Qeveria s’ia paguan 53 milionë euro 'Bechtel Enka'-s

Ekonomia August 17, 2018 - 07:50
Lexo detajet
Image

Qeveria e Kosovës ende nuk ia ka paguar konsorciumit amerikano-turk “Bechtel Enka” 53 milionë euro si ndëshkim për mosrealizim të kontratës, por edhe për zgjatje punimesh më shumë se një vit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel Enka” nuk ka arritur t’i marrë 53 milionë eurot e kërkuara nga Qeveria e Kosovës si formë ndëshkimi për vonesa të pagesave. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

LEXO EDHE: Alarm për ndryshim kufijsh, deputetët s’e prishin rehatinë

Gjoba e caktuar prej 53 milionë eurosh ka rrezik të rritet nëse pagesa nuk kryhet brenda afatit të caktuar kohor.

“Jo, ende nuk është kryer pagesa. Ende është duke u shqyrtuar. Nuk e dimë ende kur do të kryhet pagesa, po e presim vlerësimin. Nëse gjoba nuk paguhet brenda afatit ka rrezik të rritet. Ende nuk e kam formatizuar marrëveshjen sa i përket kostos komerciale”, është shprehur Lekaj në një prononcim dhënë gazetës “Zëri”.

Me vendimin e ri të nënshkruar aneks kontrata zgjat afatin për përfundimin e punimeve të autostradës deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Ndonëse ishte planifikuar që autostrada “Arbën Xhaferi” të përfundonte më 1 janar të vitit 2018, zvarritja e punimeve i kushtoi miliona euro buxhetit të shtetit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë sqaruar hapat e veprimit të Prokurorisë në këtë drejtim dhe mundësitë për ndaljen e pagesës.

Sipas tyre, nëse Prokuroria nuk evidenton shkelje në kontratë ndodh që pagesa të mos realizohet fare.

Demhasaj: Nëse Prokuroria gjen shkelje pagesa nuk realizohet

Pas kritikave të mëdha për pagesën ndaj “Bechtel Enka”-s, Prokuroria e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar deklaroi se kanë nisur hetimet e kësaj kontrate.

Por, përveç këtij njoftimi për procedurat hetuese nuk pati detaje rreth rastit. Monitoruesit, të cilët e kanë përcjellë për së afërmi rrjedhën e kësaj kontrate, thonë se pagesa mund të mos realizohet nëse Prokuroria gjen shkelje.

Arton Demhasaj, nga “Çohu”, ka deklaruar për gazetën se Qeveria pasi ka nënshkruar një aneks për këtë çështje është e obliguar ta paguajë shumën e madhe për “Bechtel”-in.

“Prokuroria ndoshta nuk mund të ndalë pagesën, përderisa nuk e ka në dorë ndonjë aktakuzë. Por në rast se Prokuroria do të mundë të nxirrte ndonjë aktakuzë prej kësaj lënde, do të mundë të kërkonte fillimisht të ndalet pagesa deri në shqyrtim komplet të lëndës”, është shprehur ai.

Sipas Demhasajt, një pagesë e tillë mund të mos realizohet në rast se Prokuroria ose Gjykata vendos që kjo pagesë nuk është dashur të kryhet. “Qeveria pasi ka nënshkruar një aneks për këtë çështje në njëfarë mënyre është e obliguar të paguajë këtë shumë të madhe për ‘Bechtel’-in.

Pastaj në rast se Prokuroria dhe Gjykata vendosin që kjo pagesë nuk ishte dashur të bëhet ose vendosin që dikush i cili ka lejuar të ndodhë kjo pagesë është fajtor, atëherë kjo mund të kthehet mbrapa si pagesë, edhe pse një precedent të tillë nuk ka pasur deri më tani”, ka sqaruar në mes tjerash.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” ka thënë se fakti i vonesës së pagesës ndaj konsorciumit mund të jetë arsye e pritjes së përgjigjes nga Prokuroria lidhur me rastin.

“Fakti që pagesa nuk po realizohet ndoshta po e presin një herë Prokurorinë se çfarë po thotë ajo, a po gjen shkelje. Në rast se Prokuroria gjen shkelje, atëherë ndodh që të mos realizohet kjo pagesë”, ka theksuar Demhasaj.

Kalaja: Prokuroria e politizuar e krijoi problemin

Pritjet se Prokuroria e Shtetit do t’i zbardhë dyshimet për keqpërdorimet milionëshe po vlerësohen si të pashpresa për njohësit e fushës së sundimit ligjor. Drejtori ekzekutiv i qendrës kosovare kundër korrupsionit “Kund 16”, Fidan Kalaja, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ndarja e 53 milionë eurove jashtë kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” tregon për funksionimin e institucioneve në Kosovë.

“E para ka të bëjë me mungesën absolute të profesionalizmit të planifikimit, të zbatimit dhe të mbikëqyrjes së projekteve dhe të kontratave publike nga ana e institucioneve tona. E dyta, çdo mundësi keqpërdorimi që mund të evidentohet nga këto institucione në projektet kapitale të mëdha institucionet përkatësisht zyrtarë e grupe të krimit të organizuar të instaluar brenda këtyre institucioneve do t’i shfrytëzojnë për përfitime personale në dëm të buxhetit dhe të zhvillimit të Kosovës”, ka shpjeguar Kalaja.

Më tej ai ka përmendur edhe mungesën e efikasitetit të institucioneve mbikëqyrëse sa i përket zbatimit të këtyre projekteve, në veçanti Kuvendit, për të cilin thotë se ka qenë i painteresuar të merret me mënyrën se si zbatohen këto projekte, duke kërkuar llogari në mënyrë të rregullt nga Qeveria në këtë kontekst.

“Kuvendi duhet të jetë proaktiv në këso rastesh dhe jo të reagojë vetëm pasi të krijohet dëmi. Sa i përket hetimeve nga ana e Prokurorisë, skepticizmi është shumë i lartë që ky institucion do të zbardhë të vërtetën e këtij skandali për shkak se ky institucion nuk ka vullnet dhe është tejet i politizuar e politika e ka krijuar këtë problem”, ka shtuar drejtori ekzekutiv i “Kund 16”.

Në bazë të publikimeve kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ishte nënshkruar më 11 korrik 2014 në shumën prej 599 milionë e 944 mijë e 263 eurosh e 55 centë.

Por kjo shifër kishte ndryshuar kahe në fillim të shtatorit të 2015-s, çmimi qe rritur mbi 8 milionë euro.

Shifra kishte arritur vlerën e 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 centë.