Rritje drastike e shpenzimeve për veteranët

Ekonomia August 28, 2018 - 08:38
Lexo detajet
Image

Pagesat për pensionet e veteranëve të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po rriten nga muaji në muaj. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 për pensionet e veteranëve janë shpenzuar 20.2 milionë euro e derisa gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kjo shumë ka arritur në 37.8, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Për dy vjet shpenzimet për pagesat e pensioneve të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thuajse janë dyfishuar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 për pensionet e veteranëve janë shpenzuar 20.2 milionë euro, gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2017 kjo shumë kishte arritur në 30.6 milionë euro e derisa gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kjo shumë ka arritur në 37.8. Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për këtë qëllim është bërë barrierë serioze për buxhetin. Përfaqësues nga Qeveria nuk kanë dashur të komentojnë për numrin, derisa në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kanë treguar opsionet se si të pastrohen listat nga veteranët e rrejshëm.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka sqaruar për gazetën “Zëri” se ka iniciativa që mund të merren nga Qeveria ose nga Kuvendi, duke ndaluar zbatimin e ligjit dhe rishikimin komplet të listave të veteranëve e duke i pastruar ato.

“Ka mundësi tjetër që të merret iniciativë, ose nga Qeveria ose nga Kuvendi, që të ndalet zbatimi i ligjit dhe të fillojë komplet rishikimi i listave të veteranëve dhe verifikimi i tyre dhe të pastrohen listat nga Qeveria ose nga vetë Kuvendi, në mënyrë që të ndalohet keqpërdorimi i buxhetit që po dëmtohet me miliona euro”, është shprehur ai. Megjithatë, si mundësi të parë për pastrimin e listave Demhasaj ka propozuar që të hetohen njerëzit që nuk e meritojnë të jenë pjesë e listave nga Prokuroria e Shtetit bashkë me personat që kanë lejuar të ndodhin këto lëshime, duke kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë penale ndaj tyre. 

Të gjithë flasin që këto lista janë të fryra, janë të dyfishuara, ndoshta edhe më shumë. Derisa në të gjitha anët flitet për rritjen e numrit ose dyfishimin e numrit të veteranëve dhe miliona euro të paguhen për pensionet e tyre, atëherë mund të kemi dyshime se këtu ka keqpërdorim edhe të buxhetit pikërisht për pagesat e njerëzve që nuk meritojnë të paguhen”, ka theksuar në mes të tjerash drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”. Sipas tij, do të duhet edhe një kohë e gjatë për t’i trajtuar këtë lëndë nga prokurori i ri, që lirshëm buxheti do të dëmtohet edhe për një kohë të gjatë me veteranët e rrejshëm.

Gucati: Nuk përzihemi në punët e Prokurorisë

Përfaqësuesi i veteranëve të luftës, Hysni Gucati, nuk ka dëshirë të ndërhyjë në punët e organeve të drejtësisë sa i përket kësaj çështjeje. Në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” Gucati e ka konsideruar si të papranueshme dëmtimin e buxhetit dhe rritjen e numrit të veteranëve. “Ia kemi lënë Prokurorisë, nuk përzihemi më. Prokuroria e ka lëndën në duar. Prokuroria merret. Ne nuk e kemi ndërmend të ndërhyjmë në Prokurori. Për ne është e papranueshme ajo që po ndodh edhe me dëmtimin e buxhetit. Ne me kohë jemi deklaruar që këto gjëra janë për neve të papranueshme”, ka deklaruar i pari i veteranëve të luftës.

Por, edhe ai e pranon faktin se numri prej 60 mijë i veteranëve nuk është i saktë. “Ne organizata e veteranëve e kemi ftuar me kohë Prokurorinë dhe kemi thënë gjithmonë se 60 mijë ushtarë s‘i ka pasur Kosova. Në fakt 60 mijë nuk janë, 36 mijë veteranë që janë pranuar se 60 mijë janë aplikacione. Për ne është e papranueshme edhe ajo që po ndodh me listat e veteranëve, edhe dëmtimi i buxhetit”, ka përfunduar Gucati.

Ndryshe, vetëm nga janari e deri në korrik të këtij viti në bazë të shifrave zyrtare janë shpenzuar mbi 44 milionë euro për pensionet e veteranëve të UÇK-së, ku nga 170 euro në muaj kanë përfituar 37 mijë e 771 persona. Ndërsa në rast të vërtetimit të pretendimeve nga ish-prokurori Elez Blakaj se nga numri i përfituesve mbi 19 mijë janë veteranë të rrejshëm i bie që buxheti për shtatë muaj është dëmtuar hiç më pak se me 22 milionë euro.

Shatri: Të gjithë e kanë lënë punën në gjysmë

Kritika për prokurorin tashmë të dorëhequr të Prokurorisë Speciale Elez Blakaj, i cili pati në duar çështjen e veteranëve, ka drejtuar Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj. Shatri i ka thënë gazetës “Zëri” se skema e pagesës së veteranëve është e hapur dhe numri nuk është i definuar, duke ndryshuar nga dita në ditë. “Në bazë të polemikave e të diskutimeve ka probleme në këtë drejtim, të cilat duhet të zgjidhen nga institucioni përkatës, Komisioni i Verifikimit, gjyqësori e Prokuroria duhet ta kryejnë punën e vet. Parimisht, pa e vërtetuar dikush që është kompetent unë nuk mund të flas paushall”, është shprehur Shatri. Më tej, ai ka komentuar edhe dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, duke shtuar se do ta respektonte në rast të dorëzimit të lëndës në organet kompetente. “Unë do ta kisha respektuar shumë po ta kishte dorëzuar ai në gjyqësor dhe të kishte nisur procedurën e rregullt të hetimeve, atëherë e respektoj. Të ngrihet aktakuza, të dërgohet në vend, ai tjetri të kryejë punën e vet, të cilën vërtet do ta përkrah se po bëhet një ngarkesë e panevojshme e buxhetit me këtë kategori të shpenzimeve. Të gjithë e kanë lënë punën në gjysmë”, ka theksuar ai.

Sipas këshilltarit të kryeministrit, të gjithë e kanë lënë punën në gjysmë, duke mos mohuar punën e deritanishme të prokurorit Elez Blakaj. “Ai e ka lënë punën në gjysmë, ka ikur, ka shkuar atje. Ndoshta ka punuar mirë deri në atë moment, por s’e ka përfunduar deri në fund. Nami s’është bërë që iku një njeri e shkoi në punë të vet. Tash le ta marrë tjetri, t’i japë kompetencë”, ka shpjeguar në mes të tjerash Shatri.

Sipas listave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, të cilat i disponon gazeta “Zëri”, nga janari e deri në korrik të këtij viti janë paguar mbi 44 milionë euro për veteranët e UÇK-së, përderisa numri i atyre që përfitojnë pensione të veteranit ka arritur në 37.771.