Projektligji për Pagat së shpejti procedohet në Qeveri

Ekonomia July 26, 2018 - 09:02
Lexoni më shumë detaje

Zyrtarët e lartë shtetërorë nuk do t’i gëzojnë shumë gjatë pagat e larta dhe përfitimet të cilat u rritën muaj më parë me vendim të shefit të Qeverisë, Ramush Haradinajt. Gjithçka pritet të ndryshojë me Draftligjin e Ri për Pagat, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu paga e kryeministrit që u rrit nga 1260 euro në 2950, me Ligjin e Ri do të bjerë në 2390 euro. Pagë të njëjtë sa të kryeministrit, 2390 euro, do të marrë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilit me ligj paga do t’i zvogëlohet për 165 euro.

Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, që aktualisht merr pagë prej 3108 eurosh, do t’i zbritet paga për 718 euro më pak. Udhëheqësja e Kushtetueses do të paguhet njësoj si kryeministri e kryeparlamentari, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: “Lufta” e partive për drejtorin e Policisë

Pagë më të lartë se të kryeministrit, të kryeparlamentarit e të kryetares së Gjykatës Kushtetuese do të gëzojë presidenti Hashim Thaçi. Nga buxheti i shtetit ai do të paguhet 2868 euro nga 2672 sa paguhej në fillim. Me një përllogaritje i bie t’i marrë 196 euro më shumë.

Ky projektligj është në fazën përfundimtare të konsultimeve dhe të kalkulimeve financiare. Kështu thuhet në përgjigjen zyrtare që këshilltarët e kabinetit të ministrit të Administratës Publike (MAP), Mahir Jagçilar, ia kanë përcjellë gazetës Zëri.

“Ju njoftojmë se projektligji është në procedurat qeveritare për shqyrtimin e tij paraprak. Po ashtu jemi në fazën përfundimtare të konsultimeve, në inkorporimin e komenteve dhe në kalkulimin financiar. Besojmë që me këto plotësime të lartpërmendura së shpejti do të procedohet për votim në Qeveri dhe pastaj do të procedohet për shqyrtim në Kuvend”, theksohet në përgjigjen e tyre.

Për uljen e pagës së tij është në dijeni edhe kryeministri i Kosovës.

Ditë më parë ai publikisht kishte deklaruar se askujt nuk do t’i ulet paga përveç tij, ndërsa ishte shprehur edhe entuziast se ligji po shkon në Qeveri e pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria: Ligji do t’i rregullojë pagat në sektorin publik

Gazeta “Zëri” ka përcjellë pyetjet me shkrim në adresë zyrtare të Qeverisë për të kuptuar qëndrimin e kryeministrit karshi Ligjit për Paga.

Nga përgjigjet e kabinetit të kryeministrit bëhet e qartë se ky ligj do ta gjejë mbështetjen e Qeverisë, madje e kanë cilësuar këtë vit të sundimit të rendit dhe të ligjit, duke përfshirë edhe rritjen e pagave.

“Ligji për Pagat do t’i rregullojë të gjitha pagat në sektorin publik në vend. Kryeministri Haradinaj ka deklaruar edhe publikisht se paga e tij do të pësojë rënie me Ligjin e Ri të Pagave. Kurdo që të ketë një draft final se si do të jenë pagat në këtë sektor do ta ndajmë me ju. Aktualisht po punohet intensivisht në këtë drejtim”, kanë thënë në Zyrën e Kryeministrit.

Por nuk e kanë komentuar veprimin e kryeministrit për rritje pagash me arsyetimin se e kanë sqaruar shumë herë.

“Pse është marrë vendim për nivelizim të pagave nga ana e kryeministrit, për kategorinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe të një numri shumë të vogël të zyrtarëve qeveritarë tashmë është sqaruar shumë herë në opinion. Ju kujtojmë, që ky është shpallur viti i sundimit të rendit dhe të ligjit dhe po punohet intensivisht në këtë drejtim dhe vendimi për paga është pjesë e këtij qëndrimi që të fuqizohet rendi dhe ligji në vend”, thuhet tutje në përgjigjen zyrtare të Qeverisë.

Se me këtë projektligj do të bëhet punë e mirë shpreson edhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.

Ajo i ka thënë gazetës “Zëri” se në momentin që do të arrijë në Kuvend do të ofrojë kontributin më të mirë që ligji të ketë zbatim.

“Shpresoj se do të bëhet puna më e mirë në këtë projektligj në Qeveri. Në momentin kur do të arrijë në Kuvend e do ta kemi draftin do ta jap kontributin më të mirë që ligji të jetë sa më i mirë dhe të ketë zbatueshmëri”, është shprehur Hadërgjonaj.

Vonesat në procedimin e Projektligjit

“Situata më komike sa i përket këtij ligji është se ky parasheh ulje të pagës së kabinetit qeveritar nga ai që para disa muajsh është marrë nga qeveria ‘Haradinaj’. Do të jetë interesante se si do të sillet kjo Qeveri karshi këtij ligji. Në vazhdimësi të kësaj ky projektligj është gjysmak nëse nuk përcillet me hartimin, me procedimin dhe me miratimin në pako edhe të Ligjit për Qeveri, ku do të parandalonte krijimin e qeverive, ushtri me plot zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra e staf tjetër shtesë”, është shprehur Fidan Kalaja, përfaqësues i shoqërisë civile në vend.


Më tej ai ka komentuar edhe vonesën e procedimit të Ligjit për Paga, në emër të të cilit thotë se është abuzuar me paranë publike nga ndërmarrjet publike.

“Mungesa e një ligji të tillë ka krijuar mundësi abuzimi me paranë publike nga sektorë të ndryshëm qeveritarë e publikë. Miliona euro janë abuzuar nga ndërmarrjet publike në paga e bonuse për borde të tyre, ndërsa miliona tjera janë dashur të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës për shkak të dështimeve dhe të humbjeve që ka krijuar keqmenaxhimi i bordeve të këtyre ndërmarrjeve”, ka deklaruar ai.

Projektligji për Paga, me të cilin parashihet pagë e njëjtë për punë të njëjtë, ishte premtuar se në fillim të muajit qershor do të procedohej në Kuvend, por akoma nuk ka arritur pavarësisht se gati ka kaluar edhe muaji korrik.

Kërkesa për procedim të këtij ligji në Kuvend kishte pasur edhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Ata kërkonin që Projektligji për Paga të procedohet në Kuvend në pako me Ligjin për Shërbimin Civil dhe me Ligjin për Organizimin e Administratës Publike.