Kosova pritet 'të vlojë' nga grevat

Ekonomia July 18, 2018 - 07:55
Lexo detajet

Mjekët kosovarë po paralajmërojnë greva nëse brenda dhjetë ditëve nuk u përmbushen kërkesat për nivelizim të pagave. Edhe sindikalistët e arsimit thonë se nuk do ta nisin vitin shkollor në shtator nëse nuk u realizohen kërkesat. Krejt këto reagime janë nxitur pas rritjes së pagave të qeveritarëve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Spitalet në Kosovë së shpejti mund të mos ofrojnë asnjë shërbim të vetëm për pacientët e shumtë.

Nëse punëtorëve shëndetësorë nuk u përmbushen premtimet nga Qeveria për nivelizim pagash ata përveç grevës kanë kërcënuar edhe me reagime të tjera në instanca më të larta.

LEXO EDHE: Zgjedhjet përfunduan para 9 muajve, 1600 komisionarë ende s’janë paguar

Për kolaps të njëjtë kanë alarmuar edhe mësimdhënësit.

Krejt këto kërkesa të mjekëve dhe të mësimdhënësve janë shkaktuar pas vendimit për rritjen e pagave të qeveritarëve, ku paga e kryeministrit ka arritur në rreth 3000 euro.

Megjithatë, e palëkundur karshi vendimit qëndron Qeveria e Kosovës.

Në këtë institucion vazhdojnë ta cilësojnë të ligjshme ngritjen e pagave. Të paktën kështu thuhet në përgjigjen me shkrim, që Zyra e kabinetit të kryeministrit ia ka përcjellë gazetës “Zëri”.

“Qeveria e Kosovës me Ligjin për Pagat ofron zgjidhje për të gjithë. Kryeministri ka marrë vendim kushtetues për rritje pagash, nga i cili kanë përfituar rreth 600 gjykatës dhe prokurorë dhe më pak se 100 zyrtarë qeveritarë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës së Kryeministrit.

Megjithatë, kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se nëse brenda dhjetë ditësh nuk e marrin vendimin në Qeveri për nivelizim pagash do të gjenden mbrapa një kolapsi.

Ai thotë se pagë më të lartë se mjeku specialist ka një pastruese në Telekomin e Kosovës dhe kjo gjendje është e patolerueshme.

“Ne po kërkojmë nivelizim pagash, të gjejmë veten në këtë shtet. Ne si mjekë dhe punëtorë shëndetësorë po e kërkojmë vendin e merituar në shoqëri. Deri sot nuk ka ndodhur. Pagën më të madhe e ka një pastruese atje në Postë sesa një specialist, tash imagjinojeni. Po kërkojmë vendin tonë që na takon në shoqëri”, ka deklaruar Syla.

Mësimdhënësit paralajmërojnë grevë nga shtatori

Punëtorët shëndetësorë nuk janë të vetmit të pakënaqur me vendimin e kryeministrit për rritje pagash. Sikur ta kërkesa thuajse të ngjashme kanë adresuar edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj i ka thënë “Zërit” se nëse Projektligji dorëzohet  me versionin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), gjegjësisht ministrit të këtij dikasteri Mahir Jagçilar, do të futen në grevë nga shtatori në sistemin parauniversitar e universitar.

“Versioni i tanishëm i Ministrisë së Administratës dhe i ministrit Jagcilar kishin rend tabelor të njëjtë, me disa lëvizje më tepër kozmetike sa i përket sektorit të arsimit. Ne prapë jemi takuar me ministrin Bytyqi, me ministrin Jagcilar dhe me koordinatorin Besnik Tahiri. Ua kemi bërë me dije se versioni i ministrit Jagcilar për sistemin e arsimit është i papranuar”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka insistuar në qëndrimin se viti shkollor akademik nuk do të fillojë në shtator nëse nuk u realizohen kërkesat.

“Nëse Projektligji shkon në bazë të versionit që e kishin ata, atëherë nga shtatori e kemi thënë dhe e mbajmë fjalën, do të fillojmë me grevë. Sepse kjo është kërkesë e mësimdhënësve, e punëtorëve parauniversitarë dhe universitarë, shtatori do të fillojë me grevë dhe tetori po ashtu. Viti akademik nuk do të fillojë si duhet edhe tek administrata, por edhe te punëtorët universitarë”, ka shtuar në mes të tjerash përfaqësuesi i Sindikatës.

Veprime të tilla ka organizuar ditë më parë Sindikata e Judikaturës. Punëtorët e administratave të gjykatave dhe të prokurorive bojkotuan punën për ditë radhazi në shenjë pakënaqësie me vendimin e kryeministrit për rritje pagash.

Ndërkohë, minatorët e “Trepçës” organizuan edhe protestë deri pas ndërmjetësimit me ministrin e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Valdrin Lluka, i cili ua siguroi zgjidhjen.

BSPK: Qeveria nxiti punëtorët për grevë

Vendimet e përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve për grevë kanë gjetur përkrahjen e udhëheqësit të të gjitha sindikatave në Kosovë Avni Ajdinit.

Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” Ajdini ka komentuar veprimet e punëtorëve grevistë, duke hedhur fajin te Qeveria si nxitëse kryesore.

“Vetë Qeveria i ka nxitur punëtorët që të fillojnë një grevë ose një protestë, që të luftojnë për të realizuar të drejtën e tyre. Megjithatë, kjo kërkesë e punëtorëve dhe e Sindikatës është legjitime. I kam përkrahur të gjitha protestat dhe grevat dhe rri mbrapa këtyre. Qeveria me këtë veprim ka bërë diskriminim të punëtorëve, sepse paga ngrihet nga punëtori e jo nga Qeveria”, ka theksuar i pari i BSPK-së.

Më tutje ai ka bërë edhe një lloj krahasimi mes pagave të zyrtarëve në Qeveri dhe punëtorëve në administratë publike. Duke theksuar se këtyre të fundit paga u është ngritur vetëm 4 për qind, ndërsa Qeveria 100 për qind.

Përveç grevave të mbajtura, në shenjë pakënaqësie për vendimin e kryeministrit pati edhe të tilla për vonesa në kryerjen e shërbimeve obligative ndaj punëtorëve. Në saje të krizës financiare për vonesa në paga punëtorët e Postës bojkotuan punën javë më parë deri në arritjen e marrëveshjes.

Lluka: Mund të përsëritet vonesa e pagave për punëtorët e Postës

Punëtorët e Postës lehtësisht mund ta përsëritin grevën e mbajtur para dy javësh. Kjo për shkak të krizës financiare në të cilën gjendet kjo ndërmarrje aktualisht.

Kështu ka paralajmëruar ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka në një prononcim dhënë gazetës “Zëri”.

“Greva në Postë ka qenë për vonesën e pagave. Ne jemi duke u munduar që të mos ndodhë një gjë e tillë. Prapë kjo nuk mund të themi me bindje të sigurt që s’do të ndodhë për arsye se janë në vështirësi të madhe financiare edhe Telekomi, edhe Posta. Prandaj, mund të vihet në një situatë ku mund të ketë ndoshta edhe vonesë të pagave, por jemi duke u munduar me çdo kusht që të mos ndodhë një gjë e tillë”, është shprehur ministri Lluka.

Ndërsa për minatorët e “Trepçës” ka konfirmuar se nuk mund të ketë kërkesa të përsëritura për grevë, pasi, siç është shprehur, janë duke shqyrtuar kërkesat dhe duke u marrë me negocimin e të tjerave.

Të gatshëm për të hyrë edhe një herë në grevë janë punëtorët e Postës nëse u paraqiten problemet e njëjta.

Zëdhënësi për Informim në këtë institucion, Arsim Mehmeti, ka treguar për gazetën se nëse përsëritet problemi i njëjtë mund të paraqiten veprimet sindikale si deri më tani.

“Po që se përsëritet problemi me mospagesën me rregull të pagave sigurisht që munden të paraqiten veprimet sindikale në mënyrë të pavarur, siç ishin deri më tani”, ka thënë Ahmeti.

Për rritjen e pagave kryeministri i Kosovës ka pasur kritika edhe nga anëtarët e kabinetit qeveritar. Deri më tani pagën me rritje kanë refuzuar ta marrin ministri i Financave Bedri Hamza, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj e ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.