Ekonomia

Milionat e diasporës shkojnë në konsum

Milionat e diasporës shkojnë në konsum
15 gusht 2018 • 21 : 09

Lexo detajet

Burim i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë vazhdojnë të jenë edhe dërgesat e emigrantëve.

Në vit, vlera e parave të dërguara nga diaspora sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës arrin shumën e rreth 600 milionë euro. Këto mjete vazhdojnë të shfrytëzohen kryesisht për konsum familjar.

Mërgimtarët të cilët pushimet i kalojnë në Kosovë, thonë se shpenzojnë vlera të konsiderueshme të mjeteve materiale kur janë në Kosovë, por ata thonë, se gjatë tërë vitit dërgojnë para te familjarët e tyre.

Merita Berisha jeton dhe punon në Gjermani. Ajo thotë se pushimet i kalon çdo herë në Kosovë te familja e saj, për të cilët, siç thotë ajo, dërgon çdo muaj para.

“Ne si familje çdo herë kemi dërguar para në Kosovë, përafërsisht në muaj i dërgojmë nga 300 euro. Ato para ata (familja) i shpenzojnë për ushqim, veshmbathje, thjesht gjëra bazike. Tani që jam këtu në Kosovë unë i shpenzoj deri në 3 mijë euro për dy apo tre javë sa do të qëndrojë këtu”, thotë ajo.

Ismet Sadiku i cili po ashtu jeton jashtë vendit dhe për pushime ka ardhur në Kosovë thotë se shpenzon shumë gjatë qëndrimit të tij në vendlindje.

“Të gjitha kursimet i shpenzoj në Kosovë kur vi për pushime. Gjatë tërë kohës kam ndihmuar familjen time që jeton këtu. Ata kanë nevojë pasi që dihet se këtu në Kosovë ka papunësi të madhe dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet me pagat që ata marrin”, thotë ai.

Një shumë e madhe e mjeteve diaspora kosovare sipas të dhënave zyrtare i investon edhe në blerjen e patundshmërive në Kosovë.

Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700 - 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat krahasuar me vitin e kaluar kanë shënuar rritje.

“Në periudhën janar – maj vlera e parave të dërguara nga mërgimtarët ka arritur shumën e mbi 300 milionë eurove. Kjo shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 ka një rritje prej 18.3 milionë euro. Një pjesë e madhe e këtyre e mjeteve shkojnë për konsum pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive”, thotë Ahmeti.

Në remitencat që pranohen në Kosovë, shton Ahmeti vijnë nga Gjermania, Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.

Shuma e dërgesave të emigrantëve në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në anën tjetër, ekspertë të fushës vlerësojnë se marrëdhënia me diasporën kosovare duhet të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë së tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre.

Naim Dedushaj nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë për Radion Evropa e Lirë se diaspora kosovare po vazhdon të kontribuojë në ekonominë e vendit, por që parave të dërguara të cilët kryesisht shpenzohen për konsum, duhet t’i ndërrohet orientimi.

“Edhe këtë vit si çdo herë diaspora kosovare dëshmoi se dëshiron të kontribuojë në Kosovë. Ata vazhdojnë të vijnë me familjet e tyre për pushime në Kosovë. Sa i përket dërgimit të parave tek familjet e tyre mendoj se nuk është edhe e qëlluar pasi që me këto para do të ishte më mirë të fillohet me ndonjë biznes të vogël, në mënyrë që të motivojnë familjarët e tyre që të kenë perspektivë dhe të mos varen nga remitencat”, thotë Dedushaj.

Ndryshe, remitencat përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla. /REL

© zëri.info