Nëntë ndërmarrje publike kanë 95 milionë euro borxhe

Ekonomia September 06, 2018 - 07:58
Lexoni më shumë detaje

Image

 

Gjatë analizimit të gjendjes financiare të nëntë ndërmarrjeve publike qendrore e lokale Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se detyrimet afatshkurta të tyre janë në vlerë mbi 10 milionë euro, derisa detyrimet afatgjata kalojnë shumën e mjeteve prej më shumë se 65 milionë eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Më shumë se 95 milionë euro është shuma e borxheve të nëntë ndërmarrjeve publike qendrore e lokale.

Në raportin vjetor Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se detyrimet afatshkurta të tyre janë në vlerë mbi 10 milionë euro, derisa detyrimet afatgjata kalojnë shumën e mjeteve prej më shumë se 65 milionë eurosh.

LEXO EDHE: Shteti, 199 milionë euro borxhe bizneseve dhe qytetarëve

Duke u bazuar në raportin e ZKA-së shihet se të hyrat e ujësjellësit “Prishtina” gjatë vitit që lamë pas kanë qenë 15.9 milionë euro, shpenzimet 15.4 milionë euro, detyrimet afatshkurta 2.1 milionë euro, derisa detyrimet afatgjata 58.1 milionë euro, shkruan më tutje "Zëri".

Po ashtu edhe ujësjellësi “Hidrogjeni Jugor” në Prizren gjatë vitit që lamë pas ka pasur të hyra prej 5.4 milionë eurosh, shpenzime prej 5.3 milionë eurosh, detyrime afatshkurta në vlerë prej 3.7 milionë eurosh, si dhe detyrime afatgjata në vlerë prej 9.6 milionë eurosh.

Duke i krahasuar me këto dy të parat në gjendje më të rëndë është Stacioni i Autobusëve në Prishtinë dhe sipas të dhënave të ZKA-së shihet se gjatë vitit që lamë pas ka pasur të hyra prej 1 milion eurosh, 1.3 milionë euro shpenzime, ku në fund të vitit financiar humbjet e kësaj kompanie kanë qenë 224 mijë euro.

Po ashtu ndërmarrja në fjalë ka detyrime afatshkurta në vlerë prej 93 mijë eurosh, derisa detyrime afatgjata nuk ka fare.

Po ashtu duke u bazuar në të dhënat zyrtare të ZKA-së shihet se gjatë vitit që lamë pas kompania për menaxhimin e deponive ka pasur të hyra prej 2.2 milionë eurosh dhe nga kjo shumë 1.9 milion euro janë shpenzime.

Po ashtu edhe kjo NP ka detyrime afatshkurta prej 487 mijë eurosh, derisa detyrimet afatgjata janë në vlerë prej 1.5 milion eurosh.

Ndërmarrja publike “Hortikultura” në Prishtinë sipas të dhënave zyrtare të ZKA-së shihet se gjatë vitit që lamë pas ka pasur të hyra 1 milion euro, 958 mijë euro shpenzime, derisa obligimet afatshkurta kapin vlerën prej 20 mijë eurosh e detyrime afatgjata nuk ka fare. 

Po ashtu edhe NP “Trainkos” sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2017 ka pasur të hyra 4.1 milionë euro, shpenzime 4 milionë euro, 1.5 milionë euro detyrime afatshkurta, si dhe 3.9 milionë euro detyrime afatgjata.

2.2 milionë euro detyrime, 320 mijë euro të hyra vjetore

Po ashtu edhe kompania për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë gjatë vitit që lamë pas ka pasur të hyra prej 1.6 milion eurosh, shpenzime 1.6 milion euro, detyrime afatshkurta 2.2 milionë euro, si dhe detyrime afatgjata 190 mijë euro.

Detyrime afatgjata prej më shumë se 8.8 milionë euro ka edhe aeroporti jofunksional i Gjakovës. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se të hyrat e kësaj ndërmarrjeje kanë qenë 680 mijë euro, po kaq edhe shpenzimet, derisa detyrimet afatshkurta kanë qenë në vlerë prej 5,5 mijë eurosh.

Po ashtu edhe NP “Drini i Bardhë” në Pejë gjatë vitit që lamë pas ka pasur të hyra prej 381 mijë eurosh, shpenzime prej 320 mijë eurosh, detyrime afatshkurta prej 100 mijë eurosh, si dhe detyrime afatgjata 2.6 milionë euro.

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se ndërmarrjet publike nuk kanë prezantuar raportime të sakta të llogarive si në regjistrat kontabël, ashtu edhe në Pasqyrat Financiare Vjetore.

“Vetëm një nga nëntë prej tyre (Stacioni i Autobusëve) në fund të vitit ka prezantuar rezultat negativ financiar, ndërsa ndërmarrjet tjera kanë pasqyruar fitime në fund të vitit. Mirëpo, sipas auditimit, për shkak të gabimeve materiale në Pasqyrën e të Ardhurave, ndërmarrjet të cilat po ashtu kanë operuar me humbje ketë vit janë edhe: HK ‘Trainkos’ sh.a, KRM ‘Uniteti’ sh.a dhe KRU ‘Drini i Bardhë’ sh.a. Pasqyra më lart prezanton shifra shqetësuese për stabilitetin financiar të këtyre ndërmarrjeve. Ato, të gjitha së bashku, kanë mbi 10 milionë detyrime afatshkurtra të financimit dhe mbi 85 milionë detyrime afatgjata. Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, duke marrë parasysh faktin se të gjithat janë në kufij të rentabilitetit e në terma realë operojnë edhe me humbje”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Subvencione për mbulimin e deficiteve

Aty më tutje thuhet se Qeveria jep shuma të konsiderueshme të subvencioneve për mbulimin e deficiteve operative dhe për sa kohë që vazhdojnë tendencat e tilla në këto ndërmarrje barra financiare e Qeverisë vetëm sa do të ngarkohet edhe më shumë.

Madje parimi i vazhdimësisë së veprimtarisë në disa prej tyre mund të vijë në pikëpyetje serioze.

“Konkluzionet tona janë se bordet drejtuese të ndërmarrjeve publike nuk janë mjaft të përkushtuara për vendosjen e politikave dhe të strategjive të qarta për tejkalimin e gjendjes aspak të mirë në mjediset ku veprojnë, prandaj në kushte të tilla përfshirja më aktive e Qeverisë në zgjidhjen e problemeve është nevojë e pakapërcyeshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori e ka rekomanduar Qeverinë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që të marrë masa të menjëhershme për shqyrtimin e gjendjes së përgjithshme të këtyre ndërmarrjeve publike.

“Bordet drejtuese të këtyre ndërmarrjeve duhet të kenë rolin kyç në adresimin e problemeve më kryesore me të cilat përballen ndërmarrjet dhe më pas të përcaktojnë një pako masash e veprimesh, të cilat duhet të zbatohen me qëllim të eliminimit të gjendjes ekzistuese. Përveç çështjeve menaxhuese dhe operative, përqendrimi i veçantë i shqyrtimeve duhet të jetë gjendja e detyrimeve afatshkurtra e afatgjata dhe aftësia likuiduese e ndërmarrjeve kundrejt detyrimeve që kanë”, thuhet në rekomandim.