Haradinajt i zvogëlohet paga për 560 euro me Ligjin e ri për Pagat

Ekonomia July 21, 2018 - 18:05
Lexo detajet

Përderisa presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit i është rritur paga me Ligjin e ri për Paga, kryeministrit Ramush Haradinajt i është zvogëluar paga për 560 euro më pak.

Haradinaj fillimisht si kryeministër pagën mujore të tij e kishte pasur 1260 euro, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar ai kishte marrë vendim që ta rriste atë, pagën e tij e kishte bërë 2950 euro.

Tash, në këtë pagën aktuale, sipas Ligjit për Paga, nëse ky hyn në fuqi, Haradinaj do të pësojë zbritje, saktësisht zbritje prej 560 eurove në pagë.

Ligji i ri për Pagat kishte ardhur si nevojë që të bëhet nivelimi i pagave të punonjësve publik, që të mos ketë dallime të mëdha mes stafit drejtues dhe nëpunësve si dhe për të zbatuar parimin “sa punë aq pagë”,

Megjithatë nëse shihet draft ligji për Paga i publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, respektivisht Qeverisë, dhe përllogariten koeficientet e paraparë me këtë draft herë pagën bazë të përcaktuar në konsultimet publike gjatë draftimit të projektligjit, që është 239 euro, atëherë del se zyrtarët e lartë të shtetit dhe drejtues me grada më të larta përfitojnë më tepër nga ky ligj ngase edhe rangohen më lartë me koeficiente.