Shteti, 199 milionë euro borxhe bizneseve dhe qytetarëve

Ekonomia September 04, 2018 - 08:25
Mësoni më shumë detaje
Image

Në fund të vitit që lamë pas shuma e detyrimeve të papaguara të institucioneve ka arritur në 199,410,813 euro, që duke krahasuar me vitin 2016 ishte zvogëluar për 16,271,187 euro ose rreth 8%. Sipas të dhënave të prezantuara në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) shihet se rritje të obligimeve ka vetëm tek organizatat e nivelit lokal përderisa në nivelin qendror ka zvogëlim të detyrimeve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gati 200 milionë euro ka arritur shuma e borxheve të cilat institucionet e vendit ua kanë bizneseve për punë të kryera përmes tenderëve publikë, por edhe qytetarëve të cilëve u është marrë prona për realizim të projekteve të ndryshme, por nuk u është kryer fare kompensimi.

LEXO EDHE: Kuvendi sot përcaktohet kundër ndryshimit të kufijve

Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se shuma e detyrimeve të papaguara në fund të vitit 2017 kishte arritur në 199,410,813 euro, që duke krahasuar me vitin 2016 ishte zvogëluar për 16,271,187 euro ose rreth 8 për qind, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas ZKA-së, rritje të obligimeve ka vetëm tek organizatat e nivelit lokal, përderisa në nivelin qendror ka zvogëlim të detyrimeve.

Por një shumë e madhe parash prej 141 milionë e 767 eurosh  qytetarët e bizneset po pretendojnë ta marrin nga shteti përmes padive që ua kanë bërë institucioneve dhe nga kjo shumë 75 milionë euro është shuma e padive për nivelin qendror derisa pjesa tjetër prej 66 milionë eurove për nivelin lokal.

120 milionë euro borxhe për shpronësim

“Nga vlera e detyrimeve të papaguara, rreth 85 për qind e totalit të tyre, i takon nivelit qendror, nga të cilat 74% për qind kanë të bëjnë me: Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor 120,744,000 euro, që kryesisht ndërlidhen me procesin e shpronësimit,  Ministrinë e Infrastrukturës, detyrimet e së cilës janë 22,588,872euro, e kryesisht i përkasin kategorisë së investimeve kapitale. Pjesa më e madhe e detyrimeve të papaguara (15,306,323€) i takojnë ‘Bechtel & Enka’-s dhe kanë të bëjnë me ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me subvencione dhe me mallra/shërbime, si dhe Ministrinë e Bujqësisë, që ka prezantuar detyrime 9,324,498 euro, prej të cilave 7,009,157 euro janë detyrime kontraktuese për grante të cilat pritet të ekzekutohen gjatë vitit 2018. Ndërsa vlera prej 2,225,341 eurosh janë fatura të papaguara”, thuhet në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Aty më tutje thuhet se detyrimet e papaguara (përveç atyre për shpronësime dhe grante) janë rezultat i mungesës së fondeve të mjaftueshme për pagesën e tyre, si dhe të pranimit dhe të procesimit të faturave me vonesë.

Auditori ka konstatuar se përveç kësaj edhe cilësia e raportimit ishte e dobët.

“Në raste të caktuara, organizatat buxhetore nuk i kishin raportuar detyrimet e tyre rregullisht në MF e në disa raste tjera detyrimet e raportuara nuk ishin të plota. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e OB-ve kanë krijuar vonesa në pagesat e faturave të cilat shkaktojnë efekte negative në menaxhimin e buxhetit, duke ngarkuar buxhetet e vitit vijues dhe pamundësojnë arritjen e objektivave të planifikuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

141 milionë euro kërkesa për kompensim përmes padive

Përveç borxheve prej 200 milionë eurosh, një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 141 milionë eurosh bizneset dhe qytetarët po pretendojnë ta marrin nga shteti përmes padive të ndryshime.

Në raportin vjetor të ZKA-së thuhet se detyrimet kontingjente janë pretendime të ndryshme nga ana e paditësve, të cilët kanë gjasa që në të ardhmen të krijojnë detyrime financiare për organizatat buxhetore varësisht prej vendimeve të gjykatës, të cilat mund të jenë në favor të palëve paditëse. Këto kanë të bëjnë me kompensime për shpronësime, për kompensim të borxhit, të dëmit material, të pagave dhe kompensime tjera.

“Shuma e detyrimeve kontingjente në fund të vitit 2017 sipas auditimit është 141,767,247 euro, që duke krahasuar me vitin 2016 ka pësuar një rritje prej 86,668,067 eurosh”, thuhet në raport. Sipas ZKA-së, rreth 53% të totalit të detyrimeve kontingjente i takojnë nivelit qendror, nga të cilat 55% kanë të bëjnë me subjektet si më poshtë: Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, detyrimet e të cilit vlerësohen 15,355,486 euro. Sipas Auditorit, këto detyrime pothuajse të gjitha janë të këtij viti. “Nëse paditë rezultojnë në favor të palëve gjatë vitit 2018 ndikimi buxhetor do të jetë i madh edhe për Qeverinë, pasi për vitin 2018 buxheti fillestar për ARKEP-in është vetëm 1,502,744 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.  

Aty më tutje thuhet se Ministria e Infrastrukturës ka detyrime të tilla në shumë prej 14,708,862 eurosh, të cilat potencialisht mund të shndërrohen në borxhe faktike.

Ministria edhe vitin e kaluar kishte gjendje të ngjashme të detyrimeve (14,407,675€), të cilat nëse ndodhin do të ngarkojnë buxhetin e viteve vijuese dhe ndaj Ministrisë së Financave ka pretendime për borxhe të tilla në shumë prej 11,846,000 eurove, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me padi ndaj Doganës së Kosovës (99%).

“Vlen të theksohet se Ministria e Financave nuk ka pasur një praktikë pune të bashkëpunimit me Avokaturën Shtetërore për t’i konfirmuar këto informacione dhe lidhur me këtë është dhënë rekomandim në raportin e auditimit për MF-në. Në nivel të përgjithshëm të detyrimeve kontingjente komunat kanë 66,165,280€ ose 47% të totalit të detyrimeve. Vetëm Komuna e Rahovecit sipas auditimit kishte detyrime të tilla 32,499,129€, ndërsa në PVF-të e saj këto detyrime ishin nënvlerësuar për 29,312,700€. Me rastin e auditimeve individuale ne kemi gjetur mospërputhje të mëdha në mes të detyrimeve të raportuara nga OB-të dhe gjendjes faktike të detyrimeve”, thuhet më tutje në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit.