Institucionet mbushen me militantë politikë

Ekonomia August 03, 2018 - 08:01
Lexo detajet

Gjatë vitit që lamë pas Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se pjesa dërrmuese e institucioneve që marrin para nga buxheti i shtetit kanë punësuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve me kontrata për shërbime të veçanta, duke i shmangur procedurat e parapara me ligj. Në këtë formë gjatë vitit 2017 vetëm Ministria e Kulturës ka punësuar hiç më pak se 104 persona, shkruan sot Gazeta Zëri'.

Një numër i madh i qytetarëve janë punësuar muajve të fundit nëpër ministri, nëpër institucione të pavarura, por edhe nëpër ndërmarrje publike me kontrata mbi vepër, duke i shmangur direkt procedurat ligjore të parapara me ligj. Kjo formë e punësimit po ashtu ishte aplikuar edhe gjatë vitit të kaluar gjatë qeverisjes së vendimit nga dy partitë më të mëdha politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Gjatë vitit që lamë pas Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se pjesa dërrmuese e institucioneve që marrin para nga buxheti i shtetit ka punësuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve me kontrata për shërbime të veçanta, duke i shmangur procedurat e parapara me ligj. Në këtë formë gjatë vitit 2017 vetëm Ministria e Kulturës ka punësuar hiç më pak se 104 persona.

Anton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se punësimet politike në masë të madhe janë duke dëmtuar institucionet e shtetit, por edhe ndërmarrjet publike në vend. Sipas tij, pikërisht Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit nga mbipunësimi, por edhe nga keqmenaxhimi që është bërë nga njerëzit politikë. “Punësimi politik në vendin tonë është bërë standard. Gjatë qeverisjes së kaluar janë punësuar militantë të PDK-së e të LDK-së dhe derisa në qeverinë aktuale po punësohen pa konkurs kryesisht militantë të AAK-së e të Nismës. Kjo formë në vendin tonë ka qenë e njëjtë. Në momentin kur janë ndërruar partitë kanë filluar edhe punësimet e militantëve të partisë e cila ka ardhur në pushtet”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”. Sipas tij, është momenti i fundit kur duhet të ndalet kjo praktikë shumë e keqe e punësimeve të militantëve politikë, madje edhe nëpër pozita shumë të rëndësishme shtetërore.

Ministria e Kulturës punësoi 104 persona

Gjatë vitit 2017 Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve (MKRS) gjatë vitit kishte angazhuar 104 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta . “Në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës këto i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për to duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Ne kemi vërejtur se nga 104 të angazhuarit me MSHV, 14 prej tyre janë marrë pa procedura të rekrutimit. Angazhimi i punëtorëve me MSHV pa procedura adekuate të rekrutimit rrit rrezikun që të angazhohen personat jokompetentë për pozitat përkatëse dhe kjo mund të rezultojë në mosefikasitet operativ dhe me mosarritje të objektivave të organizatës. Ministri duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta angazhohen me procedura rekrutuese sipas kërkesave ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Po ashtu edhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) gjatë vitit 2017 kishte angazhuar 54 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta. Sipas Auditorit, në 15 raste është tejkaluar afati ligjor prej gjashtë muajsh dhe se puna e tyre vazhdohet vetëm përmes një kërkese nga departamenti përkatës. Ndërsa 13 prej tyre janë pozita të rregullta (zyrtar të sigurimit, administratë dhe roje të natyrës) dhe se angazhimi i tyre me marrëveshje për shërbime të veçanta nuk ka të bëjë me ekspertë të lëmit së caktuar, por me mbulim të pozitave të rregullta. Pagesa për këto shërbime ishte bërë nga kategoria mallra dhe shërbime. Sipas Auditorit, lidhja e marrëveshjeve për shërbime të veçanta për pozita të rregullta, si dhe tejkalimi i afatit ligjor mbi gjashtë muaj ndikon në rritjen e shpenzimeve të shërbimeve kontraktuese. “Ministrja duhet të sigurojë që të mos tejkalohet afati ligjor për të punësuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta dhe të sigurojë që kontratat e tilla të përdoren vetëm për shërbime të veçanta dhe jo për pozita të zakonshme”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

MPMS-ja, 25 të punësuar pa procedura  

Po  ashtu Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) kishte 32 persona të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta. Në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës, këto i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për to duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. “Ne kemi parë se 25 prej tyre janë angazhuar pa procedura të rekrutimit dhe për 20 nga ta kontratat janë vazhduar çdo 6 muaj prej viteve të kaluara. Arsyeja e angazhimit të këtyre punëtorëve ishte mungesa e buxhetit për paga dhe mëditje. Vlen të theksohet se me këshillën tonë në memon e auditimit, MPMS-ja në vitin 2018 ka reduktuar numrin e MSHV-ve në dy zyrtarë. Angazhimi i punëtorëve me MSHV pa procedura adekuate të rekrutimit rrit rrezikun që të angazhohen personat jokompetentë për pozitat përkatëse dhe kjo mund të rezultojë në mosefikasitet operativ dhe mosarritje të objektivave të organizatës. Ministri duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta angazhohen me procedura rekrutuese sipas kërkesave ligjore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Po ashtu kontrata për shërbime të veçanta më gjatë se gjashtë muaj janë gjetur edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë (MTI). Auditori ka saktësuar se sipas Nenit 12 të LSHC nr.03/L-149, organizata buxhetore mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar për më pak se gjashtë muaj, por Ministria kishte angazhuar 20 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta. Prej tyre 12 janë angazhuar më tepër se gjashtë muaj (8 deri 25 muaj), po ashtu angazhimi i tyre ndërlidhet me programet e përhershme të punës si zyrtar për markat tregtare, zyrtar i prokurimit, ekspert i meteorologjisë, mbikëqyrës i projekteve kapitale. Sipas ZKA-së, angazhimi i stafit me MSHV për më shumë se gjashtë muaj dhe për pozita të përhershme rezulton me performancë dhe me monitorim të dobët të stafit dhe cilësia e shërbimeve të ofruara nuk mund të jetë e nivelit të duhur për arritjen e objektivave të organizatës. Sipas Auditorit, ministri duhet të sigurojë kontrolle në angazhimet e stafit me kontrata për shërbime të veçanta që ato të mos kalojnë periudhën e lejuar. “Nevoja për staf shtesë për pozitat e karrierës duhet të analizohet dhe nëse rritja e numrit të stafit është e domosdoshme, kjo të inkorporohet në planifikimet buxhetore”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së

Marrëveshje për shërbime të veçanta për pozita të rregullta të punës

Po ashtu punësime me kontrata për shërbime të veçanta Auditori ka hasur edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës. Sipas Nenit 12, pika 4 e Ligjit për Shërbimin Civil emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Sipas Auditorit, MPB-ja vazhdon të angazhojë punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta, të cilët angazhohen pa procedura të rregullta të rekrutimit. Numri i të angazhuarve në këtë formë gjatë vitit 2017 ishte 13, prej të cilëve nëntë raste i takonin AME-së. Në nëntë nga 13 rastet e lartpërmendura ishte tejkaluar kohëzgjatja e lejuar ligjore për angazhim në këtë formë. Po ashtu edhe në Ministrinë e Drejtësisë ZKA-ja ka gjetur punësime me kontrata të tilla. Sipas Ligjit të Shërbimit Civil Nr.03-L-149, në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj. Ndërsa emërimi i drejtpërdrejtë në pozita të lira, në kundërshtim me parimin e meritës nuk është i lejueshëm. Ne identifikuam parregullsitë si në vijim: Në Burgun e Sigurisë së Lartë që nga marsi 2016 një zyrtar korrektues është caktuar ushtrues i detyrës i udhëheqësit të Njësisë për Siguri të Brendshme, zëvendësdrejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë (QPM) është caktuar u.d. i drejtorit të QPM-së që nga data 06.01.2016;  Në Qendrën Korrektuese në Dubravë nga pozita udhëheqës i Administratës është caktuar u.d. i zëvendësdrejtorit në QKD, në fund të dhjetorit 2016; dhe në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë një zyrtar i cili ka qenë u.d. i udhëheqësit për Siguri në Zyrën Qendrore të SHKK-së ishte caktuar më pas u.d. i drejtorit të Drejtorisë për Operativë, Siguri dhe Transportim të Burgosurve në Zyrën Qendrore të SHKK-së. “Nuk ka ndonjë arsyetim të vlefshëm se pse këto pozita kanë vazhduar të mbahen nga ushtruesit e detyrës. Praktika e mbulimit të pozitave me u.d. për periudha më të gjata sesa është e lejuar me dispozita ligjore rrit rrezikun që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme dhe mund të ndikojë në performancën e organizatës në përgjithësi. Ministri duhet të sigurojë që janë ndërmarrë veprime konkrete për të ndërprerë mbulimin e pozitave menaxheriale me u.d.. Të rishikohen arsyet e mosangazhimit të personelit të rregullt në këto pozita dhe të vendosen kontrolle shtesë në menaxhimin e procedurave të rekrutimit. Kohëzgjatja e funksionit si ushtrues detyre nuk duhet të jetë më e gjatë se periudha e përcaktuar ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së./ZËRI