Komunat sanksionohen me mosrishikim buxhetor

Ekonomia August 07, 2018 - 08:08
Lexo tjera detaje

Vendimi i ministrit të Financave Bedri Hamza për mosrishikim të buxhetit këtë vit po vlerësohet në përputhje me planin e Qeverisë dhe me objektivat zhvillimore. Por, ndryshe nga deklarimet e dikasterit që drejton ministri Hamza alarmojnë ekspertët e ekonomisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ekspertët e ekonomisë nuk janë të një mendimi me ministrin e Financave Bedri Hamza sa i përket çështjes së rishikimit buxhetor. Përderisa Hamza e ka parë të arsyeshme që këtë vit buxheti të mos rishikohet fare për shkak të planifikimit të mirë, krejtësisht ndryshe janë shprehur kundërshtarët e ministrit.

Naim Gashi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, i ka thënë gazetës “Zëri” se rishikimi buxhetor është i domosdoshëm brenda një ekonomie nacionale dhe në praktikat elementare.

“Rishikimi i buxhetit përbën një element esencial për të nxitur zbatimin e projekteve kapitale dhe projekteve të tjera brenda një ekonomie nacionale dhe është i domosdoshëm në praktikat parlamentare”, ka deklaruar më tutje Gashi.

Por, deklarata kundërthënëse me të kanë dhënë në Ministrinë që udhëheq ministri Bedri Hamza.

Në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni thuhet se rishikimi buxhetor nuk është obligim ligjor, ndërsa është duke u zhvilluar në harmoni me prioritetet dhe me objektivat zhvillimore të institucionit.

“Rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor, buxheti është përgatitur në përputhje me planin e Qeverisë dhe në harmoni me prioritetet dhe me objektivat zhvillimore, duke u bazuar në dokumentet strategjike”, theksohet në përgjigjen e MF-së dhënë gazetës “Zëri”.

Më tej përmendet edhe performanca e mirë në realizimin e të hyrave.

Përderisa sqarohet se kjo ministri ka të drejtën e ndërhyrjes ligjore për rialokim të mjeteve për kërkesat shtesë të organizatave buxhetore.

“Të hyrat e përgjithshme janë duke performuar mirë, shpenzimet janë duke shkuar brenda planit. Ndërsa sa u përket projekteve ekzistuese për të cilat vijnë kërkesa shtesë nga organizatat buxhetore, atëherë sipas Ligjit të Buxhetit për vitin 2018, Neni15, në tremujorin e fundit ministri i Financave ka të drejtën ligjore për të marrë veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve”, bëhet e qartë në mes të tjerash.

Mangësitë e mosrishikimit: Ndarja e mjeteve shtesë për komuna

Pakënaqësitë e përfaqësuesve të komunave të Kosovës në lidhje me frikën e krijuar se mosrishikimi i buxhetit po u shkakton probleme në ecurinë e përgjithshme të ekzekutimit të buxhetit i ka parë me një sy tjetër ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

Shatri në një deklarim për gazetën “Zëri” e ka mbështetur plotësisht vendimin e ministrit të Financave për të mos pasur rishikim buxhetor këtë vit.

“Vendimi i ministrit të Financave dhe i Qeverisë për të mos shkuar buxheti në rishikim tash për tash është në pajtim me mundësitë dhe me kushtet e punës që zhvillohen. Meqenëse në këtë periudhë realizimi i buxhetit në tërësi ka shkuar përafërsisht si është paraparë dhe është vlerësuar se nuk ka nevojë të bëhet rishikim”, është shprehur Shatri.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj ka sqaruar edhe pretendimet e ngritura nga komunat për rrezikim të projekteve kapitale, duke treguar se nuk ka pengesë që u ndalon atyre përshtatje të buxhetit pa rishikim.

Veçse sipas tij u mohohen dëshirat për kërkesa të mjeteve shtesë.

“Nuk ka asnjë pengesë që ndalon komunat të përshtatin buxhetin edhe pa rishikim. Mangësi e rishikimit të buxhetit është se nëse ndonjë komunë ka menduar se me rishikim të buxhetit do të marrë mjete shtesë, ajo është një dëshirë, por mundësitë nuk janë për të ndarë mjete shtesë”, ka shpjeguar ai.

Ndryshe, përfaqësuesit e komunave të Kosovës ditë më parë janë ankuar se nuk ka pasur që dy vjet rishikim të buxhetit dhe mungesa e tyre po u shkakton probleme të caktuara për komuna në ecurinë e përgjithshme të ekzekutimit buxhetor.

Të hyrat u rritën 6 për qind

Kur doli për të publikuar vendimin e mosrishikimit të buxhetit para një jave, ministri i Financave Bedri Hamza në prezantimin e raportit gjashtëmujor të trendëve fiskalë deklaroi se të hyrat buxhetore shënuan një ngritje prej 6 për qind, duke i krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Ndërsa kur tregoi për mosrishikim të buxhetit mblodhi në një vend shifrat e arkëtuara nga Dogana e Kosovës (DK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në vlerë prej 40 milionë eurosh më shumë se në vitin paraprak.

Por, niveli i performancës së të hyrave është kombinuar edhe me periudhën e shpenzimeve, ku është theksuar edhe rritja e shpenzimeve prej 844 milionë euro, ose 9,7 për qind më shumë se në vitin e kaluar.

Në këtë të fundit, sipas ministrit, ka ndikuar vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave.

“Edhe në 2011-n s’kemi pasur rishikim. Këtë vit kemi biseduar me FMN-në për një buxhet më të qëndrueshëm. Nëse u referohemi trendëve me të hyra nuk kemi problem dhe ky trend i mirë do të na mundësojë t’i financojmë të gjitha projektet në nivel qendror dhe lokal. Të gjitha projektet që janë pjesë e buxhetit e kanë financimin e projekteve, përveç komunave që planifikojnë financim përmes mjeteve vetanake”, kishte thënë ministri.

Ndërsa shqetësime të tjera përveç vendimit për mosrishikim të buxhetit janë shprehur edhe për mënyrën sesi të hyrat janë barazuar me shpenzimet.

Të hyrat buxhetore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë arritur 870 milionë euro, përderisa shpenzimet 855 milionë euro.

Vetëm 15 milionë euro janë realizuar më shumë të hyra sesa shpenzimet buxhetore për gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke e vënë në pikëpyetje kështu stabilitetin financiar të shtetit.