Paga e minatorëve të “Trepçës” në veri, 700 euro

Ekonomia August 07, 2018 - 08:02
Lexo tjera detaje

Drejtori gjeneral i kombinatit “Trepça” në veri, Jovan Dimkiq, në shënimin e Ditës së Minatorëve të shtetit të Serbisë në Leposaviq ka thënë se pagat e minatorëve të “Trepçës” në veri janë ndër më të mirat në rajon. Sipas tij, në “Trepçën” në veri janë të angazhuar në punë 1200 punëtorë, ndërsa paga marrin 2400 punëtorë, shkruan Gazeta "Zëri".

Drejtuesit dhe punëtorët e kombinatit “Trepça” në veri të Kosovës kanë shënuar Ditën e Minatorëve të Republikës së Serbisë.

Merrnin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës Serbe për Kosovën, krerë të Listës Serbe, si dhe përfaqësues të subjekteve politike dhe të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

Drejtori gjeneral i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, ka thënë se sa i përket aspektit ekonomik “Trepça” ka shënuar rezultate të mira prodhuese dhe financiare dhe si rezultat prodhimi është stabil.

“Ne jemi kompani krejtësisht likuide, e cila rregullisht i kryen të gjitha obligimet ndaj furnitorëve, kompanive që ofrojnë shërbime, rregullisht paguan pagat e punëtorëve e që janë ndër më të mirat në rajon, posaçërisht kur bëhet fjalë për ata punëtorë që punojnë drejtpërdrejt në prodhim dhe paga e tyre është 700 euro”, ka thënë Dimkiq, i cili ka shtuar se me të gjitha rezultatet “Trepça” në veri shpeshherë pëson për shkak të pengesave administrative dhe për këtë arsye ka humbje të mëdha financiare dhe këto ndikojnë edhe në imazhin e “Trepçës”. 

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë kanë porositur Republikën e Serbisë që ta mbrojë “Trepçën” dhe se për këtë ata thanë se nuk duhet pasur dyshime. Ata kanë tërhequr vërejtjen se “ai që prek në ‘Trepçë’ rrënon themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë”.

Ata gjithashtu kanë përkujtuar se presidenti i Serbisë disa herë ka thënë se ekzistojnë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për “Trepçën”, sistemin energjetik në Kosovë dhe se Serbia do ta mbrojë “Trepçën”, Gazivoden dhe Vallaqin.

Ndihmësi i drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiq kurrë nuk do të heqin dorë nga populli serb në Kosovë, nga “Trepça” dhe nga sistemi i përgjithshëm energjetik në veri të Kosovës.

“Këto janë vijat tona të kuqe dhe nga ato nuk heqim dorë. Serbia ka financuar shumë në zhvillimin e ‘Trepçës’ dhe ajo është shumë e rëndësishme për Serbinë dhe në kuptimin ekonomik dhe juridik paraqet kompaninë serbe në Kosovë”, ka thënë Petkoviq, përcjell “Radio Kontakt Plus”.

Minatorët i ka uruar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, i cili ka theksuar se këtë vit kjo ditë po festohet brenda një periudhe, “ku si komb po kalojnë nëpër ditë tejet të vështira”.

“Ne jemi dëshmitarë të sfidave dhe të kërcënimeve të vazhdueshme, të cilat lidhen me sistemin e energjisë në Kosovë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka theksuar në mënyrë të përsëritur se ka linja të kuqe dhe të qarta kur është fjala për “Trepçën” dhe për sektorin e energjisë në Kosovë.

“Kështu që unë dua që Republika e Serbisë të mbrojë ‘Trepçën’, hidrocentralin e Gazivodës (Ujmanin) dhe të Vallaçit”, është shprehur Gjuriq për mediet në Beograd një ditë para se të mbahet manifestimi në Leposaviq në shënim të Ditës së Minatorëve të Serbisë.

Ndryshe, në KXMK “Trepça” në Leposaviq dhe në Zveçan janë të angazhuar në punë 1200 punëtorë, ndërsa gjithsej të punësuar (marrin paga) janë 2400 punëtorë.