"AKP-ja po e mashtron opinionin publik"

Ekonomia July 21, 2018 - 21:22
Lexo detajet

Drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) thonë se nga qindra prona të uzurpuara në të gjithë Kosovën kanë mbetur vetëm tri në veri të Mitrovicës. Aksioni për largimin e uzurpatorëve kishte nisur në prill të vitit 2016, pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri”.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në Kosovë kanë mbetur vetëm edhe tri lokale të uzurpuara, përkatësisht në veri të Mitrovicës.

Që nga aksioni për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit e paligjshëm zyrtarë të AKP-së thonë se kanë marrë nën administrim rreth 600 asete në pronësi shoqërore, si dhe 60 të tjera në pjesën veriore të Mitrovicës.

LEXO EDHE: AKP-ja flak uzurpatorët, vetëm edhe tre në Mitrovicë të Veriut

Publikimin e listave të uzurpatorëve e ka kërkuar edhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

Demhasaj në një prononcim për gazetën “Zëri” ka komentuar mospublikimin e listave të uzurpatorëve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke e quajtur mashtrim publik qasjen e AKP-së në këtë aspekt.

“Derisa nuk ka publikim të një liste të tillë me prona që kanë qenë të uzurpuara e që kanë mbetur vetëm tri ne nuk mund t’i besojmë një të dhëne të tillë. Po ashtu derisa nuk ka një dokument publik që e tregon këtë”, ka shpjeguar Demhasaj.

Ai ka kërkuar publikimin e listave, në mënyrë që njerëzit që njohin pronat të cilat janë të uzurpuara të tregojnë se nuk janë vetëm ato, por një mori të tilla.

“Duhet të publikohen listat, në mënyrë që njerëzit që i njohin pronat të cilat janë të uzurpuara munden të raportojnë, të tregojnë se nuk janë vetëm këto tri prona, por edhe të tjerat. Mospublikimi i një liste të tillë me prona të uzurpuara është një lloj mashtrimi që po i bëhet opinionit, për shkak se nuk po i publikojnë listat”, ka theksuar në mes të tjerash Demhasaj.

Shqetësues mbetet fakti i ndëshkimit të uzurpatorëve të ndërmarrjeve publike e private në Kosovë. Gjoba më e madhe e shqiptuar ndonjëherë ndaj tyre, duke iu referuar të gjeturave zyrtare, është 600 euro, ndërsa pa raste të paraburgimit të uzurpuesve. /Zëri