U investuan 2.5 milionë euro, shtrati i lumit Klina ''mbyllet'' nga mbeturinat

Ekonomia August 15, 2018 - 08:35
Mësoni më shumë detaje

Përveçqë derdhen ujërat e zeza, në shtratin e lumit Klina në Skenderaj, i rregulluar nëpërmes dy projekteve për të cilat janë investuar 2.5 milionë euro (projekti i parë 1.8 milion euro dhe projekti i dytë 700 mijë euro) tashmë janë mbushur me shelgje e ferra dhe me mbeturina të llojeve të ndryshme, ndërsa një masë e bardhë gjithashtu derdhet në lumë. Komuna: Projektin për pastrimin e lumit do ta financojë MMPH-ja, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shtrati i lumit Klina, i cili kalon nëpër Skenderaj, është bërë tanimë një prej hapësirave më kundërmuese dhe më të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Skenderajt.

LEXO EDHE: 120 mijë euro për mëditje, akomodime e udhëtime gjatë tre muajve

Përveçqë kundërmon erë e rëndë që ta zë frymën, sidomos tani, kur temperaturat janë të larta, pothuajse pjesa më e madhe e shtratit të lumit është mbushur me shelgje dhe ferra, madje edhe me gurë e mbeturina të llojeve të ndryshme.

Ata që vendosin të shëtisin nëpër parkun që mban emrin e themeluesit të LDK-së në Skenderaj, Idriz Rreci, e ata janë shumë, ankohen se nuk ka asnjë përkujdesje për lumin, buzë të cilit ndonëse janë vendosur karriget nuk mund të pushojnë qetë, shkruan më tutje "Zëri".

Një grua, Hafija, rreth të 50-ve, thotë se mbrëmjeve rregullisht del në parkun “Idriz Rreci” edhe me shumë gra tjera dhe me fëmijë, por për shkak se vjen erë e rëndë nga  ujërat e zeza që derdhen në shtratin e lumit relaksimi në atë pjesë është i pamundur.

“Parkun po e mbajnë mirë, i kanë vendosur karriget nëpër të gjitha hapësirat e parapara për të ecur, barin e kositin me kohë, si dhe e ujisin, kështu mund të ulesh e të pushosh, por keq është puna e shtratit të lumit. Pjesa më e madhe e lumit është mbushur me shelgje e me ferra, tamam sikurse ka qenë para se të ndërtohej shtrati i lumit. Edhe të reshurat e shiut sjellin probleme, për shkak se uji nuk mund të kalojë nga mbeturina gjithfarësh dhe nga drunjtë të ndryshëm që kanë dalë dhe po të ketë shumë ujë mund edhe të vërshojë.  Lumi është bërë një katastrofë, është shumë i ndotur nga ujërat e zeza, por edhe nga mbeturinat që hidhen në lumë. Tani në kohë të fundit diçka po derdhet atje lart, sepse po vjen njëfarë mase e bardhë, edhe uji i lumit po bëhet krejtësisht i bardhë. Mbase po i lajnë pajisjet ata të qumështores dhe ujin po e hedhin në lumë”, thotë ajo.

Sikurse Hafija thonë edhe qytetarë të tjerë, të cilët i rekomandojnë Komunës që të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta pastruar lumin nga mbeturinat e shumta dhe nga ujërat e zeza që derdhen.

“Është mbyllur krejt, është bërë si përpara, shelgjet e ferrat janë rritur, kanë dalë mbi shtratin e lumit, ka rrezik edhe prej gjarpinjve, sepse ka mbeturina në të gjitha anët dhe gjarpinjtë rrinë në këso mbeturinash. E kanë parë një gjarpër këtu në afërsi. E kemi këtë park, që është shumë i mirë, po era ta zë frymën. Duhet këta të Komunës ta bëjnë një zgjidhje”, thotë ndërkaq Sadiku, një tjetër i moshuar që shumë kohë kalon në parkun buzë lumit. 

Në anën tjetër, në Komunën e Skenderajt i kanë thënë “Zërit” të martën, se ajo i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës me një kërkesë që të financojë një projekt për pastrimin e shtratit të lumit Klina dhe se kanë marrë premtim nga MMPH-ja se do ta financojnë një projekt të tillë.

“Për pastrimin e shtratit të lumit Klina Komuna e Skenderajt i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, me anë të një kërkese, zyrtarët e së cilës janë zotuar për të financuar këtë projekt. Ndërkaq, gjatë këtij viti po vazhdon rregullimi i segmentit në drejtim të fshatit Llaushë, si dhe pastrimi nga mbeturinat dhe mbetjet tjera të ngurta përgjatë segmentit ekzistues. Sa i përket çështjes se rrjedhjes së kanalizimit fekal, që pretendohet të ketë rrjedhë nga qumështorja ‘Drena’, Drejtoria e Urbanizimit dhe e Mbrojtjes së Ambientet është duke shqyrtuar këtë problem dhe është vlerësim se kjo ka rrjedhur si pasojë e ndërtimeve në rrugën ‘17 Shkurti’, që kanë shkaktuar devijim të gypit. Për këtë problem nuk kemi pasur informatë paraprake, mirëpo rasti si i tillë është duke u shqyrtuar", i ka thënë “Zërit” Jeton Rushiti, zyrtar për informim në Komunën e Skenderajt të martën.

Për rregullimin e rreth 2 kilometra të shtratit të lumit Klina nga ura në Klinë të Poshtme e deri në rrugën “Ali Gashi” gjatë qeverisjes së Sami Lushtakut janë realizuara dy projekte, njëri ka kushtuar 1.8 milion euro, ndërsa projekti tjetër ka pasur koston prej rreth 700 mijë eurosh.

Projektin e parë e ka zbatuar kompania “R&Rukolli”, ndërsa projektin e dytë një kompani nga Malisheva. Projekti i parë kishte dështuar krejtësisht, pasi një shi i madh dhe uji i mbledhur kishin nxjerrë nga vendi të gjitha kubëzat e shëtitores buzë lumit dhe i kishin hedhur në lumë.

Vërshimi pati dëmtuar kubëzat e shëtitores, duke i hedhur shumë nga ato në lumë e shumë të tjera duke i shpërndarë nëpër gjithë parkun, pati mbledhur edhe grumbuj rëre.

Për ta sanuar gjendjen ishte vlerësuar se duhen shumë mjete, ndoshta po aq sa ka pasur koston i gjithë projekti, andaj Komuna kishte vendosur për një opsion tjetër të rregullimit të shtratit të lumit, duke e shtruar gjithë shtratin me rrasa guri. Projektin e ka realizuar një kompani nga Malisheva, ndonëse me defekte në shumë pjesë dhe për këtë punë Komuna ka paguar rreth 700 mijë euro.

Puna shkel e shko tani ka dalë në sipërfaqe, pasi në disa pjesë rrasat e gurit me të cilat janë shtruar shtrati poshtë dhe dy anët e shtratit janë shembur e shumë sosh kanë lëvizur dhe në këtë mënyrë edhe kanë mbirë shelgje e ferra, që tashmë janë rritur dhe kanë mbyllur gjithë hapësirën. 

Komuna e Skenderajt, sipas Jeton Rushitit, zyrtar për informim në Komunën e Skenderajt, e duke iu referuar Drejtorisë së Urbanizmit dhe Ambientit, tani ka vazhduar me rregullimin e shtratit të lumit Klina nga rruga “Ali Gashi” në drejtim të Llaushës.