Ministria e Infrastrukturës: Shqipëria mori vendim të njëanshëm për taksën në ‘Rrugën e Kombit’

Ekonomia September 12, 2018 - 15:22
Lexo detajet

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka njoftuar ditë më parë se duke filluar nga data 17 shtator do të nisë tarifimi në autostradën Milot-Morinë.

Sipas të njëjtit vendim, tarifa për kalimin e automjeteve do të jetë 660 lekë ose pesë euro, shkruan lajmi.net.

Ndërkaq që për banorët e qarkut të Kukësit, kjo tarifë është reduktuar në 100 lekë për kalim deri në 44 kalime në muaj.

Mirëpo, tarifa në ‘Rrugën e Kombit’ do ta prekë edhe xhepin e qytetarëve të Kosovës, kur dihet se gjatë sezonit të verës mirëpo edhe gjatë periudhave të tjera ata ia mësyjnë Shqipërisë për të kaluar pushimet.

Si e tillë, kjo tarifë po konsiderohet si jo e drejtë dhe e njëanshme e vendosur nga shteti shqiptar.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë sot për lajmi.net se vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme nga shteti shqiptar.

Ai po ashtu ka bërë të ditur që ministria e Infrastrukturës e Kosovës ka kërkuar takim me dikë nga institucionet përkatëse në Shqipëri, mirëpo të njëjtit nuk  i janë përgjigjur një thirrjeje të tillë.

“Për këtë nuk pasur diskutime apo takime, vendimi është marrë njëanshëm. Tarifa nuk është e drejtë, për shkak që momentin e parë ne kemi bërë kërkesë që të takohemi me ministrin e Infrastrukturës së Republikës së Shqipërisë, ai nuk e ka pa të udhës që të takohemi, dhe sot e atë ditë ai nuk e ka parë të rrugës që të takohemi për tarifën e kalimit në autostradë. Atëherë vendimi është i njëanshëm, dhe nuk mund t’i caktojmë politikat e Republikës së Shqipërisë, mirëpo reagimi jonë ka qenë në momentin dhe kohën e duhur”, ka thënë Kadriu për lajmi.net.

Nga ana tjetër përfaqësues të biznesit pretendojnë se duhet të ishin përjashtuar nga pagesa, ndërkohë që nuk mungojnë edhe banorë të Kukësit që mendojnë se tarifa e reduktuar prej 100 lekësh për ta është e përballueshme.