Propozohen ndryshime të shumta të Ligjit për Automjete

Ekonomia July 19, 2018 - 09:00
Mësoni më shumë detaje

Heqja e kufizimit për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet ka ngjallur diskutime të shumta në dëgjimin publik të mbajtur në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të mërkurën ka organizuar dëgjim publik lidhur me ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete. Kërkesa të shumta për ndryshime të disa neneve të Ligjit ka pasur nga përfaqësues të institucioneve kompetente.

Drejtoresha e Departamentit për Regjistrimin e Automjeteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Sebahate Muharremi, ka kërkuar heqjen e ndërrimit të pronësisë së mjetit me çlajmërim.

LEXO EDHE: Çështja e personave të zhdukur, jashtë fazës finale

“Kemi propozuar qe të hiqet fjalia ‘çlajmërim i mjetit’. Ndërrimi i pronësisë së mjetit me çlajmërim. Në këtë rast krijohen edhe shpenzime, duhet të ndërrojë kontrolli teknik, sigurimi. Propozojmë që të largohet çlajmërimi, të mbetet vetëm ndërrimi i pronarit”, ka propozuar ajo, shkruan më tutje "Zëri".

Përfaqësues të tjerë të institucioneve kanë propozuar ndryshim të ligjit bazik.

Novitet Nezaj, përfaqësues nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE), ka propozuar që vlerësimi i emetimeve të gazrave nga mjetet motorike të jetë i detyrueshëm. Duke vënë kështu theksin tek aspekti mjedisor në ruajtjen e ambientit.

“Propozojmë në parim që vlerësimi i emetimit të gazrave nga mjetet motorike të bëhet e detyrueshme që njësitë e kontrollimit teknik komunale të pajisen me këto instrumente. Propozime të tjera nuk kemi. Një mjet që hyn në shtetin tonë duhet të jetë e paraparë më legjislacionin për mbrojtjen e ambientit”, është shprehur Nezaj.

Ministria e Infrastrukturës: Ndryshimet e shndërrojnë Kosovën në varrezë veturash të vjetra

Kundërshtime të ashpra sa i përket nismës së re ligjore, me të cilën parashihet të largohet kufizimi i vjetërsisë së veturave, kanë shprehur përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës.

Avdi Kamerolli, nga ky institucion, e ka vlerësuar të panevojshëm ndryshimin e ligjit, duke insistuar në qëndrimin e tij se krijohen çrregullime në tregun e importit të automjeteve dhe Kosova shndërrohet në varrezë veturash të vjetra.

“Ndryshimi i neneve është i panevojshëm. Krijon çrregullim të importit të automjeteve. Këto ndryshme e shndërrojnë Kosovën në varrezë të veturave të vjetra. Kjo iniciativë ligjore është në kundërshtim me rekomandimin e Komisionit Evropian”, është shprehur ai.

Nisma është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Dardan Abazi, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka kërkuar heqjen e nismës dhe pasqyrim analizash lidhur me ndikimin e ligjit, pasi siç është shprehur Abazi përmes kësaj nisme krijohen edhe kosto të larta.

Ndërsa Avni Gjocaj, nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ka kërkuar ndryshimin e çmimit unik.

“Neni 87, ku caktohet çmimi unik, të ndryshohet. Të caktohet çmimi i epërm, për shkak që operatorët ekonomikë të kenë mundësinë e konkurrencës dhe konsumatorët të përfitojnë”, ka deklaruar Gjocaj.

Lushtaku: Kam hulumtuar për nismën

Në anën tjetër, propozuesi i nismës ligjore për largimin e kufizimit të vjetërsisë së veturave më të vjetra se dhjetë vjet, Mërgim Lushtaku, arsyetohet se deri te vendimi për ndryshim ka ardhur pas hulumtimeve të bëra.

Lushtaku është zotuar se në asnjë vend të Bashkimit Evropian nuk parashihet si kriter për importim vjetërsia e automjeteve, përveç standardeve në ruajtjen e ambientit.

“Kam hulumtuar se a ka ndonjë kriter të importit të veturave në BE në aspektin e vjetërsisë, s’ka standarde të vjetërsisë, por vetëm standarde të ambientit. Problemi më i madh është që shumica e veturave në Kosovë nuk regjistrohen, kjo është më shumë problematike sesa importimi. Veturat që nuk e kanë emetimin e standardit ‘Euro 4’ duhet t’i rregullojnë katalizatorët”, ka shtuar më tutje propozuesi i iniciativës.

Nisma është kundërshtuar edhe nga përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe të asaj amerikane në Kosovë (OEAK), si dhe nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP).

Pas përmbylljes së dëgjimit publik kryetarja e Komisionit Sala Berisha Shala i ka ftuar të gjithë të pranishmit t’ia përcjellin të gjitha propozimet për ndryshime.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë heqjen e kufizimit të vjetërsisë së veturave më të vjetra se 10 vjet.