346 mijë automjete të regjistruara

Ekonomia August 12, 2018 - 15:02
Lexo detajet

Përfaqësues të Industrisë së Sigurimeve në vendin tonë, ditëve të fundit janë ankuar se kushtëzimet e vendosura nga Institucionet e vendit, si pagesa e tatimit në pronë, por edhe së fundit vendimi për pagesën e të gjitha tiketave si kusht për regjistrimin e automjetit kanë ndikuar direkt në rritjen e numri të automjeteve të paregjistruara në vendin tonë.

Por, në anën tjetër Sebahate Muharremi-Pllana, drejtoreshë e Drejtoratit për Regjistrimin e Automjeteve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se sa i përket kushtëzimit të regjistrimit të automjeteve me shlyerje të gjobave për kundërvajtje, kjo çështje sipas saj është e rregulluar me Ligjin për Automjeteve Nr. 05/L-132, neni 43 paragrafi 2 ku thuhet;

‘’Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor’’, raporton zëri.info.

Ajo nuk ka qenë në gjendje të tregoj nëse modele të tilla aplikohen edhe në vendet e rajonit, apo të Bashkimit Evropian, duke thënë se një përgjigje të tillë mund ta jap Policia e Trafikut, apo Ministria e Infrastrukturës, si sponzorizuese e Ligjit.

Gazeta “Zëri” ka pyetur Muharremi-Pllanën nëse kushtëzimet e tilla a aplikohen edhe në vende të rajonit, apo edhe më larg, por ajo ka thënë se nuk ka informacione për një gjë të tillë. Për më tepër, Muharremi-Pllana ka mohuar që kushtëzimet e tilla ligjore të ndikojnë në rritjen e numrit të veturave të pasiguruara në komunikacion. ‘Jo, nuk ndikojnë, pasi që të gjitha automjetet që paraqiten në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për t’u regjistruar duhet të posedojnë edhe polisën e sigurimit’, thotë ajo, raporton zëri.info.

Drejtoresha e Drejtoratit për Regjistrimin e Automjeteve ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të automjeteve të regjistruara ndër vite. Sipas saj, vitin e kaluar janë regjistruar 346.092 automjete, 296.252 automjete gjatë vitit 2016, 300.511 automjete janë regjistruar gjatë vitit 2015, 273.495 automjete gjatë vitit 2014, 275.907 automjete të regjistruara gjatë vitit 2013, 224.604 automjete gjatë vitit 2012, si dhe 239.319 automjete gjatë vitit 2011.