Dreka e Kuçit me verëra italiane e spanjolle e shoqëruar me karkaleca deti

Ekonomia August 15, 2018 - 23:38
Lexo detajet

Ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në fillim të qershorit 2012, kishte shpenzuar 70 euro për dy litra verë, njëra italiane dhe tjetra spanjolle. Por, dreka zyrtare e shtruar nga ai ka pasur edhe karkaleca deti e file salmoni.

Në dosjen SaHanShefi, KALLXO.com zbulon se 174 euro i ka kushtuar kuletës së shtetit dreka në emër të Hajredin Kuçit, ish Zëvendës Kryeministër në qeverinë e Hashim Thaçit.

LEXO EDHE: Dreka e Hashim Thaçit ku piu 10 litra verë italiane me vlerë 500 euro

Vera italiane “Cicinis’ e cila kushton 42 euro dhe vera spanjolle ‘Marques de Caceres’ e cila kushton 28 euro, kanë qenë pjesë e menysë së Kuçit. Në total 70 euro janë shpenzuar në verëra gjatë asaj dreke.

Veç kësaj edhe 74 euro tjera janë shpenzuar për karkaleca deti, file salmoni e taglatelle me salmon.

Por, fatura përmban edhe desert, tortë çokollate e disa litra ujë ‘Panna Aqua’.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.