro, 2.500 euro janë vlerësuar dëmet në ura të improvizuara (të vogla), dëmet e shtëpive të banuara dhe bodrumet janë vlerësuar 27 mijë euro, ndërsa dëmet nga shembja e dheut janë vlerësuar 35 mijë euro.

Sipas Komisionit vlerësues të Komunës së Mitrovicës, 12 mijë euro janë vlerësuar dëmet në sektorin e bletarisë dhe të fermerëve (3 mijë euro për 20 koshere bletësh dhe 9 mijë euro për 7 serra të dëmtuara). Në Komunën e Mitrovicës i thanë “Zërit” se Drejtoria e Mirëqenies Sociale për ta sanuar gjendjen e krijuar ka ndarë pako ushqimore për 10 familje në lagjen “2 Korriku”, për 7 familje në fshatin “Lisicë”, për 3 familje që janë strehuar në Stacionin e Trenit.

Në sanimin e gjendjes në komunën e Mitrovicës gjatë vërshimeve janë angazhuar Policia e Kosovës, QOER-i, kompania rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”, KFOR-i, OJQ-të, zhytësit e “Trepçës”, kompania Ujësjellësi Rajonal. Raporti i është dërguar Qeverisë së Kosovës, por që sipas zyrtarëve komunalë të Mitrovicës kompensimi ende nuk ka nisur të bëhet për të dëmtuarit.

Vushtrri: Dëmet nga vërshimet dhe nga breshëri, 118.500 euro

Edhe komuna e Vushtrrisë është goditur nga vërshimet e më të mëdhatë ishin në muajin korrik të këtij viti. Më së shumti janë goditur bujqit e komunës. Komuna e Vushtrrisëë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës kompensimin e dëmeve për bujqit.

Në pamundësi që t’i kompensojë dëmet e shkaktuara në bujqësi si pasojë e vërshimeve, Komuna e Vushtrrisë edhe zyrtarisht ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndajë mjete për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi si pasojë e vërshimeve.

“Komuna e Vushtrrisë gjatë muajit korrik është goditur nga vërshimet e shiut. Më këtë rast shumë ekonomive familjare dhe bujqve u janë dëmtuar mbjelljet bujqësore. Komuna e Vushtrrisë, duke u bazuar në ligj, ka themeluar Komision për vlerësim të dëmeve. Megjithatë, Komuna nuk ka buxhet të ndarë për të kryer këtë kompensim”, ka thënë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ai ia ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, nga i cili ka kërkuar mjete për kompensimin e dëmeve nga përmbytjet.

“Kërkoj me mirëkuptim nga Qeveria e Kosovës që të marrë vendim e të kompensojë këto dëme nga vërshimet për qytetarët dhe bujqit e Komunës së Vushtrrisë”, ka shkruar Tahiri në letrën dërguar kryeministrit Haradinaj, ndërkaq letrës ia ka bashkangjitur edhe raportin e dëmeve të Komisionit vlerësues, duke përfshirë edhe fotografi të dëmeve që janë shkaktuar si pasojë e vërshimeve.

E sipas vlerësimit të Komisionit Komunal, si pasojë e vërshimeve ekonomive familjare dhe bujqve të Vushtrrisë u janë shkaktuar dëme në vlerë 118.492.00 euro.

187 mijë euro dëmet nga breshëri dhe nga vërshimet në Drenas

Në komunën e Drenasit dëmet nga reshjet dhe nga breshëri janë vlerësuar në 187 mijë euro. Më së shumti kanë pësuar bujqit, pemëtarët dhe perimtarët e fshatrave Dobroshevc, Gllanasellë, Çikatovë e Vjetër, Tërstenik, Verbovc, Baicë, Gllobar, Polluzhë, Shtuticë e Gradicë, por dëme ka pasur edhe në fshatrat e tjera. Sipas raportit, më së shumti janë dëmtuar sipërfaqet e mbjella me grurë, pastaj pemët e serrat.

Fermerët janë ankuar se as Komuna e Drenasit e as Ministria e Bujqësisë nuk i kanë kompensuar për dëmet që u janë shkaktuar nga breshëri dhe shiu. Komuna e Drenasit ka edhe një raport të vlerësimit të dëmeve nga reshjet e shkurtit të këtij viti. Sipas këtij raporti, dëmet në bujqësi janë vlerësuar në 18.187.00 euro, ndërsa dëmet në biznese, në shtëpi dhe në institucione 17.168.00 euro.                                                                                                                    

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, i tha “Zërit”, të martën, se raportet vlerësuese u janë dërguar ministrive përkatëse, të shumtën Ministrisë së

Bujqësisë, por deri më tani Komuna nuk ka informacione nëse ndokush nga bujqit është kompensuar për dëmet që u janë shkaktuar.

“Komuna nuk ka informata nëse dikush nga bujqit është kompensuar për dëmet. Dihet tashmë se Komuna nuk ka mjete për t’i kompensuar dëmet. Ato kanë qenë të mëdha në komunën e Drenasit. Ka pasur edhe shembje të dheut, dëmtim të rrugëve, të gjitha janë vënë në letër dhe janë dërguar në Qeverinë e Kosovës, por deri më tani nuk janë sanuar dëmet”, ka thënë Dobra.