4815 të punësuar me kontrata për shërbime të veçanta

Ekonomia September 11, 2018 - 08:30
Lexoni më shumë detaje

Image

 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë vitit që lamë pas numri i të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta në ministri dhe në institucione të pavarura ishte 1.886, ose 613 më shumë sesa në vitin paraprak. Situatë e njëjtë qëndron edhe me institucionet e nivelit lokal, të cilat numrin e të angazhuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta e kishin 2.929, që krahasuar me vitin 2016 kemi një rritje prej 1.553, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në fund të vitit që lamë pas numri i të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta në institucione qendrore, lokale, por edhe të pavarura ka arritur në 4815, ose hiç më pak se 2166 të punësuar më shumë sesa në vitin paraprak.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor ka raportuar se duke u bazuar në Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) numri i të angazhuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta në vitin 2017 në institucionet e nivelit qendror (në ministri dhe në institucione të pavarura) ishte 1.886, shkruan më tutje "Zëri".

Duke e krahasuar me vitin e kaluar, ku numri i të angazhuarve ishte 613, këtë vit kemi një rritje prej 1.273, ose trefishim të këtij numri.

“Nëse i analizojmë të dhënat nga viti i kaluar 2016 dhe i krahasojmë me të dhënat e vitit 2017 mund të vërehet që numri i të angazhuarve me marrëveshje të veçanta tek institucionet e pavarura është rritur në total për 855, ose shprehur në përqindje 566%. Mirëpo ky numër i lartë është ndikuar nga 904 të angazhuar më shumë se vitin e kaluar nga KQZ-ja për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nëse e anashkalojmë rritjen e këtij numri në KQZ dhe supozojmë se do të ishte numri i barabartë me vitin e kaluar, atëherë del që janë 49 të angazhuar më pak se në vitin 2017, ose numri i këtyre angazhimeve është zvogëluar për 33%, duke e krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në raportin e ZKA-së, të cilin e ka siguruar gazeta Zëri.

2.929 të punësuar në institucione lokale

Aty më tutje thuhet se situatë e njëjtë qëndron edhe me institucionet e nivelit lokal, të cilat kishin numrin e të angazhuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta 2.929, që krahasuar me vitin 2016 ky numër ishte 1.376, këtë vit kemi një rritje prej 1.553 më shumë, duke e krahasuar me një vit me parë.

“Çështjet kryesore që kanë dalë nga raportet individuale të auditimit për vitin 2017 sa u përket të angazhuarve përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta ishin: angazhimi i tyre pa procedura të rekrutimit siç kërkojnë rregullat ligjore; periudha e angazhimit të zyrtarëve më e gjatë sesa afati i përcaktuar me rregulla, mosndalja në burim e tatimit dhe e kontributeve për këta punonjës dhe kontratat e lidhura për këto pozita ishin për pozita të rregullta e jo për ekspertë të fushave përkatëse, për çka lejohet ky lloj angazhimi”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

859 të punësuar, jashtë listës së pagave

Më tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se në vitin 2017, sipas PFV-ve, numri total i të punësuarve jashtë listës së pagave në nivelin qendror ishte 461 (në ministri dhe në institucionet e pavarura). Numri më i madh i tyre ishte në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (387).

“Këta punëtorë janë specializantë dhe specialistë, të cilët nuk janë në listat e pagave në QKUK, mirëpo janë prezentë vetëm në mbajtje të kujdestarive. Arsyet pse nuk janë rekrutuar sipas procedurave të rregullta të rekrutimit për të njëjtët ishte mungesa e buxhetit. Pjesa tjetër e të punësuarve jashtë listës së pagave ka të bëjë kryesisht me të angazhuarit në projektet e financuara nga donatorët”, thuhet në raport.

Sa u përket të punësuarve jashtë listës së pagave tek institucionet e pavarura aty janë 74, e që sipas raportit të ZKA-së ata janë ekspertë për të cilët organizata nuk ka nevojë të përhershme.

Ndërkaq te niveli komunal numri i të punësuarve jashtë listës së pagave ishte 324.

“Disa nga këta kishin të bënin me të angazhuarit në projektet e financuara nga donatorët dhe disa ishin paguar nga kategoria e mallrave dhe e shërbimeve si shërbim i kontraktuar”, thuhet në raport.

Shpenzimet në nivel qendror rriten për 55% e në atë lokal 76%

Sipas Auditorit, qëllimi i lidhjes së Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta dhe Kontrata Pune për Detyra Specifike është angazhimi i personave të tjerë për punët e përkohshme të cilat nuk mund të kryhen nga punonjësit e rregullt.

Sipas raportit të ZKA-së, këtu hyjnë punët e ekspertëve të caktuar, punët e rastit që kërkojnë njohje të veçantë teknike, punët në ofrimin e shërbimeve edukative-trajnuese etj.

“Ministria e Administratës Publike nuk kishte hartuar legjislacionin sekondar dhe procedurat e qarta për këtë lloj angazhimi, përmes të cilit do të përcaktoheshin kushtet dhe kriteret e angazhimit. Në anën tjetër, ministritë dhe komunat e audituara kishin angazhuar punonjës me këto marrëveshje/kontrata pa ndonjë planifikim të mirëfilltë dhe monitorim formal lidhur me performancën e tyre. Raportimi nuk ishte i plotë dhe i saktë, po ashtu edhe kostot financiare janë rritur, të krahasuara me vitin paraprak”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Aty më tutje thuhet se angazhimi i punonjësve me marrëveshje/kontrata në vitin 2016 ishte rritur, i krahasuar me vitin 2015 e me këtë janë rritur edhe kostot e financimit të këtyre marrëveshjeve.

“Në nivelin qendror në vitin 2016 shpenzimet për këtë lloj angazhimi ishin rritur për 55% krahas vitit 2015, ndërsa në nivelin lokal ishin rritur për 76%”, thuhet në raport.

Rekomandimet e Auditorit

Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë rast ka rekomanduar që të vendosen procese efektive për të siguruar që procesi i hartimit i BRK-së 2018 i adreson të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pajtueshmërinë dhe me kërkesat e raportimit financiar.

Sipas Auditorit, çështjet e ngritura në bazën e opinionit duhet të adresohen si çështje prioritare në fushën e përmirësimeve.

Po ashtu buxhetimi i shpenzimeve duhet të bëhet në kategori ekonomike adekuate. Më tej, procesi i konsolidimit duhet të përfshijë regjistrimin dhe raportimin e plotë të pasurive, si dhe informata plotësuese për detyrimet kontingjente.

“Të sigurojë një planifikim të mirë të OB-ve të qeverisjes qendrore që realizojnë të hyra jotatimore (taksa, ngarkesa dhe të tjera), në mënyrë që t’i shmanget praktikës së deritashme të planifikimit në bazë të të dhënave historike dhe përcaktimit vetëm të shumave totale. Ministria e Financave në koordinim me komunat të zhvillojë një proces më efikas të monitorimit dhe të vlerësimit të planit për grumbullimin e të hyrave, të identifikohen shkaqet për mospërmbushjen e planit dhe kjo të reflektohet në planifikimet buxhetore”, thuhet në rekomandimet e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se Thesari/Divizioni për Monitorim të fuqizojë kontrollet në procesin e ekzekutimit të pagesave sipas Nenit 39.2, duke dëshmuar një analizë të plotë dhe të mbështetur me dëshmi.

“Një rishikim më kritik i raporteve për obligimet e papaguara është i nevojshëm dhe aty ku vonesat dhe vlera e obligimeve është materiale ta adresojë çështjen te zyrtarët më të lartë në zinxhirin llogaridhënës të organizatës përkatëse”, thuhet në fund.