Pse Blerand Stavileci nuk mund të bëhet drejtor i KEK-ut

Ekonomia September 11, 2018 - 19:00

Ish- ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, pretendon të bëhet drejtor menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës. Por në këtë pozitë, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli,mund të vijë vetëm duke shkelur mbi ligjin, shkruan AktivPress.

Ligji për Ndërmarrjet Publike është pengesa e parë e madhe e tij. Ky ligj e sanksionon qartë se kush mund të emërohet në pozita të larta të një ndërmarrjeje publike.

Shprehimisht në ligj thuhet se në të tilla pozita nuk mund të emërohet dikush që “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i  zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

E Stavileci ka qenë dhe vazhdon të jetë i emëruar politik nga kryeparlamentari Veseli.

Neni 21 pika 4 e po këtij ligji e përcakton se për përzgjedhjen e personave për emërim si zyrtarë të NP-së, Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës.

“Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë persona me integritet të njohur të cilët i plotësojë kushtet e kualifikimit sipas Nenit 17.1, (ii) i plotësojnë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2, pikat (d), (f), (j), (k) dhe (l) dhe (iii) kanë përvojën e nevojshme profesionale dhe shkollimin e kërkuar për pozitën në fjalë”, thuhet në ligj.

Se a i plotëson këto kritere dhe kriteret tjera te parapara me konkurs, Stavileci dhe kushdo tjetër duhet te nënshkruaj një deklaratë nën betim. Aty ai duhet te betohet se nuk është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit nuk ka qenë zyrtar i  zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

“Çdo përgënjeshtrim material – qoftë i qëllimshëm ose nga neglizhenca – ose ndryshim material nga informatat e dhëna në deklaratën e cekur më sipër do rezultojë me diskualifikim të menjëhershëm dhe nëse është e aplikueshme, largimin e personit nga KEK”, thuhet në Deklaratën nën betim.

Mirëpo pozita e Stavilecit si i emëruar politik ka qenë e lartë dhe e njohur botërisht për opinionin, qoftë si ministër i Zhvillimit Ekonomik, qoftë si këshilltar politik i kryeparlamentarit.

Vetë Veseli është zotuar se do të luftoi për depolitzimin e pozitave të larta publike.

Ai e ka pranuar se në të kaluarën ka pasur kritika lidhur me procesin e rekrutimit të njerëzve në pozita të tilla, prandaj, sipas siç ka thënë ai, në bashkëpunim edhe me Ambasadën Britanike në Kosovë, do të luftohen pabarazitë dhe do të ndihmohet në përzgjedhjen e kuadrove profesionale.

“Kosova ka nevojë për ambient të pa korruptuar. Jam i vendosur që t’i shkojë deri në fund dekriminalizimit politik e shoqëror. Kjo është duke ndodhur duke iu falënderuar këtij bashkëpunimi. Ky projekt ndihmon Kosovën që të ecë përpara dhe të rritë besueshmërinë e kuadrove profesionalë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Edhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Veselin, ka thënë se ky akt është një nga lajmet më të mira në dy vitet e fundit, nëpërmjet të cilit, sipas tij, do të adresohen rastet e nepotizmit.

Rasti Stavileci do ta dëshmojë nëse zotimet e Veselit dhe O’Connellit janë të njëmenda apo vetëm farsë.

Pos Stavilecit, në garë për kreun e KEK-ut janë edhe: Ilmi Azemi, Fatmir Sfishta, Istref Klinaku, Adil Jonuzi, Naser Rusinovci, Njazi Thaçi, Edmond Nulleshi, Agim Nika, Ali Krasniqi dhe Nexhmi Leci.

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Arben Gjukaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Menaxhues  dhe menjëherë Bordi kishte emëruar Ushtrues detyre të drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçin./AktivPress/

Image 
Image