Nis aplikimi i taksës për ‘Rrugën e Kombit’ (VIDEO)

Ekonomia September 17, 2018 - 11:20
Lexoni më shumë detaje

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm ka filluar aplikimi i taksës për “Rrugën e Kombit”, raporton “Zeri.info”.

Në këtë video që ka siguruar “Zeri.info”, shihet se tashmë gjithçka ishte përgatitur për ditën e sotme dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë pengesë, pavarësisht se ishin paralajmëruar protesta.

Po ashtu vlen të theksohet se për shkak të paralajmërimit të protestave, në  “Rrugën e Kombit”, janë të pranishëm edhe njësite të Policisë.

Automjetet e vogla nga Kosova që do të kalojnë në këtë rrugë do të detyrohen të paguajnë nga 5 euro për një drejtim ose 10 euro vajtje-ardhje.

Kjo taksë vlerësohet se do ta rrisë koston e qytetarëve të Kosovës që do ta vizitojnë Shqipërinë, prandaj zyrtarë të Qeverisë së vendit e kanë kundërshtuar një taksë të tillë, duke u arsyetuar se për këtë gjë nuk janë konsultuar fare nga autoritetet në Tiranë.

Për t’i shmangur vonesat gjatë pagesës ose radhët e automjeteve në dispozicion të drejtuesve të tyre do të jenë 10 sportele, ndërsa banorët e Qarkut të Kukësit do të kalojnë në korsinë 1 dhe 10, me korsinë e parë në sensin Kukës -Tiranë dhe tjetra në kthim.

Në sportel do të bëhet verifikimi i targës dhe banorët lokalë do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh (0,80 euro) me TVSH. /ZËRI/