Komunat i fshehin shpenzimet para taksapaguesve

Ekonomia August 11, 2018 - 08:17
Lexo detajet

Kryetarët e komunave të Kosovës nuk po tregohen aspak transparentë me taksapaguesit. Ndonëse shpenzimet i realizojnë me paratë e qytetarëve ata nuk japin përgjegjësi kur bëhet fjalë për publikimin e shpenzimeve financiare. Vetëm 21 komuna nga 38 sa numërohen gjithsej në territorin e Kosovës i kanë publikuar raportet e shpenzimeve financiare në uebfaqet e tyre zyrtare, shkruan Gazeta "Zëri".

Komuna e Ferizajt, e Gjakovës, e Fushë Kosovës, e Deçanit, e Drenasit, e Graçanicës, e Kamenicës, e Kllokotit, e Mitrovicës së Veriut, e Shtërpcës, e Vushtrrisë po tregohen të mbyllura karshi qytetarëve. Nuk gjendet asnjë raport i shpenzimeve financiare në uebfaqet e tyre për periudhën janar - dhjetor të vitit të kaluar.

Sikur këto komuna të lartpërmendura janë renditur edhe disa tjera më të vogla, si ajo e Leposaviqit, e Zubin-Potokut, e Zveçanit, e Mamushes, e Parteshit dhe e Ranillugut.

Këto të dhëna janë nxjerrë në një hulumtim të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për “Indeksin e Transparencës në prokurimin publik 2017”.

Madje në këtë institucion konfirmojnë për gazetën “Zëri” se mospublikimi i raporteve të shpenzimeve komunale përbën shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, por edhe mungesë të llogaridhënies nga komunat ndaj qytetarëve.

Kështu ka deklaruar menaxherja e projekteve në KDI Diana Metushi-Krasniqi. “Mospublikimi i raporteve të shpenzimeve komunale përveçqë është një shkelje e Ligjit për Menaxhim të Financave Publike dhe të Udhëzuesit Administrativ 01/2015 të MAPL-së për Transparencë Komunale, është mungesë e llogaridhënies nga komunat ndaj qytetarëve të vet”, është shprehur ajo.

Ndonëse me kornizë ligjore të cilën i referohen në (KDI) kërkohet publikimi i raporteve tremujore dhe vjetore të shpenzimeve nga të gjitha institucionet publike. “Gjatë vitit 2017 21 komuna kanë publikuar gjithsej 74 raporte tremujore, gjashtëmujore ose vjetore të publikuara në uebfaqet e tyre komunale. Komunat që kanë publikuar katër raporte në vit janë konsideruar se kanë përmbushur kushtin themelor ligjor për këtë indikator. Në vitin 2017 Prishtina ishte komuna që ka udhëhequr në publikimin e raporteve mujore, tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore të shpenzimeve”, thuhet tutje në raport.

 

Komunat që publikojnë shpenzimet financiare

 

Por përveç komunave që tregohen jotransparente me taksapaguesit kosovarë, ka prej tyre që kanë publikuar numër rekord të raporteve.

Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit, i ka të publikuara në uebfaqe 18 raporte të shpenzimeve financiare, duke udhëhequr kështu me listën e komunave transparente në nivel buxhetor.

 

Përveç kryeqytetit, Komuna e Rahovecit, e Shtimes, e Suharekës, e Hanit të Elezit, e Lipjanit, e Malishevës, e Vitisë,  e Dragashit i kanë të publikuar nga 4 raporte në faqet e tyre zyrtare. Në këtë mes u prin Komuna e Pejës nën udhëheqjen e Gazmend Muhaxherit me 5 raporte.

Komunat me nga dy raporte të publikuara janë Gjilani, Juniku, Podujeva, e Skenderaj. Ndërsa me tri raporte të publikuara është Komuna e Prizrenit dhe e Klinës.

Ndërkohë, komunat e renditura me nga një raport të publikuar janë: Istogu, Kaçaniku, Mitrovica, Novobërda, e Obiliqi.

Mangësia me transparencën buxhetore nuk është e vetmja e evidentuar. Të tilla janë vërejtur edhe tek organizimi i dëgjimeve publike të komunave. Përveç komunave, të Prishtinës, të Vitisë, të Rahovecit, të Lipjanit, të Gjilanit e të Gjakovës të tjerat nuk kanë mbajtur dëgjime publike.

Komuna me më së shumti dëgjime publike të organizuara është ajo e Prishtinës me gjithsej 24, njësoj edhe ajo e Vitisë. Pastaj Komuna e Rahovecit me 17 dëgjime publike, e Lipjanit me 16, e Gjilanit me 15 dhe e Gjakovës me vetëm 14. Ndërsa vetëm 54 për qind të njoftimeve për këto dëgjime thuhet se janë publikuar edhe në uebfaqet e tyre komunale.

 

Orientimi i investimeve në baza partiake, shkak i fshehjes së shpenzimeve

 

Përfaqësues të shoqërisë civile, që nga afër monitorojnë në vazhdimësi raportimin e komunave, thonë se shpenzimet fshihen për shkak të vetorientimit të investimeve komunale në baza partiake e klienteliste.

Kështu ka deklaruar në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsionit, Fidan Kalaja. “Në bazë të analizës së Qendrës Kosovare Kundër Korrupsion sa i përket pagesës së tatimit në pronë dhe të investimeve kapitale nëpër zona specifike të Kadastrës del se njëra nga arsyet e fshehjes së shpenzimeve është edhe vetorientimi i investimeve komunale në baza partiake e klienteliste”, ka thënë Kalaja.

Si model demonstrimi e merr Komunën e Klinës. “Nëse e marrim Komunën e Klinës si studim rasti në këtë kontekst del se edhe pse në disa zona të Kadastrës pagesa e tatimit në pronë del të jetë afër 90% për vitin 2017, në ato zona ka pasur zero investime kapitale sepse partia në pushtet nuk i ka konsideruar si bastione të veta elektorale këto zona”, ka sqaruar në mes tjerash.

Përveç bazës ligjore me të cilën komunat obligohen t’i publikojnë raportet e rregullta të punës dhe ato financiare në vitin 2014, Qeveria e Kosovës ka miratuar një plan veprimi me veprime konkrete se si duhet rregulluar çështja e publikimit të shpenzimeve publike.

Në kuadër të këtij plani, përkatësisht nënveprimi 15.1, ka paraparë që: “Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave në kuadër të modulit shtetëror të financave (E-Financa) do të ofrojë mundësi të publikimit të të gjitha raporteve të shpenzimeve financiare dhe të kartelave analitike të kontos në formatin "Excel" për të gjitha organizata buxhetore në baza ditore, mujore, tremujore, nëntëmujore dhe vjetore”.

Mungesën e një transparence të tillë e ka komentuar edhe njohësi i çështjeve ekonomike Lulzim Beqiri.

 

Ai ka thënë se publikimi i shpenzimeve nga organizatat buxhetore do të plotësonte vakuumin mbi paqartësinë dhe jotransparencën sa i përket shpenzimeve në raportet përmbledhëse tremujore. “Shumica e institucioneve të pavarura nuk publikojnë buxhetin e detajuar të të hyrave dhe të shpenzimeve. Këto institucione mjaftohen vetëm me përfshirjen e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në kuadër të raporteve vjetore të performancës. Nuk ka transparencë pa publikimin e shpenzimeve nga komunat. Komunat me shumicë serbe nuk e praktikojnë asnjë publikim, por shteti duhet t’i obligojë që para ligjit të jenë të barabartë të gjithë”, ka shpjeguar Beqiri.

Ndërsa komunat ngurojnë edhe në publikimin e tenderëve në uebfaqet e tyre. Nga 2 mijë e 640 njoftime, duke iu referuar të gjeturave të KDI-së, vetëm 542 prej tyre janë publikuar në faqet e komunave./ZËRI