Serbia investon në Kosovë mbi 200 milionë euro

Ekonomia September 14, 2018 - 08:10
Lexo detajet
Image

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se është përgatitur plani i investimeve të projekteve në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë pas vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Investimet më të mëdha do të bëhen për të punësuarit në arsim e në shëndetësi (71 milionë euro), për vendbanimin “Lugina e Diellit” (25 milionë euro), për “Trepçën” (13 milionë euro), për QS (10 milionë euro), për ujësjellësin (6 milionë euro), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Kosovë javën që shkoi dhe premtimet e tij për investime në të gjitha fushat në komunat me shumicë serbe në Kosovë kanë rezultuar me hartimin e një plani të Zyrës Serbe për Kosovën për mbështetjen e projekteve që janë duke u realizuar ose që do të realizohen në komunat me shumicë serbe e të cilat do ta përbëjnë Asociacionin e Komunave Serbe (Zajednica), që pritet të formohet së shpejti.

Autoritetet serbe flasin për qindra milionë euro, të cilat Qeveria e Serbisë do t’i investojë në Kosovë, në komunat me shumicë serbe, të shumtën në katër komunat veriore.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se është duke u përgatitur plani i investimeve të një mori projekteve në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë pas vizitës dhe premtimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ndërkohë këtë e ka konfirmuar dhe e ka komentuar edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.

Sipas këtij të fundit, Zyra për Kosovën ka të gatshëm vlerësimin e kërkesave për investime në ekonomi dhe të nevojave sociale në komunat me shumicë serbe dhe së shpejti ndihmat do të arrijnë për popullin serb të Kosovës.                                                                                   

Serbia ndan një shumë të madhe të mjeteve për të punësuarit në institucione publike, në arsim e në shëndetësi (71 milionë euro), për vendbanimin “Lugina e Diellit” (25 milionë euro), për “Trepçën” në veri (13 milionë euro), për Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës (10 milionë euro) dhe për ujësjellësin që është duke u ndërtuar në Zubin Potok, për komunat veriore (6 milionë euro), por edhe në disa projekte të tjera gjithashtu milionëshe.

Simiq ka thënë se do të hartohet një plan aksional që do të përgatitet nga të gjithë resorët e ministrive, i cili do të sigurojë se investimet në terren do të shkojnë në vendin e duhur dhe që do të kenë efekt pozitiv.

“Serbia, duke iu falënderuar rezultateve gjithnjë e më të mira ekonomike dhe politikës së presidentit Vuçiq, pas shumë vjetësh ka planin e mjeteve që popullit serb në Kosovë t’i sigurojë jetë më të mirë dhe siguri. Në këtë proces do të inkuadrohen edhe bizneset, të cilët në Forumin në Leposaviq kanë treguar përkushtimin për investime në Kosovë. Në mesin e investimeve që janë paralajmëruar duhet veçuar investimet në ‘Trepçë’ rreth 13 milionë euro për fabrikën e akumulatorëve, në të cilën do të punësohet 250 deri në 300 punëtorë. Gjithashtu duhet veçuar edhe investimet prej 10 milionë euro që do të bëhen në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës. Kryetarët e komunave kanë marrë urdhëresën nga presidenti Vuçiq që të përgatisin edhe projekte të tjera me të cilat do të avancohet jeta e serbëve në Kosovë dhe që të hapen vende të reja të punës. Aktivitetet në këtë drejtim kanë filluar dhe ne jemi në kontakt të përhershëm dhe në bashkëpunim me Zyrën për Kosovës në Qeverinë e Serbisë. Lufta e presidentit Vuçiq për paqe dhe ftesa investitorëve të shtetit që të investojnë në Kosovë është mënyra më e drejtë që të sigurohet mbetja dhe qëndrimi i popullit serb në këto hapësira”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq, përcjellin mediet serbe në veri të Mitrovicës (“TV Most”, “Radio Kontakt Plus”).                                                        

Sipas të dhënave të Zyrës Serbe për Kosovën, në Leshak të Leposaviqit do të investohen 800 mijë euro për forcimin dhe riparimet në fabrikën “Lola Fot”, ndërsa në Leposaviq do të investohet një shumë e mjeteve edhe për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e peleteve për ngrohje, për ndërtimin e një hapësire për vendosjen e prodhimeve ushqimore në shkollën bujqësore dhe në disa projekte të tjera.

“Kur bëhet fjalë për Zubin Potokun, 825 mijë euro do të investohen për prodhimin e mobileve në repartin e fabrikës ‘Simpo’, ndërsa do të investohet edhe në projektin e fabrikës për përpunimin e pemëve dhe të perimeve, për hulumtimin e mundësive për ta riaktivizuar fabrikën e tekstilit ‘Javor’, si dhe ndërtimin e repartit për përpunimin e peshqve. Në veri të Mitrovicës do të investohet në ndërtimin e qendrës IT, ndërsa në Zveçan do të investohet në kompleksin turistik, kulturor e historik ‘Rajska Banja’, por që do të investohen edhe në ekonominë e vogël edhe 25 milionë euro për ndërtimin e vendbanimit ‘Lugina e Diellit’ e gjithashtu edhe për tharjen e pemëve”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Zyrës Serbe për Kosovën.                 

 Në Grçanicë do të investohet në ndërtimin e fermës për kultivimin e 10 mijë copë pulave, për rritjen e kapaciteteve të thertores, në Ranillug planifikohet ndërtimi i fabrikës së prodhimeve nga lëkura, fabrika për prodhimin e materialit sanitar në bashkëpunim me investitorët e Serbisë, si dhe ferma për kultivimin e 300 derrave.

Në Novobërdë do të realizohet projekti i fermës për kultivimin e 300 viçave, ndërsa në Kllokot do të ndërtohet komora ftohëse për 300 tonë.

Në Partesh do të investohet gjithashtu në një fermë të viçave, si dhe në ndërtimin e një reparti për përpunimin dhe paketimin e pemëve, ndërsa në Shtërpcë planifikohet ndërtimi i një frigoriferi për 300 tonë.

“Shteti i Serbisë ka orientuar 12 milionë dinarë (1 milion euro) për punimet në Liqenin e Gazivodes në Zubin Potok, ndërsa do të investohet edhe në ndërtimin e rrugës 3 kilometra të gjatë Vraçar – Rvatska, si dhe rruga nga Dreni i Zubin Potokut deri në Bajë të Skenderajt, si dhe për palestrën e sporteve në veri të Mitrovicës.

Për ujësjellësin në Zubin Potok, në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të ndajë 6 milionë euro, ndërsa deri më tani për ujësjellësin për tri komunat veriore janë dhënë 9 milionë euro, për vendbanimin për të kthyerit te “Lugina e Diellit” Qeveria e Serbisë ka ndarë edhe 25 milionë euro. Për internetin në shkollën bujqësore në Leposaviq e Leshak do të investohen 1.2 milion euro, ndërkaq do të investohet edhe për komercionalizimin e Qendrës Ekologjike dhe zhvillimin e sportit në Zubin Potok”, precizohet në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ndërsa në fund potencohet edhe gatishmëria e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq që të rritet shtesa kosovare për të punësuarit në sektorin publik, gjegjësisht në shëndetësi, në arsim, për institucionet sociale dhe për këtë qëllim janë siguruar 71 milionë euro.