10.214 kontrata të prokurimit janë nënshkruar gjatë vitit 2017

Ekonomia September 12, 2018 - 08:07
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor ka raportuar se gjatë vitit 2017 subjektet publike kanë nënshkruar 10.214 kontrata prokurimi me vlerë rreth 460 milionë euro. Për parregullsi gjatë proceseve të prokurimit gjatë vitit që lamë pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) janë bërë 553 ankesa. Po ashtu gjatë monitorimit të 9.959 dokumenteve të prokurimit Komisioni Rregullativ i Prokurimit  kishte gjetur gjithsej 161 gabime, të cilat kishte kërkuar që të korrigjohen para se ato të publikohen, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Hiç më pak se 10.214 kontrata të prokurimit janë nënshkruar gjatë vitit 2017 nga institucionet qendrore, lokale dhe ato të pavarura, të cilat financohen nga buxheti i shtetit.

LEXO EDHE: Opozita në kërkim të rrugës për rrëzimin e Qeverisë

Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se vlera e kontratave të nënshkruara gjatë vitit që lamë pas ka qenë 460 milionë euro. Aty më tutje në raport thuhet se sistemi i prokurimit publik gjatë vitit 2017 ka shënuar një progres të lehtë.

Sipas ZKA-së, progresi më i theksuar në këtë fushë është përdorimi i platformës së prokurimit elektronik, i cili gjatë këtij viti ka gjetur përdorim pothuajse në të gjitha autoritetet kontraktuese.

Platforma e prokurimit elektronik në veçanti është përdorur nga organizatat e qeverisjes qendrore, me përjashtim të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila e ka zbatuar në mënyrë të pjesshme. Kjo platformë gjithashtu është zbatuar edhe në 33 komuna, ndërsa është përdorur pjesërisht në tri prej tyre, ndërsa në dy të tjera nuk është përdorur fare. Sa u përket institucioneve të pavarura, e-prokurimi ishte përdorur për të gjitha kontratat me vlerë mbi 10.000 eurosh.

Mirëpo për vlera prej 1.000 eurosh deri në 10.000 euro ishte përdorur në vetëm gjashtë prej tyre, ndërsa shtatë institucione nuk e kishin përdorur sistemin e e-prokurimit për vlerat e vogla.

Vlen të theksohet se për 16 institucione të pavarura procedurat e prokurimit publik janë zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).

Më tutje në këtë raport thuhet se raportet individuale të auditimit të rregullsisë edhe këtë vit vënë në pah një sërë dobësish në procedurat e prokurimit, duke filluar nga planifikimi, zhvillimi i procedurave dhe deri te menaxhimi i kontratave.

“Gjatë këtij viti subjektet publike kanë nënshkruar 10.214 kontrata, me vlerë rreth 460 milionë euro, andaj mbarëvajtja efektive e procesit të prokurimit është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë vendore”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Evidentohen 161 gabime në dosjet e tenderëve

Më tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se gjatë vitit që lamë pas Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik gjatë monitorimit të një numri të konsiderueshëm të dosjeve të tenderit ka identifikuar 161 gabime, të cilat sipas Auditorit janë korrigjuar nga autoritetet kontraktuese.

“Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik është agjenci e pavarur dhe është përgjegjëse për zhvillimin, për funksionimin dhe për mbikëqyrjen e përgjithshme të sistemit të prokurimit publik në Kosovë.  KRPP-ja gjatë vitit kishte nxjerrë dy rregullore të reja dhe kishte publikuar nëntë interpretime ligjore me të cilat numri i interpretimeve të publikuara në uebfaqen të KRPP-së arrin në 57. Veç kësaj, KRPP-ja ka edhe tavolinën ndihmëse në shërbim të AK-ve për t’i sqaruar paqartësitë e procesit e në funksion të kësaj kishte dhënë interpretime për 2.666 çështje të ngritura nga autoritetet kontraktuese”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se në fushën e monitorimit KRPP-ja kishte monitoruar gjithsej 9.959 dokumente të prokurimit të AK-ve dhe kishte gjetur gjithsej 161 gabime, të cilat kishte kërkuar që të korrigjohen para se ato të publikohen.

553 ankesa në OSHP

Më tutje në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se gjatë vitit Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pranuar 553 ankesa për prokurimet publike, për partneritetet publiko-private e ankande dhe duke krahasuar me vitin paraprak ka një rritje të numrit të ankesave afër 15%.

Në vendimet e OSHP-së lidhur me ankesat që janë paraqitur vërehet se më shumë se gjysma e tyre ose 281 raste janë kthyer në rivlerësim.

Sipas ZKA-së, edhe në vitin 2017 sikurse në vitet e kaluara shkeljet më të shpeshta nga AK-të ndaj të cilave janë ushtruar ankesa nga ana e operatorëve, kanë të bëjnë me: ekonomicitetin dhe me efikasitetin, barazinë në trajtim/jodiskriminim, mjetet për promovimin e transparencës, dosjen e tenderit, specifikimet teknike, ekzaminimet, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve dhe kriteret për dhënien e kontratës.

“Ankesat janë drejtuar për 93 AK-të të ndryshme, ku bëjnë pjesë institucionet qendrore, komunat, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike. Rritja e ankesave, e krahasuar me vitin paraprak, ishte 24%. Operatorët në raste të caktuara nuk kanë respektuar as vendimet e OSHP-së dhe për shkak të kësaj gjatë vitit OSHP-ja kishte shqiptuar gjoba”, thuhet në raportin e Auditorit.