Shtatori fillon me greva

Ekonomia August 16, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Zvarritja e Projektligjit për Paga pritet t’i zgjojë në këmbë sërish sindikatat në Kosovë. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) alarmon për grevë në shtator nëse projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të ’90-ta nuk përshpejtohet për lexim të dytë në Kuvend dhe Ligji për Paga shkon në Qeveri me ndryshimet aktuale, të cilat ata po i cilësojnë diskriminuese, shkruan Gazeta "Zëri".

Shtatori pritet të nisë me protesta nëse projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të ’90-ta nuk përshpejtohet për lexim të dytë në Kuvend dhe Ligji për Paga shkon në Qeveri me ndryshimet aktuale, të cilat ata po i cilësojnë diskriminuese.

Kjo pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në çdo kohë mund të paralajmërojë grevë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet kompetente. Kështu ka deklaruar kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj për gazetën “Zëri”. “I kemi dy çështje, dy sfida që mund ta dërgojnë sistemin arsimor në grevë. E para dhe më e madhja është çështja e fatit të projektligjit për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të ’90-ta. Pas leximit të parë dhe votimit në lexim të parë po konsiderojmë që po zhargitet çështja e shkuarjes në leximin e dytë dhe votimin përfundimtar. Dhe çështja tjetër është ajo e Ligjit për Paga”, ka thënë Jasharaj.

Por kryetari i kësaj sindikate ka siguruar se viti shkollor do të fillojë në shtator për të parë mënyrën sesi janë sistemuar punëtorët e arsimit. Tek pas kësaj Këshilli Drejtues pritet ta analizojë situatën nëse shihet nevoja për marrjen e veprimeve në forma sindikale.

“Nëse e shohim se ata po hezitojnë t’i kryejnë detyrat e tyre, atëherë kam frikë se shtatori mund t’i sjellë sistemit parauniversitar greva. E njëjta gjë mund të ndodhë nëse nuk rregullohen çështjet në tetor me universitetet e Kosovës që janë pjesë e SBASHK-ut”, ka theksuar më tej përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

Jasharaj thotë se kanë alarmuar me kohë për grevën me qëllimin që t’u japin kohë institucioneve të Kosovës për të vepruar. “Ne kemi alarmuar me kohë për grevën, duke u dhënë kohë institucioneve të Kosovës që në këtë pauzë sa kthehet Parlamenti në punë prapë ata të kenë kohë dhe hapësirë deri në fillim të vitit shkollor, të ulen me ne dhe të bëjnë zgjidhje për Ligjin për Paga dhe për ligjin që është me shumë me rëndësi për vitet e ’90-ta”, ka shtuar më tutje ai.

Në rast të zvarritjes veprimi sindikal përmes grevës mbetet opsioni i tyre i vetëm.

Paralajmërohet bojkot i shëndetësisë

 

Mësimdhënësit nuk janë të vetmit që po paralajmërojnë greva në Kosovë si pasojë e zvarritjes së Projektligjit për Paga. Të tjera sindikata kanë alarmuar për bojkot të punës.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë (FSSHK), Blerim Syla, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka deklaruar se nuk është i interesuar të japë fjalë aq sa veprime. “Nuk dua të jap shumë fjalë, por veprime. Nëse nuk procedohet Projektligji deri në shtator, sepse këta po arsyetohen se dikush është në pushime, atëherë siç kam thënë edhe do të bëhet. Jo grevë, por bojkot”, ka sqaruar Syla.

Ndryshe, Syla kishte paralajmëruar se nëse Projektligji nuk procedohet në Qeveri brenda afatit të caktuar kohor shëndetësia kosovare pritet të gjendet para një kolapsi të vërtetë. Pritjet e Sindikatave nuk dihet se sa do të zgjasin, pasi që Ministria e Administratës Publike (MAP) ditë më parë deklaroi për gazetën “Zëri” se janë duke pritur vetëm vlerësimet e Ministrisë së Financave (MF) për ta proceduar të njëjtin në Qeveri. Ndërkohë, në Qeverinë e Kosovës thanë se po palët e përfshira po punojnë që ky projektligj t’u arrijë sa më shpejt në institucionin e tyre. Gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet Ministrisë së Financave për të kuptuar se kur do të jenë të gatshëm në përfundimin e vlerësimeve financiare, por ata nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës. Projektligji për Pagat pritet të rrëzojë vendimin e zyrtarëve qeveritarë për ngritje pagash. Pagë e njëjtë për punë të njëjtë, siç ka deklaruar ministri Mahir Jagcilar.

 

Smaka: Paga të çmendura

 

Paga “të çmendura” i ka quajtur përfitimet e zyrtarëve shtetërorë momentalisht njohësi i fushës së sundimit të ligjit në Kosovë, Riza Smaka.

Smaka i ka thënë gazetës “Zëri” se ky projektligj është dashur të përfundonte së paku para 10 vjetësh. Ai tregon se ka kërkuar nivelizim pagash prej vitit 2010, gjatë kohës sa ka zotëruar postin prej deputetit. “Projektligji për Pagat është dashur të bëhej së paku para 10 vjetësh. Në vitin 2010, kur kam qenë deputet, e kam ngritur këtë çështje me mocion. Kam pas kërkuar të bëhen organograme për të gjitha ministritë të objektivizuara me sistematizim të punës. Të bëhen klasifikime dhe kategorizime. Ai/ajo që e merr pagën ta dijë se e meriton atë, jo ta ketë më të ulët ose më të lartë”, është shprehur Smaka. Ai pret se më këtë ligj do të sillet njëfarë rendi në sistemin e pagave, të cilat aktualisht i quan të çmendura. “Ky projektligj ishte dashur të miratohej, pritet në seancën e tetorit që t’i jepet Kuvendit për miratim. Pa marrë parasysh, me këtë ligj është shumë më mirë se pa të. Sepse tani për tani pagat janë të çmendura. Në Trust të Pensioneve nga paratë e pensionistëve të nëpërkëmbur merret paga marramendësisht e lartë sa dy-tri herë e presidentit e me radhë. Ky ligj me siguri do të bëjë një rend”, ka përfunduar njohësi ligjor.

Me projektligjin për paga pritet të ulen përgjysmë përfitimet e zyrtarëve shtetërorë, përveç presidentit, paga e të cilit do të shënojë rritje.