Mbijetesa me paga të sektorit privat

Ekonomia July 23, 2018 - 08:10
Mësoni më shumë detaje

Pagat janë burim kryesor i të hyrave për familjet në Kosovë. Në bazë të shifrave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga 100-përqindëshi i burimit të të ardhurave 29 për qind të të hyrave kosovarët i sigurojnë nga pagat e sektorit privat, ndërsa 23 për qind nga pagat e sektorit publik, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Familjet në Kosovë arrijnë ta sigurojnë mbijetesën me një pagë mesatare të sektorit privat, e cila llogaritet të jetë 350 euro. Por, gati dhjetëfishi i kësaj page nuk po u mjafton zyrtarëve shtetërorë që ta mbarojnë luksin e tyre.

Për t’i siguruar të hyrat familjare kosovarët nuk po e shohin bujqësinë si potencial për mbijetesë. Në burimin e të hyrave për ekonomitë familjare bujqësia zë vend vetëm me 3 për qind, nga 5 për qind sa kishte vlerën në vitin 2016.

Shifrat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2017 tregojnë se nga bizneset e tjera familjare kosovarët sigurojnë rreth 13 për qind të hyrat, nga 11 për qind sa arrinin në vitin 2016, shkruan më tutje "Zëri"

LEXO EDHE: Dialogu pa konsensus sjell një ''demarkacion'' të dytë

Një pjesë të mirë të mbijetesës e sigurojnë edhe nga remitancat.

Të hollat e dërguara nga jashtë kapin 8-përqindëshin si burim i të hyrave për ekonomitë familjare në Kosovë, që krahasuar me ndihmat sociale i bie se janë dyfishuar.

Në këtë përmbledhje shifrash janë përfshirë edhe pensionet, nga të cilat kosovarët sigurojnë 12-përqindëshin e burimit të të hyrave, nga 11 për qind sa ishte në vitin 2016.

Ndonëse pjesën më të madhe të të hyrave kosovarët e sigurojnë nga pagat e sektorit privat, përfaqësuesit e këtij sektori kanë adresuar një varg kritikash për udhëheqësit shtetërorë, që morën vendim t’ia rrisin pagat vetes.

Azemi: Kryeministri nuk e ngriti pagën minimale të punëtorëve

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, në emër të punëtorëve të sektorit privat ka drejtuar pakënaqësi të shumta në adresën e institucioneve shtetërore.

Me këtë rast Azemi ka përmendur edhe vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur pagën vetes e kabinetit qeveritar.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Azemi ka kritikuar kryeministrin se nuk bëri rritje të pagës minimale në Kosovë, ashtu siç vendosi ta rrisë për vete pagën.

“Kryeministri për pagën e tij e çoi rastin deri në Gjykatën Kushtetuese, kurse nuk e ngriti pagën minimale të punëtorëve. Edhe pse të gjitha institucionet relevante vendosen që të ketë ngritje, duke përfshirë katër ministrat që janë pjesë përbërëse e Këshillit Ekonomiko-social, Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Bizneseve edhe sindikatat. Të gjithë jemi pajtuar për t’i rritur pagat së paku prej 120 euro në 250 euro, por këtë nuk e bëri”, është shprehur Azemi.

Përfaqësuesi i punëtorëve të sektorit privat në Kosovë e quan skllavërim vendimin e kryeministrit për t’ia rritur pagën vetes.

“Kryeministri rritjen e bëri vetëm për pagën e vet, që është skllavërimi më i madh. Me këtë tregon se kryeministri nuk është i interesuar për popullatën, por ta rrisë pagën e tij, t’i krijojë kushtet ashtu siç i nevojiten atij, ndërsa punëtorët e sektorit privat janë në një gjendje tejet të mjerueshme”, ka theksuar më tutje ai.

Shatri: Shteti nuk përzihet në sektorin privat

Por në anën tjetër Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, thotë se shteti nuk përzihet në sektorin privat duke përcaktuar lartësinë e pagave, pasi Kosova njihet me ekonomi të tregut të lirë.

“Kosova është shtet i ekonomisë së tregut të lirë. Edhe shteti nuk përzihet në sektorin privat, duke përcaktuar lartësinë e pagave. Përveç pagës minimale, që është marrëveshja e Odës Ekonomike të Kosovës dhe e sindikatave dhe që arrihet kjo me marrëveshje të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale”, ka deklaruar Shatri.

Më tutje, ai ka insistuar në qëndrimin se shteti nuk guxon të përzihet në pagesat e punëtorëve të sektorit privat.

“Shteti nuk guxon të përzihet sa duhet të paguhen punëtorët në sektorin privat. Atyre u paguhen pagat në bazë të ofertës dhe kërkesës. Tash meqenëse papunësia është e lartë sektori privat gjen punëtorë mjaft. Kur gjen punëtorë shumë nuk i paguan në vlerë të madhe. Ata i paguajnë pagat më të madha, por zyrtarisht ua caktojnë pagat më të vogla për t’i zvogëluar obligimet ndaj tatimit”, ka përfunduar në mes të tjerash Shatri.

Njohës të tjerë të rrethanave ekonomike deklarojnë se kostoja e pagave të sektorit publik paraqet pasoja në politikat monetare dhe fiskale të Kosovës, madje këtyre të fundit ua shtojnë edhe ndikimin mbi pagat e sektorit privat.

Lulzim Beqiri, njohës i fushës ekonomike, thotë se me ngritjen e pagave mund të rrezikohet konkurrueshmëria e ekonomisë dhe të vërë kështu në rrezik stabilitetin makroekonomik.

“Shumë familje kosovare janë në kufirin e varfërisë ekstreme. 31 mijë familje janë në asistencë sociale (ose 15% e qytetarëve marrin ndihmë sociale), që do të thotë se ngritja e pagës minimale e përmirëson edhe gjendjen ekonomike të shumë familjeve kosovare. Nëse analizojmë pagën minimale i bie që një familje që merr pagë 170 euro mund t’i shpenzojë vetëm 5.5 euro në ditë, duke i përfshirë të gjitha shpenzimet fikse e variabile”, është shprehur Beqiri.

Shqetësuese mbetet edhe siguria e punëtorëve të sektorit privat në vendin e tyre të punës.

Gjatë vitit që lamë pas 17 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, ndërsa për 7 muajt e parë të këtij viti 7 punëtorë kanë vdekur duke kryer punë në sektorin privat.