Kolonat e gjata bllokojnë Vushtrrinë

Ekonomia August 04, 2018 - 09:03
Mësoni më shumë detaje

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se qyteti i Vushtrrisë, por edhe tërë veriu i Kosovës është bllokuar nga kolona të gjata të automjeteve për shkak “të keqplanifikimit të qytetit nga qeverisja e kaluar dhe të moszbatimit të kontratës nga Ministria e Infrastrukturës për zgjerimin e rrugës me katër korsi në qytet”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kolonat e gjata të automjeteve në autorrugën Prishtinë – Mitrovicë kanë bllokuar pothuajse në tërësi qytetin e Vushtrrisë dhe janë bërë ankth i përditshëm për qytetarët.

Kolona të gjata që vështirësojnë qarkullimin dhe krijojnë kolona të gjata bëhen sidomos në orës e pasdites, për çdo ditë. Qytetarët e Vushtrrisë, por edhe të Mitrovicës u duhet të presin në kolona të gjata.

Policia e Kosovës ka thënë se këto kolona krijohen për shkak të numrit të madh të automjeteve që qarkullojnë në atë pjesë, por edhe për shkak të gjendjes së infrastrukturës së rrugës, sidomos nga kilometri i 10-të.  Policia ka thënë gjithashtu se gjendja mund të normalizohet vetëm atëherë kur të zgjerohet rruga, punët në të cilën kanë nisur qe disa muaj.

Kjo gjendje e papërballueshme për qytetarët e Vushtrrisë ka shtyrë që të reagojë i pari i kësaj Komune, Xhafer Tahiri. Ai ka shprehur shqetësimin e tij dhe të qytetarëve të Vushtrrisë për situatën e krijuar. Tahiri tha se e gjithë gjendje kaotike është rezultat i punës pa plan të qeverisjes së kaluar, por edhe i Ministrisë së Infrastrukturës, e cila nuk ka realizuar kontratën për zgjerimin e rrugës me katër korsi në qytet. “Aktualisht qyteti i Vushtrrisë, por edhe tërë veriu i Kosovës është i bllokuar në kolona të gjata në trafik.

Kjo për shkak të keqplanifikimit të qytetit për një kohë të gjatë, ku janë planifikuar e janë investuar në projekte tjera e kur prioritet numër një do të duhej të ishte zgjerimi i magjistrales në qytet. Tërë veriu i Kosovës dyndet në rrugë me dy shirita në qytet që nuk e përballon fluksin aktual të automjeteve. Kontrata për zgjerimin e këtij segmenti është nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës, por nuk ka buxhet për këtë vit. Ne i kemi kërkuar Qeverisë që nëpërmjet mekanizmit të ridestinimit të financojë këtë vit zgjerimin e rrugës në qytet. Për ne prioritet mbetet zgjerimi i kësaj rruge dhe po punojmë bashkë me Qeverinë për të gjetur zgjidhje”, tha Tahiri.

Kryetari i Vushtrrisë ka bërë të ditur se i ka shkruar letër dy ministrave të qeverisë “Haradinaj”, Bedri Hamzës (Ministria e Financave) dhe Pal Lekajt (Ministria e Infrastrukturës) me kërkesën që të zbatohet kontrata për zgjerimin e rrugës në qytet.  “Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë për zgjerimin e rrugës Nedakovc – Vushtrri - Smekovnicë, për ndërtimin e trotuareve dhe për ndriçimin publik në të dyja anët e rrugës. Kjo rrugë është ndarë në tri segmente për ndërtim, tanimë kanë filluar punët në segmentin e dytë (nga hyrja në qytetin e Vushtrrisë deri në dalje për në Mitrovicë), të cilat nuk kanë përfunduar, ndërsa punët në segmentin e parë Nedakovc – Vushtrri dhe në segmentin e tretë Vushtrri - Smrekovnicë nuk kanë filluar fare.

Aktualisht qyteti i Vushtrrisë, por edhe i tërë veriu që kalon nëpër këtë segment është i bllokuar nga kolonat e gjata, sepse rruga aktuale nuk e përballon fluksin e automjeteve. Sipas informacioneve që kam punët kanë ngelur për shkak të mungesës së mjeteve financiare në Ministrinë e Infrastrukturës. Ngecjet në këtë projekt kanë shkaktuar  probleme të mëdha në komunikacion, duke krijuar kolona të gjata deri në 10 kilometra, si nga drejtimi i Mitrovicës, po ashtu edhe nga drejtimi i Prishtinës”, ka shkruar Tahiri në letrën që ua ka dërguar dy ministrave, Hamzës e Lekajt.

Ai ka rekomanduar që me rishikim të buxhetit të sigurohen mjete për të vazhduar punën në këtë segment. “Me qëllim të zbutjes sadopak ose zgjidhjes së këtij problemi nga ju kërkoj që me rastin e ridestinimeve buxhetore në këtë vit të ndani mjete financiare të nevojshme për vazhdimin e punimeve në zgjerimin e rrugës, sipas segmenteve rrugore të kontraktuara, duke i dhënë prioritet segmentit të dytë, pjesa e rrugës nëpër qytete nga hyrja deri në dalje, për t’i eliminuar kolonat dhe tollovitë që po krijohen. E meqë nuk ka rishikim buxhetor, kërkoj që ndarja e mjeteve të bëhet me vendim të Qeverisë, përmes mekanizmit ligjor të ridestinimit”, ka thenë Tahiri.

Ai ka shtuar se Qeverisë së Kosovës ia ka bërë edhe një kërkesë për 200 mijë euro mjete për asfaltimin e rrugës Vushtrri – Nedakovc - Pestovë, e cila do të shërbejë edhe si bypass e autorrugës M2, Prishtinë – Mitrovicë. Tahiri ka thënë se kjo rrugë ka koston mbi 1 milion euro, ndërsa që tani Komuna e Vushtrrisë ka ndarë 100 mijë euro nga buxheti i vet. “Duke qenë se ky projekt ka kosto të lartë financiare dhe se me mjete financiare të Komunës nuk ka mundësi të realizohet projekti, kërkoj nga Qeveria e Kosovës që nëpërmes të ridestinimit të ndajë 200 mijë euro, në mënyrë që të mundë t’i mbulojmë investimet, të paktën për një segment të caktuar, ndërsa pjesën tjetër do ta financojmë me mjetet e investimeve kapitale në vitin 2019 dhe 2010”, ka shpjeguar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. 

“Zëri” ka bërë përpjekje që të kontaktojë me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili gjatë përurimit të segmentit të rrugës M2, në Gojbulë të Vushtrrisë, kishte premtuar se mjetet për ndërtimin e kësaj pjese të rrugës janë siguruar, por kontakti me të ka qenë i pamundur./ZËRI