Sot rifillon puna në 'Ferronikel'

Ekonomia August 13, 2018 - 08:18
Lexo detajet

Zëdhënësja e “Ferronikelit”, Lindita Daija, nuk është përgjigjur në kërkesën e “Zërit” nëse njoftimi se “më 13.08.2018 (ditë e hënë) kompania jonë do të rifillojë punën me orar të rregullt në tri ndërrime, ashtu siç ka funksionuar përpara”. Po ashtu edhe kryetari i SP-së së punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka konfirmuar se puna në “Ferronikel” do të nisë të hënën (sot), shkruan Gazeta "Zëri".

Njoftimi, që thuhet të jetë i menaxhmentit të “Ferronikelit”, se prodhimi në gjigantin kosovar do të kthehet të hënën ka gëzuar tej mase punëtorët, të cilët ka gjashtë muaj që rrinë në shtëpi, pasi që prodhimi është ndërprerë. Përgatitjet për kthimin në prodhim të “Ferronikelit” tashmë kanë përfunduar, por nuk dihet akoma nëse vërtet prodhimi do të rifillojë të hënën.

“Zëri” i ka kërkuar një përgjigje zëdhënëses së “Ferronikelit” Lindita Daija, të dielën, nëse prodhimi në “Ferronikël” do të kthehet të hënën, ashtu siç thuhet në një njoftim, që thuhet të jetë lëshuar nga menaxhmenti, por ajo nuk është përgjigjur. Por kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit” Fehmi Nika ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se prodhimi do të rifillojë të hënën (sot). “Prodhimi në ‘Ferronikel’ do të rifillojë të hënën, pasi që kam marrë edhe njoftim zyrtar. Unë vërtet besoj se prodhimi do të fillojë ashtu siç po shkruhet, por menaxhmenti nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar. Prej ndalimit të prodhimit krerë të SP-së kanë takuar për çdo ditë menaxhmentin, madje ka pasur raste edhe nga 3 herë në ditë dhe jemi njoftuar për situatën që ka rrjedhur. Gjithsesi prodhimi do të fillojë, të gjitha obligimet ndaj punëtorëve janë kryer, përgatitjet kanë përfunduar dhe nuk ka më asnjë pengesë që prodhimi të rifillojë”, i ka thënë Nika “Zërit” të dielën. “Ju informojmë se prej datës 13.08.18 (ditën e hënë) kompania jonë do të rifillojë punën me orar të rregullt në tri ndërrime, ashtu siç ka funksionuar përpara. Ndërrimi i parë nga ora 7:00 deri në 15:00, ndërrimi i dytë nga ora 15:00 deri në orën 23:00 dhe ndërrimi i tretë nga ora 23:00 deri në orën 7:00”, thuhet në mes të tjerash në njoftim. “Përsëris, është me rëndësi që prodhimi të rifillojë, menaxhmenti është ai që ka qenë më përpara, do të thotë edhe pronarët e rinj ia kanë dhënë besimin menaxhmentit që ka qenë përpara.

Me pronarin Samir Mane prej herës së dytë kur ka qenë në “Ferronikël” nuk jemi takuar më. Ka qëndruar aty vetëm disa minuta për shkak të kohës, ndërsa ka biseduar edhe me kryetarin e Komunës, Ramiz Lladrovci. Ai ka siguruar se prodhimi do të rifillojë shpejt dhe është larguar. Tani vërtet janë krijuar të gjitha kushtet që punëtorët t’i kthehen punës dhe prodhimi të fillojë, sikurse përpara”, ka thënë Nika.  

Ndërkaq Samir Mane gjatë takimit që ka pasur me disa nga punëtorët dhe me menaxhmentin pati siguruar se prodhimi do të rifillojë shpejt dhe se të gjitha obligimet ndaj punëtorëve do të kryhen. “Ne kemi shpresa të mëdha për ‘NewCo Ferronikel’-in dhe besojmë se është një investim kyç në Kosovë që ka potencial të jashtëzakonshëm. Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë personat e përfshirë në bërjen e kësaj të mundshme dhe presim me kënaqësi të punojmë me një ekip të mrekullueshëm në udhëheqjen e këtij biznesi. Ne synojmë që gradualisht të zgjerojmë kapacitetin prodhues, të investojmë në zhvillimin e teknologjisë dhe të vazhdojmë të rrisim kompaninë dhe biznesin e saj në baza të qëndrueshme”, ka thënë Samir Mane, aksionari kryesor i NKL “Limited” me seli në Britani të Madhe dhe që kontrollohet nga “Balfin Group”, udhëheqës i së cilës është Samir Mane.

Mane i ka  premtuar edhe kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovcit se do të punojë që “Ferronikeli” të kthehet dhe t’i shtojë kapacitetet prodhuese.

Ndërkaq kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, dukshëm i inkurajuar me seriozitetin e pronarit të ri të “Ferronikelit”, i ka kërkuar atij që të financojë edhe në Parkun e Biznesit në Drenas. “Mane ka dëshmuar se është ndërmarrës i pashoq, i suksesshëm dhe plot me energji. Ne e përgëzuam për të gjitha sukseset e tij në Shqipëri dhe jashtë saj, duke i ofruar mirëseardhje dhe sukses në komunën tonë. Unë ia ofrova mbështetjen time të plotë nga ana e Komunës, duke theksuar se jemi shumë të interesuar për rivitalizimin e plotë të ‘Ferronikelit’, por edhe të shtimit të kapaciteteve prodhuese, ashtu siç është zotuar në opinion ai. Po ashtu e ftova z. Mane të shohë mundësitë e investimeve në Parkun e ri të biznesit, ngase, theksova në takim, punësimi i qytetarëve nga Komuna jonë është prioritet”, ka thënë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ndryshe, “Balfin Group”, që udhëhiqet nga miliarderi shqiptar Samir Mane, është njëra nga kompanitë më të mëdha private në Evropën Juglindore me investime dhe me operime të rëndësishme në pasuri të paluajtshme rezidenciale dhe komerciale, në shitblerje, në miniera dhe në shkritore./ZËRI