Shitet ''Ferronikeli'', menaxhmenti dhe punëtorët nuk dinë asgjë

Ekonomia July 23, 2018 - 08:26
Mësoni më shumë detaje

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit” Fehmi Nika i tha “Zërit” se punëtorët nuk kanë asnjë informacion për shitjen e “Ferronikelit”, ndërsa ka sqaruar se menaxhmenti aktual ua ka borxh punëtorëve edhe nga një pagë e gjysmë. Në anën tjetër, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se është marrë vendimi që kompanisë “NKL Limitet” me bazë në Londër t’i lejohet përqendrimi përmes përfitimit 100 për qind të kontrollit në “Ferronikel” pas blerjes së aksioneve

Informacionet se njeriu më i pasur në Shqipëri, Samir Mane, ka blerë “Ferronikelin” nuk i kanë shqetësuar dhe as nuk i kanë gëzuar punëtorët e “Ferronikelit”, të cilët vetë kanë ndërprerë prodhimin para gati tre muajve për shkak se menaxhmenti nuk i kishte kryer obligimet ndaj tyre.

Ndonëse menaxhmenti i “Ferronikelit” në maj kishte dalë me një komunikatë se prodhimi në “Ferronikel” do të kthehet në fund të qershorit, gjasat janë shumë të vogla që prodhimi të rifillojë në një të ardhme të afërt, përveç nëse pronarët e rinj, kompania “NKL Limitet”, e cila edhe zyrtarisht pohohet se ka blerë ndërmarrjen, do ta rifillojë prodhimin.

Edhe punëtorët shprehen të indinjuar me situatën që është krijuar në gjigantin e dytë më të madh në Kosovë pas “Trepçës”, pasi menaxhmenti ua ka borxh punëtorëve edhe nga një pagë e gjysmë.

LEXO EDHE: Mbijetesa me paga të sektorit privat

Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, i ka thënëZërit të dielën se tani për tani ka vetëm fjalë dhe se zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim se “Ferronikeli” është shitur.

“Nuk ka asgjë zyrtare, natyrisht ka shumë fjalë që po qarkullojnë, por punëtorët nuk dinë asgjë. Gjithashtu as menaxhmenti nuk ka dhënë asnjë njoftim, përveç një deklarate sipas së cilës prodhimi në ‘Ferronikel’ do të rifillojë në fund të qershorit. Ne jemi duke pritur, pagat për një muaj e gjysmë nuk i kemi marrë. Kjo është gjendja aktualisht”, ka thënë Nika të dielën.

Në anën tjetër, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se është marrë vendimi që kompanisë “NKL Limitet” me bazë në Londër i është lejuar përqendrimi përmes përfitimit 100 për qind të kontrollit në “Ferronikel” pas blerjes së aksioneve.

Drejtori i “NKL Limited”, sipas AKK-së, është Samir Mane, njeriu më i pasur në Shqipëri, president dhe pronar i grupit “BALFIN”, i cili është grupi më i madh i investimeve private në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore.

Në vendimin e AKK-së thuhet mes të tjerash se lejimi i përqendrimit përmes përfitimit 100 për qind të kontrollit nga “NKL Limited” në cilësinë e blerësit të “NewCo Ferronikeli Complex LLC – Cunico” në cilësinë e shitësit është bërë në bazë të transaksionit të propozuar e që nuk ka efekt në tregun e Republikës së Kosovës, por vetëm në atë ndërkombëtar. 

“Nga transaksioni nuk do të rezultojnë efekte negative për konkurrencën e rrjedhimisht për konsumatorët në Republikën e Kosovës. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës më datën  25.05.2018 ka pranuar kërkesën për njoftim të përqendrimit të ndërmarrjeve të realizuar si pasojë e blerjes së aksioneve të ‘NewCo Ferronikeli Complex LLC’ nga ana e ‘NKL Limited’ me seli në Mbretërinë e Bashkuar përmes përfitimit të kontrollit të plotë me 100 për qind të aksioneve”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Më tej thuhet se subjekti i përqendrimit sipas përshkrimit të kërkesës nuk do të ketë efekt mbi konkurrencën në Republikën e Kosovës, rrjedhimisht nga ky transaksion nuk do të rezultojnë efekte negative për operatorët ekonomikë ose konsumatorët në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh së blerësi nuk është i pranishëm në tregun e Republikës së Kosovës nëpërmjet personit juridik ose shitjeve.

Po ashtu thuhet se ky transaksion nuk krijon pozitë të re dominuese ose ndryshime në tregun e Kosovës. Sipas këtij njoftimi, gjithçka do të finalizohet brenda 10 ditëve të ardhshme, kur miliarderi shqiptar do t’i ketë në pronësi të gjitha aksionet e “Ferronikelit”. 

Në anën tjetër, “Zëri” është përpjekur të kontaktojë me menaxherin e “Ferronikelit”, izraelitin Ben Shlomo, por ai nuk është përgjigjur në telefon, ndërsa zëdhënësja e “Ferronikelit” Lindita Daija gjithashtu nuk është përgjigjur në kërkesën për të sqaruar për situatën në “Ferronikel”, posaçërisht për informacionet për shitjen e ndërmarrjes.   

Ndryshe, vështirësitë në “Ferronikel” kishin nisur në vitin 2016, kur ishte ndërprerë prodhimi për rreth 6 muaj. Menaxhmenti i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i plotësojë disa kërkesa, në mesin e të cilave edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike, ndërsa prodhimi ishte lidhur edhe me çmimin e ulët të metaleve në treg.

Prodhimi ishte ndërprerë edhe në vitin 2017, ndërsa në marsin e vitit 2018 rreth 820 punëtorë dhe 200 kontraktues kishin ndalur punën për shkak të mospagesës së pagave nga menaxhmenti i “Ferronikelit”. Pas ndërprerjes menaxhmenti kishte sqaruar se fabrika është duke u përballur me vështirësi të mëdha dhe për këtë arsye ka reduktuar kapacitetin.   

“Posa lënda e parë të jetë në dispozicion ne do të vazhdojmë të operojmë me kapacitet të plotë dhe e gjitha kjo bëhet sipas programit. Ne e vlerësojmë mbështetjen e punonjësve dhe të partnerëve tanë dhe besojmë që do ta përmbyllim me sukses programin tonë të ristartimit të operimit të plotë të fabrikës”, kishin sqaruar në “Ferronikel”.   

Me problemet në “Ferronikel” është përballur edhe kryeministri aktual i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili kishte takuar punëtorët dhe të cilëve u kishte premtuar se Qeveria do t’ua ndajë 2 milionë euro në formë rimburësimi për tejkalimin e situatës.

Punëtorëve u janë dhënë pagat e mbetura, por tani ka dalë që edhe një pagë e gjysmë të jetë borxhi që menaxhmenti ua ka punëtorëve. Pas rimburësimit menaxhmenti i “Ferronikelit” pati dalë me një komunikatë, sipas së cilës planifikohej që prodhimi në “Ferronikel” të kthehet në fund të qershorit.

Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, tha të dielën se obligimet për paga të punëtorëve nuk janë kryer për gjysmën e majit dhe për muajin qershor.