Zyra e Kryeministrit blen telefon afro një mijë euro

Ekonomia September 18, 2018 - 18:38
Lexo detajet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, qëkur e ka marrë detyrën ka blerë disa herë telefona të mençur për zyrën e tij, duke shpenzuar mijëra euro. Blerjen e parë në vlerë prej 8 mijë eurosh zyra e shefit të qeverisë e ka bërë një javë pasi ka filluar punën. Para disa muajve ishin blerë edhe dy telefonë, njëri në vlerë prej 890 eurosh dhe tjetri 780 euro. Blerjet kanë vazhduar.

Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i është shtuar edhe një pajisje e re teknologjike.

Hiç më larg se para katër ditësh Zyra e Kryeministrit ka blerë një telefon të mençur duke  shpenzuar fiks 990 euro.

Në njoftimin e publikuar në KRPP nuk është treguar se për kë është blerë ky telefon, dhe nuk janë dhënë shumë detaje për këtë çështje.

Në njoftimin “Furnizim me pajisje telekomunikuese” është treguar se fitues i tenderit është shpallur “Mobi Gega”.

Kontrata mes Zyrës së Kryeministrit dhe kompanisë fituese është nënshkruar më  11.09.2018, shkruan FaktePlus.

Një vit më parë, më 18 shtator 2017, Zyra e Kryeministrit të Kosovës kishte blerë telefona të mençur në vlerë prej 8 mijë eurosh.

Blerja e tyre ishte kritikuar nga shoqëria civile e njerëz të politikës. Por në Qeverinë e Kosovës patën thënë se blerja e telefonave të mençur ishte e domosdoshme.

Mirëpo, blerja e telefonave të mençur nuk ka përfunduar këtu. Para disa muajve ishin blerë edhe dy telefona, njëri në vlerë prej 890 eurosh dhe tjetri 780 euro.

Kurse, Zyra e Kryeministrit të Kosovës edhe sot është furnizuar me një telefon të mençur. Vlera e blerjes së tij është hiç më pak se 990 euro.