Qeveria dhe bizneset kundërshtojnë taksën në ''Rrugën e Kombit''

Ekonomia September 18, 2018 - 08:20
Mësoni më shumë detaje
Image

Automjetet me targa kosovare të cilat do të qarkullojnë në autostradën “Rruga  e Kombit” tash e tutje do të paguajnë taksën rrugore shtesë në vlerë prej 10 eurosh, derisa ato të Shqipërisë vetëm 5 euro. Një shumë e tillë po cilësohet e lartë nga Ministria e Infrastrukturës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vendimi i ri i qeverisë së Shqipërisë për vendosjen e tarifës prej 5 eurosh për shkuarje dhe po aq para për ardhje të automjeteve kosovare që qarkullojnë në “Rrugën e Kombit” ka gjetur kundërshtimin edhe të ministrit që udhëheq dikasterin e Infrastrukturës.

Ministri Pal Lekaj teksa ka komentuar vendosjen e taksës e ka konsideruar të lartë çmimin dhe të papërballueshëm njëkohësisht.

LEXO EDHE: Prokuroria përzien veteranët e vërtetë me ata mashtrues

Për gazetën ZëriLekaj ka paralajmëruar se papajtueshmërinë e njëjtë do ta shprehin në konferencën e dy qeverive, e cila pritet të mbahet në nëntor të këtij viti.

“E kemi theksuar që nga dita e shpalljes së vendimit për taksën e ‘Rrugës së Kombit’ se çmimi është i lartë, ekonomia familjare dhe qëndrueshmëria ekonomike e bizneseve tona nuk mund ta përballojnë ketë çmim në kuptimin kohor”, ka deklaruar ministri Lekaj.

LEXO EDHE: Edhe autostradat e Kosovës me pagesë

Ai ka kërkuar zgjidhje adekuate dhe më të pranueshme për çështjen në fjalë.

“Prandaj e ritheksojmë se do të duhej të gjendej një zgjidhje më adekuate dhe më e pranueshme për këtë çështje. Sidoqoftë, është në dorën dhe në autoritetin e institucioneve të shtetit shqiptar në ketë drejtim. Ne do ta shprehim papajtueshmërinë tonë për këtë çështje edhe në konferencën e dy qeverive, që po parashihet të mbahet në nëntor të këtij viti”, ka shtuar tutje ministri.

Përderisa automjetet me targa kosovare, të cilat qarkullojnë në “Rrugën  e Kombit” do detyrohen të paguajnë nga 10 euro taksë shtesë gjatë kalimit në atë pjesë për banorët e Kukësit çmimi i tarifimit do të mbetet vetëm një euro.

Kundërshtime thuajse të ngjashme ka shprehur edhe Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt.

Në një përgjigje për gazetën “Zëri” Shatri e quan pengesë vendosjen e një takse të tillë.

“Vendimi është çështje e autoriteteve shtetërore të Shqipërisë. Nuk kemi të drejtë të kontestojmë, por taksa është njëfarë pengese e paparaparë për komunikim më intensiv mes pjesës së popullit të Kosovës dhe të Shqipërisë që janë një komb. Ne e kemi konsideruar autostradën përveç infrastrukturë ekonomike si një projekt me shumë vlerë për aspekte  tjera, integrimin e kombit, integrimin në qarkullim mallrash, njerëzish”, është shprehur Shatri teksa e ka quajtur zbehje gëzimin në kohën kur është hapur për qarkullim autostrada.

Në mes tjerash ai ka komentuar edhe pagesën prej 10 eurosh, të cilën e ka quajtur barrë për një kategori të qytetarëve duke e matur me standardin jetësor.

Rukiqi: Me grupe të interesit nuk ka bashkëpunim me Shqipërinë

Vendimi e ka irrituar edhe kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqin. Rukiqi ka komentuar protestat në fillim të muajit qershor pas vendosjes së  taksës së lartë për “Rrugën e Kombit” dhe takimin me ministrat e qeverisë së Shqipërisë, për të cilin thotë se ndodhi sa për sy e faqe.

“Dy ministrat e qeverisë së Shqipërisë, Ahmeti dhe Gjinknuri, na priten një delegacion prej 20 personave nga komuniteti i biznesit. Fryma e takimit ishte që për qytetarët dhe bizneset të aplikohej taksë e njëjtë me banorët e Kukësit. Për bizneset ishte edhe opsioni i një pagese vjetore, me zbritje substanciale. Po shihet që takimi ishte sa për sy e faqe dhe presioni i grupeve të interesit e mbivotoi çdo vullnet politik për një zgjidhje jodiskriminuese për këtë taksë”, ka thënë i pari i OEK-ut.

Rukiqi ka treguar edhe hapat të cilët duhet të ndërmarrin tash e tutje bizneset kosovare pas vendosjes së kësaj takse.

“Çka i mbetet bizneseve nga Kosova: të hapin ndërmarrje fanatome në Kukës, të riorientohen në tregje tjera, sidomos me përfundimin e autostradës Prishtinë - Shkup. Me grupe të interesit me influencë në çdo vendim nuk ka dhe nuk do të ketë bashkëpunim ekonomik me Shqipërinë”, ka potencuar përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës.

Në anën tjetër edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, i ka vlerësuar të drejta reagimet e qytetarëve dhe të bizneseve kosovare sa i përket vendosjes së taksës.

“Plaçkitje nuk mund ta quajmë me vetë faktin se tarifa të ngjashme për mirëmbajtjen e rrugëve aplikohen pothuajse në të gjitha shtetet tjera dhe një e tillë natyrisht që parashihet të nisë të zbatohet edhe në Kosovë për mirëmbajtjen e autostradave”, ka thënë për gazetën “Zëri” Zeka.

Më tej drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se vendosja e taksës është në kundërshtim me përpjekjet që dy qeveritë e vendeve kanë bërë në aspektin e avancimit të marrëdhënieve dhe të zhvillimit ekonomik.

“Reagimi i qytetarëve dhe i bizneseve nga Kosova për vendosjen e një tarife ose takse të tillë për mirëmbajtjen e rrugës është i arsyeshëm për vetë faktin se institucionalisht është më e lartë. Natyrisht se tarifa është në kundërshtim me të gjitha përpjekjet që qeveritë e të dyja vendeve kanë bërë vitet e fundit sa i përket avancimit të marrëdhënieve  dhe zhvillimit ekonomik në nivel shumë më të lartë”, ka përfunduar ai.

Pakënaqësitë e manifestuara me protesta para gjysmë viti

Vendimi për vendosjen e tarifës në “Rrugën e Kombit” para gjysmë viti kishte ngjallur reagimin e qindra protestuesve shqiptarë, të cilët kërkonin largimin e tarifës së kalimit.

Ata e quanin të padrejtë këtë tarifë me arsyetimin se banorët e Kukësit i përkasin një komuniteti të varfër.  

Mirëpo, situata nuk kishte kaluar krejtësisht me qetësi, protestues të shumtë shqiptarë e nga Kosova filluan të hedhin gurë në drejtim të Policisë, derisa edhe u është vënë edhe flaka sporteleve në të cilat kryhej pagesa e tarifës së kalimit.

Për dallim nga herët e kaluara, për kalimin në këtë pjesë përveç pagesës, e cila po kundërshtohet shumë, shteti shqiptar është munduar të krijojë një paketë të ashtuquajturën lehtësirash për ata që e përdorin këtë rrugë.

Pajisja “Telepass” mundëson tarifimin e reduktuar të mjeteve të tilla, në të cilën thuhet të jetë përfshirë edhe një tarifë prej 100 lekësh me TVSH-në për çdo kalim për automjetet e regjistruara në rrethin e Kukësit.

Në bazë të publikimeve për bizneset nga Shqipëria dhe nga Kosova tarifimi i rrugës do të jetë nga 20 deri në 30 kalime në muaj me 10 për qind zbritje, nga 30 deri në 50 zbritja ngrihet në 20 për qind, derisa mbi 50 deri në 60 kalime gjatë muajit përdoruesi premtohet të përfitojë zbritje në masën 30 për qind dhe mbi 60 kalime zbritja shkon në 40 për qind të tarifës.