Zyrtari i lartë i MZHE futet kundërligjshëm në Bordin e ‘Termokosit’

Ekonomia August 16, 2018 - 15:00

Adnan Preniqit nuk i ka mjaftuar puna si Zyrtar i Lartë i Politikave të Energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, por është bërë edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve në Termokos.

Dhe kjo gjë ka ndodhur duke u shkelur Ligji për Ndërmarrje Publike, i cili qartëson se një zyrtar i saj nuk mund të bëhet drejtor në institucionet që preken nga vendimet që merr institucioni tjetër ku ai punon, shkruan gazetametro.net.

“Neni 17 i ligjit bazik, paragrafi 17.1. pas pikës (d) shtohet edhe një pik e re (e) si në vijim: (e) nuk punon në ndonjë institucion ku bëhen politikat zhvillimore për Ndërmarrje Publike përkatëse ku kandidati punon”, thuhet në ligj.

E puna e Adnan Preniqit MZHE, prekë pikërisht Ndërmarrjet Publike, pasi ai është Zyrtar i Lartë i Politikave të Energjisë. Marrëdhënien e tij të punës në këtë department e konfirmoi për Metron edhe MZHE’ja.

“z. Adnan Preniqi është Zyrtar i Lartë i Politikave në kuadër të Energjisë Departamenti të Energjisë dhe vazhdon të mbajë këtë pozitë në institucionin tone”, thonë nga MZHE.

Mirëpo, ata nuk sqarojnë nëse zyrtari i tyre po shkel ligjin me detyrën e re në Bord të Termokosit. Madje ata arsyetohen duke thënë se aksionar në këtë Ndërmarrje është Komuna.

“Sa i përket emërimit të z. Preniqi në Bordin e NPL ‘Termokos’, ju bëjmë me dije se Ligji nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike  përcakton kornizën ligjore lidhur me pronësinë e ndërmarrjeve publike dhe qeverisjen e tyre korporatave, duke ndarë edhe të drejtën në  ushtrimin e përgjegjësive  të aksionarëve në ndërmarrjet publike qendrore dhe ndërmarrjet publike  lokale. Prandaj bazuar në këtë, mbështetur në ligjin në fjalë, në këtë rast, Komuna e Prishtinë si aksionare në ndërmarrjen publike lokale (Termokosi sh.a), të drejtën e vet të aksionarit e ushtron përmes Komisionit Komunal të Aksionarëve. Ky komision ka mandatin ligjor të zgjedh anëtarët e Bordit të Drejtorëve dhe obligohet që këtë proces ta bëjë  konform kushteve, të kualifikimit dhe përshtatshmërisë profesionale, ashtu siç kërkohen me dispozitat ligjore të Ligji nr.03/L-087”, thonë tutje ata.

Por Ministria nuk përgjigjet nëse zyrtari Adnan Preniqi me këtë rast ka shkelur ligjin për konflikt të interesit. Për këtë, ata kanë thënë se nuk flasin por duhet të flas Agjencioni Kundër Korrupsionit.

Metro u ka dërguar para një muaji pyetje AKK për të pyetur për këtë rast, mirëpo ata nuk janë përgjigjur. Edhe pas telefonatave, AKK ka heshtur.

Sidoqoftë, edhe Nol Nushi që ka qenë në Komision për Bord të Drejtorëve të Termokos ka thënë se beson që nuk është shkelje, mirëpo i njëjti nuk ka qenë në dijeni me punën që kryen zyrtari i lartë në MZHE.

Ndërkohë, Adnan Preniqi nuk është përgjigjur në pyetjet e Metros, ani pse Ministria është e detyruar t’ia adresojë ato edhe zyrtarit për të cilin bëhet fjalë.

Ndryshe, Metro edhe më herët kishte raportuar për zyrtarë të MZHE’së. Pak javë më herët, u publikuan udhëtimet rekorde të një zyrtari të kësaj ministrie./gazetametro.net.

Image