Biletat i shkojnë dëm, mbesin në Kosovë (VIDEO)

Ekonomia August 09, 2018 - 22:07
Lexoni më shumë detaje

Kishin ardhur për pushime në vendlindje, mirëpo ata nuk po mund të kthehen në vendin ku edhe punojnë.

Kjo për shkak që, u është pamundësuar fluturimi për shkak të problemeve me bileta.

Blerim Sadrija dhe Lulzim Gjergjaj kanë pritur me orë të tëra në Aeroportin ndërkombëtar, për të mos u nisur fare për në Zvicër. E arsyeja është sepse nuk ka vend në avionin me të cilin ata do të fluturonin.

 “S’ka vend në aeroplan”

Edhe pse Blerimi kishte muaj që kishte rezervua biletën me të cilën edhe kishte udhëtuar në Kosovë, atij sot i është refuzuar bileta sepse në avion nuk ka vend. Madje, ai thotë se edhe stafi i aeroportit ishte sjellë keq me të.

Të njëjtin fat me Blerimin e ndajnë edhe familja Gjergjaj që sot do të udhëtonte me të njëjtën kompani. Familja katër anëtarëshe, kishte rezervuar biletat në mars, me te cilat edhe kishin hyrë në Kosovë, mirëpo tash nuk po mund të ktheheshin në Zvicër.

Të dy familjet kishin paguar shuma të mëdha parash për këtë udhëtim i cili u anulua. E këtë shumë ata ende nuk kanë informacione nëse do t’u kompensohet.

Ndërkohë në një përgjigje për Frontal, kompania e fluturimeve ka thënë se të dy familjeve u janë siguruar biletet kthyese për në Zvicër dhe se do të ketë kompensim për një problem të tillë. Ata u sqaruan për mos dërgimin e të gjithë udhëtareve për në Zvicër, duke thënë që aeroplani i parashikuar për udhtim kishte defekte teknike, dhe janë detyruar që të ndërrohet aeroplani.

Kohët e fundit, bashkatdhetarët tanë kanë pasur problem me biletat që kanë rezervuar, qoftë për pushime ashtu edhe për kthim në Shtetet e Perëndimit. 

Këto probleme kanë ardhur për shkak të mashtrimeve që atyre u kanë bërë agjencitë turistike.